Flash News

OP-ED

'Kadrinjtë’ e Bashës

'Kadrinjtë’ e Bashës

Marsel Lela

Kryedemokrati Lulzim Basha ka nisur një luftë kundër mediave që ai i cilëson si armike të opozitës, ose pranë ‘kryearmikut’ të tij, Edi Rama. Ai i përmend me emra të gjithë gazetarët dhe mediat që zyrtarët e PD-së duhet të shmangin, duke i klasifikuar si të shitura te Kryeministri. Disa të tjera, apo ndonjë tjetër, ai i lë të nënkuptohen, por i fut në të njëjtin ‘thes’.

Kjo manovër e Bashës nuk është aspak origjinale, pasi kujtojmë që një urdhër të tillë e pati dhënë edhe Edi Rama disa muaj më parë. Njësoj si Basha sot, ai porosiste socialistët të mos kishin asnjë komunikim me mediat që ishin treguar kritike, apo nuk i vinin për fije.

Vetë Rama e pat kopjuar këtë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili po ashtu nisi një luftë ndaj medias pas ardhjes në pushtet, duke i akuzuar për ‘fake neës’, term të cilin kryeministri e shqipëroi në ‘shpifje, shpifje, shpifje’. Ndërsa për mediat dhe gazetarët ai shpiku termat e tij me prejardhje turke ‘kazan’ dhe ‘kadrinj’.

Po ku gabon Lulzim Basha duke ndjekur këtë teknikë që e bën të hedhë hapa të gabuar si politikan dhe si lider i së djathtës?

Së pari, ajo i jep kryedemokratit trajtat e Ramës, të cilin ai e etiketon prej kohësh si diktator dhe censurues i fjalës së lirë. Me këtë ai kthehet në një imitator të atij prej të cilit kërkon të shpëtojë vendin. Basha duhet t’i ofrojë vendit një filozofi të re të të bërit politikë, ‘duhet të jetë tërheqës’, siç thotë Agron Gjekamarkaj, e jo përsëritës i metodave dalëboje.

Së dyti, duket se problemi i Bashës është kritika, duke iu referuar këtu mediave që ai i nënkupton si armike, pa ua përmendur emrat, njëra prej të cilave është Politiko.al. Kjo media ka qenë opozitare që në themelimin e saj, duke mbajtur një qëndrim kritik ndaj qeverisë Rama. Në të njëjtën kohë, në linjën e saj editoriale është treguar kritike në disa raste edhe ndaj kreut të opozitës, Lulzim Basha, në lidhje me mënyrën  e tij të të bërit opozitë.

Nëse lideri i së djathtës ka një qëndrim të tillë ndaj kritikave sot kur është në opozitë, si pritet të jetë qëllimi i tij nesër kur të jetë në pushtet? Apo do të rishohim sërish të njëjtën metamorfozë të atij që puth aty ku pështyn?

Edhe në këtë rast Basha nuk i shpëton ngjashmërisë me Ramën. Në fillim kryeministri shmangte çdo përballje me analistë apo gazetarë që kishin qëndrime kritike ndaj tij, si edhe me politikanë të kampit kundërshtar. Më pas kjo ndryshoi dhe arma e Ramës ndaj kritikave ishte qesëndisja monotone me ‘kazan e kadrinj’.

Duke i bërë block kritikave, Basha rrezikon të bjerë në të njëjtën monotoni që do ia kthejë në një monopat të vështirë rrugën drejt pushtetit. Nëse ai kërkon ta sjellë të djathtën në pushtet, etiketimi i kritikave si sulme dhe kritikëve si kundërshtarë është ‘mish i huaj’ për filozofinë e së djathtës. Me këtë ai do të krijonte ‘kadrinj’ dhe ‘kazanë’ të rinj për të gatuar çorbën e vjetër.

Së fundi, kritikat ndaj Lulzim Bashës nuk janë kritika ndaj të djathtës. Kreu i kësaj force politike duhet të distancohet nga parullat ‘partia është kryetari, kryetari është partia’, apo ‘kush hyn në zyrën e kryetarit me ide del me idetë e kryetarit’. Nëse një gazetar apo media kritikon liderin e aksh partie për mënyrën se si ai po e drejton atë parti, kjo nuk do të thotë medoemos se gazetari apo media janë kundër atij apo partisë.

Identifikimi i liderit me partinë dhe anasjelltas është diçka e njohur tashmë në Shqipëri që prej 80 vjetësh. Kjo është një nga akuzat që opozita hedh sot ndaj Edi Ramës; që ai e ka marrë ‘peng’ PS-në dhe i ka transformuar eksponentët e saj në shëmbëlltyra të vetvetes. Nëse Basha do të vazhdojë t’ia veshë kritikat ndaj tij Partisë Demokratike, thjesht do të ngushtonte hendekun që e ndan atë nga retorika anti-Rama dhe paraardhësit e tij.

Të fundit