Flash News
Shtyhet sërish seanca për Berishën, shkak mungesa e prokurorëve
Investimi në Sazan/ Rama pyetet pse nuk shpall tender kombëtar: Do shqyrtojmë aplikimin
Paraqitet në SPAK, ish-ministri dhe deputeti socialist, Nasip Naço
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Marsel Lela
Çdo epokë ka Jokerin e vet. Që prej krijimit si një prej karaktereve më të spikatur negativë të filmave me fantazi, Hollywood-i e ka sjellë vazhdimisht ndryshe këtë personazh, si për të na kujtuar se shoqëria njerëzore është e mbarsur prej tij. Nga gangsteri i Jack Nicholson tek anarkisti i Heath Ledger, kësaj radhe Joker erdhi në rolin e viktimës, i luajtur në mënyrë të mahnitshme nga Joaquin Phoenix. I palumtur, i vetmuar, i frustruar, i dhunuar, i braktisur, ai përfaqëson fytyrën e shoqërisë së kësaj kohe në petkat ngjyrashumë të një arlekini.
Edhe politika shqiptare gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, që duket se nuk po ka fund, ka pasur Joker-at, apo për të përdorur një term europian, palaçot e veta. Ky soj palaçoje është krejtësisht jashtë frymës artistike të asaj që përcjell Jokeri amerikan i ‘Gotham city’.
Ata nuk kanë as trishtim dhe as përvujtni në maskën e bojatisur të fytyrës, pasi jetojnë në fantazinë e tyre, larg realitetit të përditshëm. Ky është ekskluzivitet i njerëzve që u duhet të përballen me realitetin e jetës së përditshme prodhuar prej tyre. Ndërsa karagjozlliku i këtij personzhi vishet me mjaft lezet nga politikani ynë.
Kryeministri Edi Rama ka ardhur së fundmi në frymën e ‘viktimës’ së Jokerit të fundit. Ai duket se përveç opozitës ka gjetur edhe një tjetër fajtor për dështimet e veta: institucionet ndërkombëtare. Procesin për çeljen e negociatave për anëtarsimin në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Rama e cilësoi si një ‘realitet që konkurron edhe fantazinë e Kafkës dhe Kadaresë’.
Sa herë ka dështime është e pamundur që kryeministri të mos gjeje një fajtor, qofshin këta të brendshëm apo të jashtëm. Kur ishte në koalicion me LSI-në ai e gjeti fajin tek aleati i tij, duke u kërkuar shqiptarëve që t’ia jepnin atij ‘tepsinë dhe timonin’. Pasi dëshira për të dalë më vete iu plotësua, dhe sot gjendet mes dështimeve dhe skandaleve që gjatë kësaj qeverisje janë kthyer gati në normalitet, sërish fajtori nuk është ai.
Pasi opozita u konsumua së qeni ‘armiku’ dhe ‘shkaktarja’ e bllokimit të derës së Bashkimit Europian, retorika e Ramës gjatë kohëve të fundit ka filluar të ashpërsohet ndaj ndërkombëtarëve dhe institucioneve të BE-së.
Rama thotë se habitet nga realiteti i mbarëvajtjes së procesit që po ndjek Europa, por realiteti i procesit që ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë qeveria e tij për të bindur familjen europiane që të na e hapë derën, ia tejkalon çdo fantazie. Reforma në drejtësi që është e vetmja ganxhë ku mbahet sot qeveria, ka ngecur prej tre vitesh. Por kryeministri dhe ministrat e tij pas çdo takimi që bëjnë, qoftë edhe me rojen e derës së një institucioni në Europë, në deklaratat e tyre që s’i besojnë as vetë, do të jetë glorifikimi i reformës në drejtësi.
Ky është një realitet që kryeministri nuk e pranon, pasi ai jeton në fantazinë e tij dhe nuk e dallon realitetin që e rrethon. Në realitet ai nuk ka asnjë mik, asnjë aleat, asnjë dashamirës, asnjë që thotë të vërtetën dhe kritikon me objektivizëm. Këta jetojnë vetëm në fantazinë e tij, ndërsa realiteti gëlon nga kundërshtarët që mohojnë çdo arritje të qeverisë që drejton prej gjashtë vjetësh.