“Ka një projekt për ndryshim kufijsh”/ Ra në kurthin e mashtrimit, Zaev falje Kosovës; Thaçi tregon bisedën

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev i ka kërkuar falje presidentit Hashim Thaçi dhe të gjithë Kosovës, pasi ra pre e një rrengu nga dy komedianë rusë në një bisedë telefonike.

Duke u prezantuar si ish-presidenti ukrainas Petro Poroshenko dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, Zaev tha ndër të tjera tha se ka një projekt për ndryshimin e kufijve të Kosovës, që mund të sillte një luftë në Ballkan.

Thaçi, duke folur për mediat tha se ka zhvilluar një telefonatë 20-minutëshe me Zaev, ku i kërkoi ndjesë, si dhe sqaroi se deklaratat e tij ishin bazuar vetëm në thashetheme.

“Unë mbrëmë kam zhvilluar një bisedë telefonike rreth 20 minuta me Zaev, kryeministri më ka thirrur mua si presidenti i Kosovës për t’u sqaruar në atë cka ai ka biseduar me njerëzit të cilët e kanë thirrur, më ka thënë shumë qartë se ka qenë një  rrethanë në të cilën ka rënë preh e mashtrimit dhe e gjitha çfarë ka folur për gjoja 10 komunat e Kosovës që gjoja do t’i jepen Serbisë i ka folur duke u bazuar  në thashetheme , në dezinformata dhe në të dhënat e gazetës ‘Sputnik’ dhe thashethemeve ruse.

Më ka kërkuar falje mua personalisht, por edhe Kosovës në të njëjtën kohë ka potencuar se ato çfarë ai ka folur me mashtruesit të cilët e kanë thirrur në telefon janë gjëra të cilat nuk qëndrojnë në raport me Kosovën dhe se në të njëjtën kohë ka potencuar qartë se nuk ka asnjë fakt, asnjë evidencë apo informacion zyrtar nga askush për atë që ka deklaruar, por të gjitha i ka të dëgjuara nga thashetheme lokale dhe ndërkombëtare dhe në të njëjtën kohë në veçanti të prezantuara dhe lajme të rrejshme të gazetës ruse ‘Sputnik’, tha Thaçi.

Tutje shtoi se raportet e Kosovës me Maqedoninë e Veriut kanë qenë dhe do të mbesin korrekte, të fqinjësisë së mirë dhe se Kosova do të vazhdojë të fuqizojë perspektivën euroatlantike.

“Unë kam zhvilluar fushatën mbështetëse për referendumin e  Maqedonisë për ndryshimin e emrit dhe bashkëpunimin presidencial por të gjitha institucionet do të mbeten në kuadër të bashkëpunimit të standardeve evropiane.Ta them të drejtën mashtruesit kanë pretenduar të depërtojnë edhe në zyrën time, por është fakt se prej institucioneve të Kosovë këtu ku punoj në presidencë ka pasur kujdes maksimal pasi nuk mund të falsë me dike paraprakisht pa qenë i informuar, pa njohur temat të cilat mund ti flas dhe pa u lidhur të dyja kabinetet me kë do të flasë.Ka qenë para 7-8 muaj kjo përpjekje për të biseduar, por kabineti ka bërë punë profesionale dh e kanë pamundësuar bisedën e këtyre dy mashtruesve me ne. Ndërsa presidentin Poroshenko kam takuar në disa takime dhe ishte me vullnet të mirë. Do të thotë kemi biseduar live, por jo në telefon”, përfundoi Thaçi.