Flash News

KRYESORE

I jepet sot lamtumira ish-deputetit dhe akademikut të njohur

I jepet sot lamtumira ish-deputetit dhe akademikut të njohur

Dje është ndarë nga jeta në moshën 87 vjeçare akademiku, mjeku i njohur kardiolog i cili për një periudhë 10 vjeçare drejtoi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Ylli Popa.

“Pas një gjendjeje të përkeqësuar kronike të shëndetit, u nda nga jeta akademiku Ylli Popa, intelektual i mirënjohur, me veprimtari të shumanshme, të shtrirë në më shumë se gjashtë dekada” bën të ditur Akademia e Shkencave.

Mësohet se ceremonia e Varrimit është sot në orën 17.00. Nisja nga shtëpia e tij: Adresa: Rr. Sami Frashëri, Pallati Nobis, Tiranë.

Ylli Popa ka qenë deputet i Kuvendit Popullor të Shqipërisë për dy legjislatura si dhe anëtar themelues i Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Ai për vite të tëra, ka qenë edhe mjek i Enver Hoxhës, diktatorit të Shqipërisë deri në  ditën e vdekjes.

Ylli Popa u lind në një familje me tradita intelektuale dhe kombëtare në qytetin e Elbasanit në vitin 1930.  Pasi përfundoi studimet si normalist në qytetin e lindjes u diplomua si mjek në Bukuresht, në fushën e medikologjisë. Pas kthimit nga Rumania, për tre vjet me radhë drejtoi të parën katedër universitare të biokimisë në Shqipëri. Gjatë viteve 1958-1961 ai ndërpreu mësimdhënien në Universitet dhe thelloi studimet mjekësore në Moskë.

Me kthimin në Shqipëri, si mjek në spitalin klinik shtetëror nr. 1, bashkë me kolegë të tjerë, Ylli Popa u bë themelues i shkollës shqiptare të kardiologjisë, e cila pati vlerësime të larta edhe prej personalitetesh të larta të kësaj fushe në botë.  Nën drejtimin e tij u themelua e para katedër dhe i pari shërbim shqiptar i kardiokirurgjisë, të cilat i kryesoi deri në vitin 1993.

Ylli Popa ishte kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për një periudhë 10-vjeçare, në një kohë të vështirë (1997-2007), dhe njihet si një nga drejtuesit më jetëgjatë të këtij institucioni, më jetëgjati pas viteve 1990.

Akademiku Ylli Popa ishte një dijetar që njihej dhe vlerësohej edhe në shkallë rajonale e ndërkombëtare. Shumë artikuj shkencorë të tij u botuan në revista shkencore të indeksuara jashtë vendit.

Ylli Popa ka qenë deputet i Kuvendit Popullor të Shqipërisë për dy legjislatura. Për veprimtarinë e tij shumë të dobishme në shërbim të shkencës dhe popullit ai ka mbajtur titullin e lartë Hero i Punës Socialiste dhe është dekoruar me urdhrin Flamuri i Kuq i Punës.  

Akademik Ylli Popa do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve si kardiolog e si profesor, si akademik e si njeri, si qytetar e dijetar, si veprimtar shoqëror e si një model i rrallë i urdhërit të mjekut.  

Të fundit