Flash News

OP-ED

Jo përkrahje të pakusht shqiptare Referendumit maqedonas

Jo përkrahje të pakusht shqiptare Referendumit maqedonas

Valon KURTISHI

Vizita e Kancelares Merkel në Shkup, dy vizita brenda vitit nga Sekretari Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ato të dinjitarëve tjerë të lartë Europerëndimorë apo edhe letra e Presidentit Trump në të cilën i jepet përkrahje e qartë Marëveshjes së Prespës, treguan mëse njëherë mobilizimin e paprecedent të faktorit ndërkombëtar kohëve të fundit në politikën e Fyrom. Vërehet një përfshirje interesante e diplomacies, kryesisht perëndimore, për të ndikuar në rezultatin e referendumit të 30 shtatorit. Me këtë shpresohet që të hiqet vetoja greke dhe të hapet rruga e integrimit të këtij vendi të vogël ballkanik, fillimisht në Paktin Veriatlantik e më vonë edhe në BE.

Qeveria maqedonase e qendrës së majtë bën çmos për implementimin e Marrëveshjes nëpërmjet referendumit sidomos në planin e brendshëm. Në këtë drejtim, si dhe për të qetësuar komunitetin e dytë më të madh, ajo ka miratuar një ligj gjysmak në lidhje me përdorimin e gjuhës shqipe si dhe është e treguar e hapur ndaj kërkesave të grupeve tjera të interesit këtu, që në një mënyrë ose tjetër përfaqësojnë vlera apo tematika shqiptare.

Marrëdhëniet ndëretnike në shikim të parë duken më të relaksuara se ndonjëherë tjetër viteve të fundit, madje në një gjest kuptimplotë që më sëpaku pritej nga elita politike maqedonase, kryeministri i ri Zaev qortoi publikisht regjizorin dhe Institucionet përgjegjëse të një filmi të njëanshëm dhe degradues për shqiptarët, prodhuar së fundmi në laboratoret maqedonase të propagandës në Shkup. Gjithë kjo mund të shihet sa si cilësi e re e qeverisjes në vend, aq edhe si metodë e re e ‘public relation’për të bërë për vete shqiptarët në prag të vendimit mjaft me rëndësi të 30 shtatorit.

Gjithsesi dhe megjithë këto përpjekje të moderuara por disi të ngadalshme demokratizuese, çështjet që kanë të bëjnë me interesin kolektiv shqiptar këtu mbeten të hapura dhe presin përgjigje. Tri janë problematikat kryesore që kërkojnë adresim të menjëhershëm dhe pa humbur shumë kohë.

Mbetet fillimisht Kushtetuta si akti më i lartë politico-juridik që përcakton rregullat apo kuadrin bazë të marrëdhënieve të përgjithshme në shoqëri. Megjithë ndryshimet e mëparshme në lidhje me inkorporimin e pikave të Marrëveshjes së Ohrit, Kushtetuta aktuale mbetet dokument limitues e diskriminues për shqiptarët këtu. Preambula aktuale bën një dallim të qartë politico- juridik mes maqedonasve dhe shqiptarëve, duke favorizuar të parët dhe kufizuar sovranitetin e këtyre të dytëve. Formulimi prerë që ky vend është ‘shtet kombëtar i Popullit Maqedonas dhe i pjesëve të popujve tjerë që jetojnë këtu’, bën që shqiptarët në Maqedoni të duken si emigrantë ekonomikë të ardhur kohëve të fundit, kurse vendosja e tyre në një rang me pjesëtarë të komuniteteve tjera të vogla është në kontradiktë të drejtpërdrejtë dhe nuk korrespondon me prezencën e tyre të madhe dhe shtrirjen e gjerë gjeografike në Shtet.

Preambula aktuale duket të jetë një mbetje e zgjidhjeve komplekse dhe diskriminuese të regjimit të kaluar monist. Ajo duhet ndryshuar e plotësuar një orë e më parë në mënyrë që t’i përgjigjet nevojave të kohës dhe raporteve të ndryshuara të forcës këtu. Shqiptarët duhet të jenë qartësisht dhe pa ekuivoke e detaje tjera juridike, të barabartë në preaumbulë me bashkëqytetarët e tyre maqedonas.

Elementi i dytë problematik ka të bëjë në mënyrë të drejtpërdrejtë me statusin e përgjithshëm politik e juridik të shqiptarëve këtu, më konkretisht, për statusin kolektiv të këtij komuniteti në Kushtetutë. Nga formulimet dhe rregullimet e tanishme kushtetuese si dhe duke u bazuar në konventat dhe standardet tjera europiane, shqiptarët kanë arritur nivelin apo statusin e një pakice të konsiderueshme në shtet. Kjo është e padrejtë, limituese, kufizuese, dhe antidemokratike. S’ka shembull të dytë në mbarë kontinentin Europian ku ofrohen modele apo zgjidhje të tilla kushtetuese për grupe që kanë peshën demografike të ngjashme apo edhe të përafërt me rastin tonë. Është nevojë e kohës që statusi shtetformues i shqiptarëve të pranohet edhe në dokumentin themeltar të shtetit, pra në Kushtetutë.

Avancimi i statusit kolektiv nga ai aktuali i një pakice të konsiderueshme në stadin e elementit konstituiv, shtetformues apo bartës të sovranitetit shtetëror, do të zgjidhte me automatizëm edhe çështjen tjetër, të tretë mjaft të ndjeshme identitare për çdo komunitet, atë të gjuhës amtare dhe zyrtarizimit apo mbrojtjes institucionale të saj.

Shqipja duhet të zyrtarizohet plotësisht dhe pa vonesa në mbarë territorin e Republikës dhe në marrëdhëniet me jashtë. Ajo duhet të jetë e barabartë kudo dhe në gjithçka me gjuhën tjetër zyrtare. Me ndryshimet e reja kushtetuese vendi duhet të ketë dy gjuhë zyrtare krejtësisht të barabarta: maqedonishten dhe shqipen.

Rregullimi kushtetues i këtyre tre elementëve krucialë për interesin kolektiv të shqiptarëve këtu,  do të sillte stabilizimin përfundimtar të Republikës dhe orientimin e energjive të përbashkëta komunitare drejt sfidave të vështira të integrimit euroatlantik.

Qëndrimet kokëforta, shoviniste e të tejkaluara të qarqeve të caktuara politike që kundërshtojnë rregullimet finale kushtetuese nga ana tjetër, do të hapin probleme të reja dhe do të vonojnë si progresin e përgjithshëm social ashtu edhe integrimin e shumëpritur e shumëdëshiruar europian.

Shqiptarët kanë qënë në të kaluarën dhe dhe janë akoma sot përfaqësues të denjë dhe garanci e interesit perëndimor në Maqedoni dhe përgjithësisht në Europën juglindore. Ata nuk do të bëhen pengesë dhe do të përkrahin Referundumin për ndryshimin e emrit të shtetit, por vetëm me kushtin e qartë të ndryshimeve të plota kushtetuese pas miratimit të tij. Përkrahje të pakusht duke shkelur mbi interesat kolektive apo nacionale nuk ka dhe nuk mund të ketë. Klanet primitive e të korruptuara parapolitike shqiptare në Maqedoni, që janë bërë pengesë për çlirimin e energjive popullore dhe plotësimin e kërkesave nacionale në këto tri dekada të pluralizmit politik, kanë shansin e fundit që të kushtëzojnë partnerët e tyre qeveritarë dhe të largohen me ndonjëfarë kredibiliteti nga skena politike.

Elita politike maqedonase nga ana tjetër ka shansin historik të jetë e përgjegjshme dhe ta çojë vendin aty ku duhet bashkë me shqiptarët dhe duke respektuar interesin e tyre. Pa shqiptarët apo akoma më keq, kundër shqiptarëve s’mund të ketë BE apo NATO megjithë pasojat e pallogaritshme gjeopolitike që vendi mund të ketë nga një zhvillim i tillë. Shansi është historik kurse zgjedhja është e tyre. Të shfrytëzojmë gjithë bashkë këtë moment krucial për të ardhmen tonë të përbashkët europiane.

Të fundit