Flash News
SPAK sekuestron pasuritë e dy ortakëve të Evis Berberit
Goro në burg, Blerina Balaj komandohet kryetare e Bashkisë Himarë
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Nën hetim për trafik k*kaine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut
Mendimtarët liberalë
Politiko do të sjellë një shqip një seri shkrimesh të revistës britanike The Economist për mendimtarët liberalë. I pari është ai që konsiderohet ‘babai i liberalizmit’, John Stuart Mill.
Në moshën gjashtë vjeçare, John Stuart Mill kishte shkruar një ‘Histori të Romës’. Shtatë, ai po e ‘përpinte’ Platonin në greqisht. "Kjo duket si mburrje", i tha babai i tij, James-i, një miku kur djali ishte tetë: "John-i është tashmë i aftë në gjashtë librat e parë të Euklidit dhe në Algjebër".
Studimet tutoriale që filluan që me lindjen e Mill-it të ri më 1806, dhanë rezultatin e synuar: një gjeni me besim të thellë në fuqinë e arsyes. Ai u bë eksponenti kryesor i filozofisë së liberalizmit, duke formuluar ide rreth ekonomisë dhe demokracisë, që formësuan debatet politike të shekullit 19. Reflektimet e tij mbi të drejtat individuale dhe sundimin e turmës ende rezonojnë sot. Sidomos sot.
Mill u rrit në një kohë revolucionare. Demokracia ishte në marshim. Amerika u çlirua nga Britania; Franca kishte rrëzuar Monarkinë. Në vitin 1832, Britania kaloi Aktin e parë të Reformës, i cili i jepte të drejtën e votës klasës së mesme. Revolucioni Industrial ishte në pik. Rendi i vjetër shoqëror, në të cilin prejardhja përcaktonte pozitën shoqërore, po shpërbëhej. Askush nuk mund të ishte i sigurt se çfarë do ta zëvendësonte.
Shumë, sot, e shohin Millin si një avatar të kapitalizmit të pamëshirshëm të epokës së tij. Henry Adams, një historian amerikan, i referohej Millit si "Madhëria e tij, Djalli i tregut të lirë". Në disa fotografi të mbijetuara të tij, ai duket disi i ftohtë dhe i pandjeshëm.
Nuk ishte i tillë. E vërtetë, në vitet e para Mill ishte një utilitarian i përbetuar. Mentori i tij ishte Jeremy Bentham, i cili argumentonte se parimi i të gjitha aktiviteteve shoqërore duhet të jetë "lumturia më e madhe e numrit më të madh". Qëllimi i ekonomisë politike, siç njihej asokohe ekonomiksi, ishte që të maksimizohej dobia. Ashtu si Gradgrind në "Hard Times" të Charles Dickens-it, Mill fillimisht e ndoqi Bentham-in në filozofinë e të parit të njerëzve thjesht si makina llogaritëse.
Por, ky ishte Mill-i në të ri. Në autobiografinë e tij të shkëlqyer, të botuar pas vdekjes në vitin 1873, ai rrëfehej se u rrit "në mungesë të dashurisë dhe në prani të frikës". Rezultati ishte një ‘thyerje’ në fillim të të njëzetave. Më vonë filloi të besonte se jeta duhet të ishte diçka më shumë se sa ajo që benthamitët e quanin "felicific calculus" - kontabiliteti i kënaqësisë dhe dhimbjes.
Ai iu qas poezisë së William Wordsworth-it dhe Samuel Taylor Coleridge-it, e cila i mësoi bukurinë, nderin dhe besnikërinë. Kuptimi i ri estetik e shtyu atë larg reformizmit fanatik dhe butësisht drejt konservatorizmit. Nëse shoqëritë e së kaluarës kishin prodhuar një art të tillë kaq të mirë, arsyetoi ai, ato duhet të kenë diçka për t’i ofruar epokës së tij.
Mill nuk e refuzoi utilitarizmin aq tërësisht sa bashkëkohësi i tij Thomas Carlyle, i cili argumentoi se vetëm derrat do ta shihnin kërkimin e kënaqësisë si themeli i të gjithë etikës. Në të kundërt Mill e kualifikoi. Ndryshe nga Bentham, i cili mendonte se push pin-i (një lojë fëmijësh) ishte "me vlerë të barabartë me ... poezinë", ai pohonte se disa lloj kënaqësish ishin sipërane ndaj të tjerave. Ai e mohonte se këto nuancime do të thoshin se ai nuk ishte më një utilitarian. Çka në fillim mund të duket si një veprim thjesht i virtytshëm, që nuk sjell asnjë kënaqësi të menjëhershme – ta zëmë mbajtja e fjalës- përfundimisht mund të jetë e domosdoshme për mirëqenien.
Ky ripërkufizim i utilitarizmit tregoi një pragmatizëm, që është një prej trashëgimive intelektuale të Mill-it. Për shumë çështje është e vështirë të piketosh qëndrimin e tij, apo edhe të identifikosh atë që ai beson ekzaktësisht. Një pjesë e asaj që e bën atë mendimtar të madh është se ai i kualifikon argumentet e tij. Pikëpamjet e tij evoluan gjatë rrjedhës së jetës, por gjatë shumicës së saj ai i hodhi poshtë absolutizmat dhe e pranoi kaosin dhe kompleksitetin e botës. John Gray, filozof, shkruan se Mill ishte "një mendimtar eklektik dhe tranzicional, shkrimet e të cilit nuk mund të priten të japin një doktrinë koherente".
Mbi të gjitha, megjithatë, si të gjithë liberalët, Mill besonte në fuqinë e mendimit individual. Puna e parë e tij e madhe "Një Sistem i Logjikës", argumenton se dobësia më e madhe e njerëzimit është tendenca për të mashtruar vetveten në lidhje me vërtetësinë e bindjeve të pashqyrtuara. Ai hoqi dorë nga parullat, ortodoksitë dhe urtësitë despotike: çdo gjë që i ndalon njerëzit të mendojnë në kokën e tyre.
Ai donte që njerëzit të ekspozoheshin para një varieteti sa më të madh mendimesh, dhe që asnjë ide apo praktikë të mos mbetej e pasfiduar. Kjo ishte rruga për lumturinë dhe përparimin e vërtetë. Për të mbrojtur lirinë e shprehjes, ai formuloi “parimin e dëmit”: "qëllimi i vetëm për të cilin pushteti mund të ushtrohet me drejtësi mbi çdo anëtar të një komuniteti të civilizuar, kundër vullnetit të tij, është parandalimi i dëmit ndaj të tjerëve", shkroi ai në "On Liberty ", libri i tij më i famshëm.
Siç e bën të qartë biografia e Richard Reeves, Mill mendonte se epoka e ardhshme industriale dhe demokratike mund t’i mundësojë njerëzve përparimin në disa forma, por do ta pengonte në ca të tjera. Merrni shembullin e tregtisë së lirë, për të cilën ai ishte një entuziast (pavarësisht se punoi për një kohë të gjatë për East India Company, ndoshta monopoli më i madh në botë ndonjëherë). Ai mendonte se tregtia e lirë rriste produktivitetin: "Çfarëdo që shkakton një sasi më të madhe të gjërave të prodhuara në të njëjtin vend, priret të rrisë fuqinë e përgjithshme prodhuese në botë", shkroi ai në "Parimet e Ekonomisë Politike". Ai i kritikoi ‘the Corn Laws’ (tarifat e importeve), që kryesisht ndihmonin latifondistët.
Sidoqoftë, Mill ishte edhe më i rrëmbyer nga argumenti filozofik për tregtinë e lirë. "Është e vështirë të mbivlerësohet vlera, në gjendjen aktuale të ulët të përmirësimit njerëzor, të vendosjes së qenieve njerëzore në kontakt me persona të ndryshëm nga ata, dhe me mënyrat e mendimit dhe veprimit, të ndryshme nga ato me të cilat ata janë të familjarizuar". Kjo vlen për të gjithë: "nuk ka asnjë komb që nuk ka nevojë të huazojë nga të tjerët". Ai praktikoi atë që predikoi, duke kaluar shumë kohë në Francë, dhe duke e parë veten si një lloj bashkëbiseduesi midis pasionit revolucionar të politikës franceze dhe gradualizmit konservator të Anglisë.
Teksa demokracia përhapej, ai priste që edhe idetë të përplaseshin. Ai mbështeti Aktin e Reformës të vitit 1832, i cili, përveç të drejtës së votës, shfuqizoi "lagjet e kalbura", zonat me elektorat mikroskopik, shpesh të kontrolluara nga një person i vetëm. Ai lavdëroi vendimin e Francës, më 1848, për të ligjëruar të drejtën e votës për të gjithë burrat në moshë votimi. Pikëpamja e çdo votuesi duhet përfaqësuar - dhe secili duhet të kishte arsye për t'u informuar. Pjesëmarrja në vendimmarrjen kolektive ishte për Mill-in pjesë e jetës së mirë.
Për të njëjtën arsye ai ishte një përkrahës i hershëm i së drejtës së votës për gratë. "Unë e konsideroj [gjininë] si tërësisht të parëndësishme për të drejtat politike, si dallimi në gjatësi apo në ngjyrën e flokëve", shkroi ai në "Konsideratat mbi Qeverinë Përfaqësuese". Pasi u bë deputet në 1865, paraqiti një peticion që bënte thirrje për të drejtën e votës së grave.
Mill besonte se shoqëria po përparonte. Por, ai gjithashtu, parashikoi kërcënime. Kapitalizmi kishte difekte; demokracia kishte një tendencë alarmante për të minuar vetveten.
Merr në fillim kapitalizmin. Në vitet 1800-50 rritja mesatare vjetore e pagave reale në Britani ishte një 0,5 përqindësh patetik. Java mesatare e punës ishte 60 orë. Nganjëherë, jetëgjatësia në disa qytete u zhyt poshtë 30 vjetëshit. Mill mbështeti sindikatat dhe legjislacionin për të përmirësuar kushtet e punës.
Sidoqoftë, ai shqetësohej se kapitalizmi mund të shkaktojë dëme shpirtërore që do të ishin më të vështira për t’u ndrequr. Presioni për të grumbulluar pasuri mund të çojë në pranimin pasiv të botës siç ishte – atë që dishepujt e Mill-it e quajnë "tirania e konformitetit".
Mill e donte idenë e një vendi të bazuar në liri, por ai kishte frikë se Amerika kishte rënë pikërisht në këtë kurth. Amerikanët shfaqën "indiferencë të përgjithshme ndaj atyre llojeve të njohurive dhe kulturës mendore që nuk mund të konvertohen menjëherë në paund, shilinga dhe pence". Pas paralajmërimeve të Alexis de Tocqueville, Mill e pa Amerikën si vend ku kishte më pak liri të vërtetë të mendimit se kudo tjetër. Si mundej ndryshe të jetonte me një mospërputhje aq të madhe në thelbin e vet: shpallje e lirisë për të gjithë dhe, në të njëjtën kohë, bashkëjetesë me institucionin e skllavërisë?
Në kërkim të ekspertëve
Vetë demokracia e kërcënon shkëmbimin e lirë të ideve në një mënyrë tjetër. Mill mendonte se ishte e drejtë që njerëzit e zakonshëm po emancipoheshin. Por, sapo ata të ishin të lirë për të bërë zgjedhjet e tyre, ata do ishin të ishin gjithashtu të hapur ndaj paragjykimeve dhe thirrjeve të vogla të interesit vetjak. Jepini proletariatit të drejtën e votës, dhe kaosi mund të pasojë.
Kjo, gjithashtu mund të pengonte zhvillimin intelektual të shoqërisë, pikëpamjet e shumicës që mbysin kreativitetin dhe mendimin individual. Sfidantët u shpërblyen me mençuri – mendjelirët, eksentrikët, Mill-ët - mund të shmangen nga "opinioni publik". Ekspertiza mund të zhvlerësohej teksa "vullneti i popullit" mbretëron suprem.
Përfundimi ishte i frikshëm. Liria individuale, paradoksalisht mund të përfundojë më e kufizuar në demokracitë masive sesa nën sovranitetin despotik të dikurshëm. Mill i referohet kësaj si "tirania e shumicës". Por, ai shqetësohet njëlloj si për opinionin "respektueshëm" të klasës së mesme, ashtu dhe për injorancën e klasës punëtore.
Ai mendonte se si t'i kundërvihej tendencave tiranike të qenësishme në liberalizmin ekonomik dhe politik. Ekspertët kishin një rol jetësor për të luajtur, mendonte ai. Përparimi kërkonte njerëz me kohën dhe prirjen për studime serioze - një lloj klergjie laike, apo "klersie" (një fjalë e huazuar nga Coleridge). Klersia kishte një justifikim utilitar: anëtarët e saj do të krijonin "rregulla që do të maksimizonin mirëqenien njerëzore në qoftë se të gjithë do i ndiqnim ato rregulla", siç thotë Alan Ryan, një teoricien politik.
Një zgjidhje ishte që t'u jepej votuesve të arsimuar një fuqi më e madhe. Në këtë sistem, njerëzit që nuk mund të lexonin ose shkruanin, ose që kishin marrë ekuivalenten e ndihmës sociale të sotme në shekullin 19, nuk mund të votonin. (Mill gjithashtu mendonte se nënshtetas të caktuar të kolonive të Britanisë, përfshirë këtu edhe indianët, ishin të paaftë për vetëqeverisje). Të diplomuarit e Universitetit mund të hidhnin gjashtë vota, punëtorët e pakualifikuar, një. Qëllimi ishte t’u jepej më shumë zë atyre që mendonin më thellë për botën. Klasave më të ulta do t’u kujtohej se ata kishin nevojë për guidancë politike dhe morale, dhe me kalimin e kohës më shumë prej tyre do t’u bashkoheshin radhëve të të arsimuarve.
Edhe pse kjo qasje duket snobe, apo më keq, Mill ishte i iluminuar për kohën e tij. Në të vërtetë, ai do të kishte miratuar shumë nga ndryshimet shoqërore në shekullin 21, duke përfshirë të drejtën universale të votës dhe të drejtat e grave.
Shumë gjëra do ta kishin shqetësuar, gjithashtu. Brexit, për shembull. Pavarësisht asaj se Mill do të kishte qenë një Brexitas apo jo, ai do ta kishte urryer referendumin. Pse të lejosh të paditurit të vendosin për një çështje mbi të cilën ata kanë pak ose asfare njohuri? Ai do të kishte parë ngritjen e Presidentit Donald Trump, anti-intelektualizmin e të cilit do ta kishte urryer dhe do të thoshte: "A nuk iu thashë". Ai mund të ishte habitur nga fakti që Amerika priti kaq gjatë për të zgjedhur një demagog.
Klima intelektuale në të dy anët e Atlantikut do ta trishtonte. "E keqja e veçantë e mbytjes së lirisë së mendimit, është një plaçkitje e racës njerëzore," shkroi Mill në "On Liberty". "Nëse mendimi është i drejtë, ata privohen nga mundësia e shkëmbimit të gabimit me të vërtetën: nëse është i gabuar, humbasin, çka është pothuajse një përfitim po aq i madh, perceptimin më të qartë dhe përshtypjen më të gjallë të së vërtetës, e prodhuar nga përplasja e saj me gabimin". Ai nuk do ishte i impresionuar nga joplatforma (heqja e lirisë së fjalës-shën. i përkthyesit).
Ai ndoshta mund të argumentonte se, para vitit 2016, mendimi liberal i ishte nënshtruar një tiranie konformiteti. Deri kohët e fundit, në shoqërinë liberale kishte shumë debat për "të mbeturit pas" ose për humbësit nga tregtia e lirë. Shumë liberalë kishin rënë në një vetëkënaqësi joMilliane, me hamendësimin se të gjitha çështjet e mëdha ishin zgjidhur.
Jo më. Fitorja e zotit Trump i ka shtyrë liberalët që të rishqyrtojnë çdo gjë, që nga tregtia e lirë deri te emigracioni. Brexit ka çuar në një debat të gjallë rreth lokusit të duhur të pushtetit. Dhe universitetet janë bërë një fushë beteje mbi kufijtë e fjalës së lirë. Këto janë kohë disorientuese, ashtu si të Mill-it,- dhe kërkojnë urgjentisht fleksibilitetin dhe guximin intelektual të epitomizuar nga babai i liberalizmit.
*Përkthimi: politiko.al. Origjinali në anglisht këtu