Flash News

KRYESORE

Jorida Tabaku: Ndarja e re territoriale dështoi, u rritën kostot me 60 milion dollarë

Jorida Tabaku:  Ndarja e re territoriale dështoi, u rritën kostot me

Partia Demokratike, krahas reformës zgjedhore do të përpiqet që ndarjen territoriale ta përfshijë në rendin e ditës të debatit politik. Reforma e miratuar vetëm më votat e mazhorancës, sipas deputetes demokrate Jorida Tabaku, ka dështuar ndërsa sot shërben vetëm për hartë zgjedhore në favor të Partisë Socialiste.

“Bashkitë u ndanë thjesht për llogari elektorale. Në qoftë se themi se reforma territoriale do të kursejë 60 mln dollarë, sot sipas Ministrisë së Financave, reforma territoriale i rriti kostot me 60 mln dollarë më shumë se para vitit 2014.”, tha Tabaku.

Reforma, thotë Tabaku ka dështuar dhe në dhënien e shërbimeve për qytetarët. Territoret sipas saj janë të pa menaxhueshme dhe ndarja nuk është shoqëruar me decentralizim.

Sipas Tabakut “Nuk ofrojnë asnjë lloj shërbimi, nuk kanë asnjë buxhet, por paguajnë paga dhe kanë një nivel qeverisje që është i kotë”.

Reforma është e cungët shton Tabaku, ndërsa sipas saj dështimi ka detyruar qeverinë të mendojë për krijimin e disa rajoneve në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

“Po shumëzojnë me zero Kushtetutën dhe po krijojnë këto mekanizma që në fund të ditës do të luajnë funksionin e qarkut, do të mbledhin funksionet e Arsimit, Bujqësisë, etj pa e ndryshuar Kushtetutën. Së pari, është antikushtetuese dhe së dyti, nuk ka për të funksionuar. Që kjo reformë territoriale të kishte disa rezultate të pritshme, duhej që ne të kishim ndjekur një rrugë tjetër dhe të mos shihnim interesin elektoral”.

Deputetja demokrate refuzon të flasë për numër bashkish, por thotë se reforma e re duhet kalojë nëpërmjet një studimi të hollësishëm dhe të mos ndiqen kritere politike.

Të fundit