Kampet e refugjatëve rikthehen në agjendë; Opsioni i Shqipërisë sërish në tryezë

Kriza e refugjatëve në Evropë është qetësuar disi, por ajo nuk ka përfunduar. Në Vjenë të Austrisë u organizua takimi i radhës i ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, ku pjesëmarrës ishin edhe homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor.

Ministri austriak Herbert Kickl deklaroi se ka pasur edhe bisedime diskrete me përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor për krijimin e qendrave të pranimit të refugjatëve të kthyer nga vendet e BE-së.

Në konferencën e përbashkët me homologun Fatmir Xhafaj, Kickl nuk donte ta konfirmonte nëse Shqipëria ishte sërish në fokus si opsion për të ngritur këtu kampet e refugjatëve, raporton Deutsche Welle.

“Ne nuk duam debate në opinionin publik, përpara se të jenë pjekur kushtet”, deklaroi i rezervuar dhe pa të dhëna konkrete ministri austriak.

Edhe homologu i tij shqiptar Xhafaj ishte i kursyer në informacion.

“Shqipëria aktualisht është e konfrontuar me një numër gjithnjë e më të lartë migrantësh dhe ne me kënaqësi e pranojmë mbështetjen e BE-së, në mënyrë që Shqipëria të mund ta menaxhoj më mirë situatën”, u shpreh Xhafaj në Vjenë.

Me “qendra të pranimit të të kthyerve” jashtë BE-së synohet, që të arratisurit, të cilët kanë një përgjigje përfundimtare për azilin e refuzuar në BE, të kthehen në një vend të tretë përpara se të dërgohen në vendin e origjinës. Shtetet që janë të gatshme për këto “qendra të pranimit të të kthyerve” mund të marrin ndihma si edhe mbështetje nga punonjësit e truprojës kufitare të BE-së.