‘JO-ja’ për Shqipërinë, për shkak të problemeve të brendshme në Tiranë apo BE? Si iu përgjigj Johannes Hahn  

Nëse për kryeministrin Edi Rama, mos pranimi në unanimitet i 28 shteteve anëtare për çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë vjen si shkak i problemeve të brendshme të BE, ky aspekt është komentuar edhe nga komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn

Gazetarja e A2 CNN, Klementina Cenkollari e pyet Hahn në konferencën e përbashkët për shtyp me ministren e Jashtme të Finlandës, Tytti Tuppurainen, nëse ‘JO-ja’ për Shqipërinë do të ishte për shkak të problemeve të brendshme në Tiranë apo si rrjedhojë e problemeve të brendshme të BE, siç ka përsëritur kryeministri Rama.

Hahn u përgjigj duke thënë se situata politike në Shqipëri nuk ishte më e mira, por nga ana tjetër edhe në BE duhej të bindeshin qeveritë e vendeve anëtare, sidomos ato skeptike.

“Ishin kushte të qarta dhe sipas nesh janë realizuar. Por vendimi final përfshin edhe elementë politikë, që nuk janë pjesë teknike. Normalisht,edhe  situata e brendshme politike në Shqipëri nuk ndihmoi. Duhet t’i mbushim mendjen qeverive të të gjitha vendeve anëtare”, tha Hahn.