Flash News

OP-ED

Ka pisllëqe andej dhe këndej kufirit që gjaku i derdhur në Bularat nuk lan dot

Ka pisllëqe andej dhe këndej kufirit që gjaku i derdhur në

Gentian Gaba

Aksidenti i djeshëm në fshatin minoritar Bularat, theu limontinë e të dielës dhe po ashtu monotoninë e raportimeve mdediatike mbi ngjarjet politike në vend. 35-vjeçari Konstandinos Kacifa, shtetas i Shqipërisë dhe Greqisë, u vra nga policia, e cila njoftoi se kishte tentuar të arrestonte Kacifan, pasi ai më herët kishte qëlluar mbi një patrullë të saj.

Sipas raportimeve të policisë, Kacifa qëlloi fillimisht në ajër dhe më pas ndaj një makine policie që shkoi të kontrollonte pas të shtënave. Në këtë moment hyjnë në skenë forcat speciale RENEA; të cilat e ndoqën 35-vjeçarin deri në një mal pranë fshatit. Gjithmonë sipas raportimeve të policisë, i riu nuk iu bind urdhrave për t’u dorëzuar, por hapi zjarr ndaj njësisë së forcave special. Në këtë shkëmbim zjarri Kacifa ra përtokë bashkë me kallashnikovin e tij dhe ndërrojë jetë. Nga ky moment, ngjarja nisi të marrë trajtat e një krize në tentativ midis Shqipërisë dhe Greqisë, ku u përfshinë politikanë, meida, por edhe ekstremistët që lundrojnë në ujërat e përbashkëta të internetit.

Pa hyrë në hollësirat historike të konflikteve dhe përplasjeve kufitare, apo duke qëndruar larg histerisë emocionale dhe populiste që po bën të shkumojnë nacionalistët në Tiranë dhe Athinë; arsyeja do të sugjeronte një qasje gjakftohtë ndaj aksidentit të djeshëm. Pasi, nëse për familjen e të vrarit ngjarja përbën një tragjedi, përtej oborrit të asaj shtëpie në afërsi të Gjirokastrës, ajo rrezikon të kthehet në një farsë në shërbim të vozitësve të opinionit publik.

Për fat të mirë, baruti i “fuçisë ballkanike”, i lagur nga proceset integruese në të cilat jemi pjesë dhe krijojnë detyrime reciproke midis Shqipërisë dhe Greqisë, nuk merr dot flakë si në kohët kur u themelua urrejtja atavike që ndizet në kësi rastesh. Por, mund të përdoret nga politikanët e dy vendeve, të cilët, gjejnë tek nacionalizmi strehën e fundit për hallet e tyre të brendshme. Për shembull, nëse ngjarja e Bularatit nuk do të monopolizonte debatin publik, kryefjala në edicionet qendrore të lajmeve, faqet e para të gazetave dhe energjia negative e banorëve të rrjeteve sociale do të përqëndroheshin tek dorëheqja plotë enigmë e Ministrit të Brendshëm; te dy ish-deputetët socialist që janë ende në burg, ose tek Supermeni që Partia Socialiste ka në krye të Bashkisë të Durrësit dhe marrëdhëniet e tij të dokumentuara me botën e krimit. E nëse Tirana qan, sigurisht Athina nuk qesh.

Qeveria greke është në një moment të vështirë pas largimit të Ministrit të Punëve të Jashtme Kotzias; fondeve të tij sekrete, andrallat e marrëveshjeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë, presioneve të ekstremistit të djathtë Kamenos dhe skandaleve milionëshe të së kaluarës. Për këto arsye, një ngjarje si ajo e Bularatit, dhe fryrja e saj përtej dimensionit që realisht ka, nuk është gjë tjetër veçse një mënyrë për të spostuar vëmendjen tek “armiku i jashtëm”; dhe për të fituar kuota politike nëpërmjet nacionalizmit, i cili, në këto troje, është përherë një “evergreen”.

Megjithatë, përtej përpjekjeve për ta kthyer një marrëzi në një krizë, pisllëqet andej dhe këndej kufirit nuk lahen dot nga gjaku i derdhur në Bularat. Të paktën, jo përgjithmonë.

Të fundit