Kaloi vettingun, ONM kërkon shkarkimin e drejtueses së Prokurorisë Durrës, kandidate për SPAK

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), ka kërkuar shkarkimin nga detyra të drejtueses së Prokurorisë së Durrësit, njëkohësisht kandidate për SPAK, Anita Jella.

Anita Jella u konfirmua në detyrë në 2019 nga KPK.

Ndërkohë sot, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për të tria kriteret e rivlerësimit.

Në datën 10.12.2019, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Anita Jella, prokurore/Drejtuese e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës.

Vendimi nr. 221, datë 10.12.2019, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë të znj. Anita Jella, iu njoftua Komisionerëve Publikë, më datë 10.2.2020.

Dje, më datë 11.2.2020, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për të tria kriteret e rivlerësimit.

Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar në të njëjtën kohë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin për shtyp.