“Indentifikimi elektronik, debat artificial”, Gjiknuri: Shpresoj kjo të mos përdoret si sebep nga opozita

Bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore Damian Gjiknuri, në komunikatën e tij për media pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Politik deklaroi se palët patën një “debat artificial”, sipas tij, përsa i përket identifikimit elektronik në çdo qendër zgjedhore.

“Jo çdo listë dëshirash mund të kthehet në detyrim për ne”, është shprehur në fjalën e tij Gjiknuri duke theksuar se garancia për integritetin e zgjedhjeve është në shumë procese të tjera dhe se shpreson që kjo çështje mos të përdoret si sebep nga opozita për t’u larguar nga tryeza.

“Sot kishim mbledhjen e radhës për çështjen e krimeve zgjedhore, por dhe monitorimin e qendrave të votimit me kamera. Kemi një debat akoma, është një debat artificial për përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje. Kemi rënë dakord në parim, por sot po diskutojmë për detajet e tjera. Bëhet fjalë për identifikimin elektronik në zgjedhje dhe përfshirja e numërimit dhe votimit elektronik.

Problemi është sa mund të shtrihet, se dëshira jonë është për ta shtrirë. Ne jemi gati që të lemë ekspertët për këtë gjë, pasi duhet parë si do zbatohet dhe sa është kosto. Zgjedhjet nuk vihen në dyshim se nuk funksionon teknologjia. Shpresoj që kjo të mos përdoret si sebep, pasi garancia për integritetin e zgjedhjeve është në shumë procese të tjera. Jo çdo listë dëshirash mund të kthehet në detyrim për ne”, u shpreh Gjiknuri.