Flash News

KRYESORE

Kaçi i Kuq dhe Romana e Zezë

Kaçi i Kuq dhe Romana e Zezë

Alfred Lela

Mustafa Nano pat shpikur, para katër vjetësh, një term që i kaloi edhe kufijtë e publicistikës së tij, duke u bërë shpejt, dhe që atëherë pa 'da, pjesë e fjalorit politik.

'Aleanca e qelbësirave' ishte termi i Nanos, si përmbledhje e idesë se, kundër Berishës dhe sistemit të tij duheshin bërë bashkë të gjithë. Qofshin këta edhe të padenjë.

Dhe,  ndodhi bash kështu. A ishte ky një prej atyre rasteve që mund të konsiderohen si self fulfilling profecy, pra një profeci/dëshirë që përmbushet nëpërmjet vetes, duke e përsëritur apo menduar?

Asgjë kaq naive nuk qe. Në fakt, një projekt i mirëmenduar i Edi Ramës për të ardhur në pushtet. Për t'ia arritur kësaj ai bërë 'pakt me djallin' kur i thonë, duke futur në listat e kandidatëve për deputetë, në vende të sigurta, individë me të shkuar të dyshimtë. I kësaj prirjeje u tregua edhe në pushtetin lokal. Kavaja mbetet ende shkëlqimi i errët i këtij inkursioni politik të Ramës. 

Katër vjet më vonë, pas 'dëshirimit'  të Muçit për 'qelbësira', një natë maji me shi në qytet dhe Çadër në Bulevardin e tij, ndalohet Kastriot Myftaraj, banor përhershëm i Big Brother-it të Facebook-t, një epigon i 'lëtyratyrës konspirative', një zhanër i ndihmuar edhe nga shumëzimi dhe fuqizimi i medias sociale dhe internetit. Myftaraj është në krye të një zhgani, një turme laramane që, si hakmarrje për margjinalizimin e vetes, i hakërrehen shoqërisë dhe individëve.

Kreativitetin e zëvendësojnë me destruktivitetin, dhe jo me atë që konceptohet si 'kreativitet destruktiv' i artistit krijues, por me një shkatërrimtari malinje e cila mundohet të shpërthejë qelbin e mbledhur në shpinë të shpirtit, diku ku dora nuk mbërrin dot.

Gazetarinë e kanë zëvendësuar me shpiftarinë, me fyerjet dhe kërcënimet verbale. Myftaraj nuk është i vetmi dhe, në fakt, i ka dy epërsi mbi zhganin të cilit i prin. 

E para, ka një çarturi që mund të quhet guxim, aq sa për t'u shfaqur me emrin e vet, ndryshe nga shumë sysh që e fshehin guximin pas maskës. E dyta, është një njeri që një pjesë të vetmisë e mbush me lexime. Ndryshe nga çetnikët e zakonshëm të internetit, që vetminë e tyre e interpretojnë 'duke u bërë me të tjerët', tavolinë më tavolinë e kafene më kafene, sepse nuk do do e duronin dot veten vetëm për vetëm.

Blez Paskal, më duket, e ka thënë: Provo të mbyllësh një njeri vetëm në një dhomë...

Kastriot Myftaraj & Company nuk shqetësojnë si klan, as si mënyrë të jetuari të vetes publike: secili e zgjedh vetë se si do jetojë, personalisht dhe profesionalisht, deri kur ndeshet me kanunet e etikës dhe të ligjit. Shqetësim janë kur bëhen paramilitarë të Facebook-ut, medemek 'në emër të së djathtës'.

Apo, kur media që e stilizojnë veten si të së djathtës, i marrin në mbrojtje me përdëllimtari dhe patos. I ngjashëm ky me frenezinë që u pa në shtypin shqiptar të viteve '20, kur Avni Rustemi vrau në Paris Esat Pashë Toptanin.

Vërehej kjo ngasje tërbimi dje në rrjetet sociale: një pozicionim, apo një zemërim i atyre që mbështesin opozitën, apo që e kanë një inat me Ramën, qeverisjen e tij dhe të gjitha instrumentet mbështetëse të saj.

Ky inat me Vlahutinin i hidhte ata automatikisht në 'krahët' e Myftarajt. Zhurma në rrjet krijonte iluzionin e heroizmit të Myftarajt. Një iluzion, megjithatë; një prej të shumtëve që krijon interneti dhe media sociale.

Por, iluzioni filloi të krijonte asht dhe fizionomi kur në skenë u dha silueta e Ismail Kadaresë. Shkrimtari, që nga Parisi, bënte një gjest mbështetës ndaj ambasadores së BE, një kroateje dhe një gruaje. Kadare ngrihej mbi vullkanin politik, në përpjekjen për ta ftohur atë magmë, e cila kur kohët të kalojnë bëhet ndërgjegjia dhe historia e popullit.

Ai nuk donte që, një zhgan burrash nga Shqipëria, nuk ka rëndësi nëse prihen nga Haxhi Qamili a Kastriot Myftaraj, t'i lëshohen një gruaje me kama, dinamit apo sytë e përndezur të tërbimit. Ndoshta, imagjinata e shkrimtarit ka parë edhe një skenë: Myftaraj e Vlahutin, të dy kokëkuq, njëri pas e tjetra para, duke rendur përmes Ultësirës Perëndimore. Ajo e tmerruar dhe ai shkumëzues, e ndalin turravrapin, krejt si në tragjeditë antike, diku lart në Dalmaci aty ku dikur mbështeste kokën ajo që njihej si botë ilirike. Në fund, gruaja dorëzohet, shtrin kokën në shkallët e një tempulli dhe burri... Gjaku i saj humbet në floknajën dhe në kuqëlimin e muzgut adriatik).

Kadare del prej kësaj skene të imagjinatës dhe futet në thepin e pushkës së një prite shqiptare, ku ai në fakt e pat futur veten para 6 vitesh, kur, po një ditë maji, i shkruante Lulzim Bashës duke i kërkuar gjestin kalorsiak të tërheqjes nga gara e Tiranës për t'ia lënë rrugën Edi Ramës. (Sigurisht, ata që janë mërzitur atëherë mund të presin prej Kadaresë një tjetër letër: kësaj radhe me tjetër adresë, ku gjeniu i shqipes i shkruan Edi Ramës me kërkesën e tërheqjes nga vrasja e pluralizmit.) Për një pjesë djathtistësh, letra për Vlahutin ishte hera e dytë 'e animit' të shkrimtarit.

Unë besoj se, të dyja herët, shkrimtari është futur në skenë, jo si pjesë e kalkulimeve politike, por për të ftohur atë llavën që përmenda më lart dhe, që bëhet magmë e një populli, në formën e historisë dhe të ndërgjegjes. Si njeri i letërsisë, ka operuar me 'idealin e së ardhmes', ndërkohë që politika është mekanizim i mjeteve të së sotmes.

Dijenia se Ismail Kadare ka simpati për shefin e opozitës, Lulzim Bashën, stimë të ndërtuar sa nga kontaktet personale të shkrimtarit me politikanin, aq dhe nga bisedat me  personalitete të huaja, çmuese të Bashës si ministër i Jashtëm, më mjafton për të arritur në përfundimin se nuk ka hile kadareane ndaj së djathtës. Madje as qëndrim ndaj dikujt që shkrimtari e quan 'jo normal'. Asgjë tjetër veç përpjekjes së ofrimit të një ene në të cilën llava të dalë nga forma e turpit dhe të marrë atë të nderit.

Ditur këto, nuk i shkon askujt që të vendosë emblemën e Kastriot Myftarajt në shqytin e së djathës, dhe Ismalil Kadarenë kundërshenjë të saj. Për nxemjen dhe tërbimin e brendshëm të lojës, apo inatin politik të ditës, mund të na shërbejë kjo, por për magmën e historisë dhe ndërgjegjes, jo.

Për të mos thënë se një qëndrim i tillë shpjegon një sëmundje mendore, që bëhet edhe damkë e jashtme turpi.

Partia Demokratike është treguar elegante duke mos reaguar për ndalimin e Myftarajt, dhe duke e lënë vrerin të rrjedhë margjinave. Edhe pse Mytaraj u ndalua pas një kërcënimi për ambasadoren e BE në Shqipëri, dhe duket sikur kërcënimi i tij është ngritur mbi një sentiment të të djathtëve në raport me qëndrimet ambasadores së BE.

Fakt është se Vlahutin ka rezultuar shurdhmemece në raport me disa probleme-gangrenë në Shqipëri, si kriminalizimi i politikës, kanabizimi, korrupsioni etj. Por, ka kaq shumë mënyra reagimi ndaj kësaj. Si për shembull: Protesta të përditëshme para zyrës së BE në Tiranë; një investigim mbi shkeljet e saj si ambasadore; një notë proteste e aktivistëve të shoqërisë civile, intelektualëve, gazetarëve etj, në adresë të kancelarive europiane, apo të gazetave kryesore të Europës.  

Kërcënimet dhe etiketimet e 'moralit të lartë', shprehin asgjë veç zemërimit.

E djathta zyrtare duhet të krijojë një rrip higjiene me personazhet e 'malavitës së Facebook-ut'. Ata janë kosto dhe jo përfitim: Mos të krijohet iluzioni se kanë popullaritet. Publiku i ndjek me instinktin e argëtimit; siç dikur i shkohej nga pas grupit të ciganëve kur shfaqej qyteteve me xhingla, ngjyra e falle.

Pra, për argalisjen dhe jo besimin.

Duke mos harruar se nuk duhet krijuar fizionomia e një Aleance të Qelbësirave të së Djathtës. Ç'rëndësi ka ku e përdor koburen, në muret e Facebook-ut apo rrugët e qytetit.

Të fundit