Flash News

KRYESORE

Jo, Rama nuk mund të mos e dinte!

Jo, Rama nuk mund të mos e dinte!

Gentian Gaba

Seanca e djeshme e Parlamentit mund të ketë ngjallur te shqiptarët reminishencat e atyre programeve që televizionet lokale ia dedikonin publikimit të fotografive që qytetarët nisnin për të përshëndetur miq dhe familjarë, “përshëndetje nga ekrani”. 

E thënë kështu, duket se fotografia e liderit të opozitës Basha, fotografia e ministrit Klosi dhe fotografia e Ramës janë thjesht një “photo opportunity”, një rast që dashamirësit shfrytëzojnë për t’u fotografuar me personazhe të njohura.

Këtë teknikë përdori edhe mazhoranca për të relativizuar çështjen, pra për të çmontuar përmbajtien denoncuese që ato fotografi kanë; kështu bëjnë të gjithë, kërkonte të thoshte Taulant Balla nga foltorja e Parlamentit. 

A është realisht kështu? 

Nëse vendosim në punë arsyen, kujtesën dhe deduksionin duhet të themi 'jo'. 

Duhet të themi 'jo' sepse fotografia e Bashës ndryshon rrënjësisht nga fotografia e Ramës. Duhet të themi 'jo', sepse një selfie pranë një politikani nuk mund të jetë e barazvlefshme me një fotografi në të cilën një i kërkuar nga Interpoli drekon ose darkon me një kryeministër,  dy ministra dhe një kryetar Bashkie.

Duhet të themi 'jo', sespe nga eksperienca e legjislaturës së shkuar Kryeministri u dha poste publike personave me të shkuar kriminale. Ndonëse jemi një vend me kujtesë të shkurtër, nuk duhet të harrojmë se kadidatët e Partise Socialiste në Lezhë ranë si domino nga dekriminalizmi, njëri pas tjetrit, dhe për pasojë të të njëjtit ligj Kavaja humbi kryebashkiakun socialist që Rama mbrojti me çdo kosto dhe çdo kusht deri në fund. 

Jo, Rama nuk mund të mos të dinte. 

“Politika dhe krimi janë dy pushtete që mbijetojnë nëpërmjet kontrollit mbi të njëjtin territor, ose i bëjnë luftë njëra tjetrës ose bëjnë marrrëveshje.” Këto fjalë i ka thënë gjykatësi italian Giovanni Falcone; duke pas parasysh edhe pohimet e ambasadorit Lu, duket se te ne ka ndodhur e dyta; sot kemi një bashkëpunim ose një ndërveprim me interesa të ndërsjellta. 

Politika fiton influencë në zonat më të ekspozuara nga sundimi i të “fortëve”, të “fortët” fitojnë autonomi në ushtrimin e pushtetit të tyre, Elbasani mbetet ilustrimi më i mirë i fenomenit. 

Sigurisht, fitorja e Partisë Socialiste nuk ishte vetëm pasojë e paktit të Ramës me djallin (me shumë gjasa do të ishte forcë e parë; Partia Demokratike nuk ishte në ditët e saj më të mira; Ilir Meta mbeti peng i pavendosmërisë së tij), por 74 mandatet nuk janë gjë tjetër veçse një kombinim i faktorëve politikë dhe jo politikë (ata që zgërdhihen në fotografi me Kryeministrin).

Kur Demokracia Kristiane sundonte politikisht në Itali, votat e fituara me mbështetjen e mafies siçiliane ishin ato pak 'preferenca të domosdoshme' për mbajtjen e pushtetit, pavarësisht legjitimiteti historik dhe kulturor që kjo forcë gëzonte në një pjesë të gjerë të Italisë. Kur shteti italian vendosi t’i japë fund bashkjetesës midis politikës dhe krimit, dy pushtetet nisën t’i bëjnë luftë njëri-tjetrit, dhe gjykatësit Falkone dhe Borselino ishin martirët që nisën një betejë që nuk mori kurrë fund, por që u luftua nga njerëz  të thjeshtë me cilësi morale jo të zakonta. 

Ndonëse si shoqëri jemi familjarizuar tanimë me politikanët që pleksen me krimin dhe kriminelë që kanë në dorë fatin e disa politikanëve, nuk kemi prodhuar ose nuk kemi mbështetur ende persona të gatshëm të hynë në transhenë e kësaj lufte që, shpejt apo vonë do të fillojë. 

Problemet e një shoqëri si e jona janë të shumta dhe shumë prej tyre  janë sistemike; por thyerja e rrethit vicioz të deformimit të përfaqësimit politik mbetet ndoshta beteja morale kryesore për përcaktimin e fatit dhe të ardhmes së shqiptarëve, sidomos të atyre qindra mijërave që zgjohen çdo mëngjes me dëshirën e vetme për t’u larguar nga ky vend.

Të flasim tani ose të heshtim përgjithmonë.

Të fundit