Kaloi vettingun, Meta dekreton Besnik Muçin, anëtarin e parë në Gjykatën Kushtetuese

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar anëtarin e parë, gjyqtarin Besnik Muçi në Gjykatën Kushtetuese.

Pasi kaloi procesin e vettingut në gusht të vitit të shkuar, Muçi u emërua me dekret nga presidenti për shkak të vakancës, e cila ishte krijuar për shkak të përfundimit të mandatit të ish-gjyqtarit Sokol Berberi.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ka kryer verifikimin, vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për vendin vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të shpallur nga Presidenti i Republikës, për të cilin garuan 4 kandidatë, mes të cilëve u zgjodh Muçi.

AI ka një eksperiencë pune prej më shumë se 20 vitesh si Prokuror, Avokat dhe Lektor i së Drejtës.

Ka një veprimtari profesionale si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, Drejtor i Drejtorisë kundër Krimit Financiar, në Departamentin e Hetimit të Krimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ekspert i programit për trajnimin vazhdues të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shkollën e Magjistraturës, Petagog i Jashtëm i lëndës “E Drejta Penale”, në një nga Universitetet e vendit.