“Ka njerëz që po përgatiten për luftë”, ç’po paralajmëron Gjuriç pas arrestimit në Mitrovicë

Reagon kreu i të ashtuquajturës Zyrë Serbe për Kosovën, Marko Gjuriç ndaj deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj se “Kosova nuk mund të zhbëhet për hatër të askujt dhe se nuk ka ndarje të Kosovës dhe as nuk do të ketë këmbim territoresh”.

Sipas Gjuriç, në një postim në Twitter, ka pushtetarë në Kosovë që nuk duan paqe dhe po përgatiten për luftë.

 “Nga deklaratat e Ramush Haradinajt është e qartë për të gjithë, se në Prishtinë janë në funksione njerëzit që nuk duan paqe, por që po përgatisin luftë. Ramush Haradinaj ka të drejtë që nuk mund të ketë ndarje dhe shkëmbim të territorit të Kosovës dhe Metohisë, sepse i gjithë territori i Kosovës është pjesë e Republikës së Serbisë”, shkruan Gjuriç, ndërsa nga ana tjetër Haradinaj ka porositur presidentin serb, Vuçiç, se “duhet ta kuptojë që durimi i Kosovës nuk duhet testuar pa kufi dhe se ne do ta mbrojmë të drejtën tonë”.