“Jemi të rrezikuar nga COVID-19”, Personat me Aftësi të Kufizuar thirrje shtetit për ndihmë

Bashkimi i Organizatave të Personave me Aftësi të Kufizuar, me anë të nje deklarate për mediat, shpreh shqetësimin për këtë grup vurnerabël të shoqërisë për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi. Duke cilësuar mungesën e vëmendjes ndaj tyre, nga media dhe faktorët vendimarrës, Shoqatat e Personave me Aftësi të Kufizuar i bëjnë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë për trajtimin e këtyre personave.

“Media dhe të gjithë aktorët e tjerë, kryesisht ata vendimmarrës,  kur flasin për persona në nevojëduhet të mbajnë parasysh grupin e atyre me nevoja ekstreme, ku me përparësi bëjnë pjesë personat me aftësi të kufizuara. I bëjmë thirrje qeverisë, vecanërisht Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që në aktet ligjore e nënligjore, të mbajnë parasysh nenin 11 Të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, të ratifikuar nga shteti Shqiptar, i cili përcakton qartë detyrimet për mënyrën e trajtimit të këtyre personave në raste emergjence, fatkeqësie apo lufte”, thuhet në deklaratën e tyre.

Më tej, Personat me Aftësi të Kufizuara shprehin shqetësimin se shumë prej tyre janë të rrezikuar nga COVID-19, ndaj kërkojnë ndihmën e institucioneve shtetërore.

“Sot një numër i konsiderueshëm i personave me aftësi të kufizuar, janë të rrezikuar nga Covid-19 për shkak të sëmundjeve që ato mbartin, por mjaft prej tyre që jetojnë të vetëm, mund të rrezikohen edhe nga uria. I bëjmë thirrje të gjithë kryetarëve të Bashkive, vecanërisht administratorëve të njësive administrative që të verifikojnë me përparësi gjendjen e këtyre personave, pasi ata i kanë të gjitha të dhënat e nevojshme për ti identifikuar”, thuhet në deklartë.

Në fund, thirrja u drejtohet dhe vetë organizatave të Personave me Aftësi të Kufizuar, ku kërkohet  “që të tregojnë vullnetin dhe angazhimin e tyre serioz për të mbështetur personat me aftësi të kufizuara”, pasi ky është një moment jo vetëm i vecantë, por edhe shumë domethënës. Ne shprehim besim të plotë në të gjitha përpjekjet që po bëhen, se populli shqipëtar do t’ia dalë me sukses kësaj sfide të jashtëzakonshme e të panjohur më pare”, përfundon deklarata.