Kallëzimi ndaj Dvoranit, Meta: Dhashë sqarime plotësuese, Prokuroria shpresoj të mos jetë nën presione politike

Presidenti Ilir Meta ka folur për mediat, pasi doli nga Prokuroria e Tiranës, ku qëndroi për rreth një orë pasi u thirr lidhur me kallëzimin ndaj kreut të KED, Ardian Dvorani.

I pyetur nga media nëse ka dorëzuar prova që nuk janë të njohura për publikun dhe videon ‘përvëluese’ të paralajmëruar javë më parë, Meta tha se ka dhënë shpjegime plotësuese dhe apelon organin e akuzës që të vijojë procesin pa presione politike.

“Jam këtu në përgjigje të ftesës nga Prokuroria pas kallëzimit penal që kam bërë për Ardian Dvoranin, për dy vepra të qarta penale me dashje prej tij. Kemi dhënë sqarime të mëtejshme dhe plotësuese në vijim të provave që dorëzuam bashkë me kallëzimin tonë penal. Rasti është tmerrësisht flagrant. Shpresoj që prokuroria të mos jetë nën presione politike dhe të bëjë punën e saj me profesionalizëm dhe durim. Kjo është provë e madhe për të ardhmen e reformës në drejtësi. Kushtetuta e thotë qartë neni 4, pika2 se Kushtetuta është ligji më i lartë. Presidenti ka zbatuar dispozitat kushtetuese dhe parashikimet e qarta kushtetuese”, tha presidenti, duke shtuar se “Provat janë të mjaftueshme që prokurojua të veprojë ndaj Dvoranit, ne nuk bëjmë presione edhe pse çështja është mjaft e rëndë se ka vënë në pikwpyetje funksionimin e shtetit së drejtës në vend. Kësaj çështje nuk mund t’i shmanget askush. Jemi të qetë dhe do bashkëpunojmë me prokurorinë pasi është rast tepër flagrant. Vendi ndodhet në situatë të jashtëzakonshme nga tërmeti i 26 nëntorit. Sapo të kthehem në zyrë do autorizoj Blushin për publikimin spotin e parë për çështjen në fjalim dhe më pas do kemi spote të tjera për integritetin e Gjykatës Kushtetuese”.