Flash News

OP-ED

Kanabisi mjekësor, 'kura' për pasojat e COVID-19

Kanabisi mjekësor, 'kura' për pasojat e COVID-19

nga Igli Tola

Recesioni i ekonomisë shqiptare do të jetë më i thellë nga sa pritej. Raporti i fundit i BERZH-it (Regional Economic Prospects, COVID-19. From shock to recovery) bën një parashikim për rënie ekonomike prej 9% për vitin 2020. Një prognozë që shkon përtej skenarit më negativ të Bankës Botërore për rënie deri në 6.9%, apo të FMN-së me 5%. Përfundim ky i mbështetur te fakti që ekonomia jonë varet ndjeshëm te turizmi, një industri që është 'gjunjëzuar' këtë vit. Po ashtu, fasoneria që siguron punësimin masiv, sidomos në zonat rurale, është tejet e varur prej eksporteve të mallrave drejt industrisë së modës në Itali apo vende të tjera të BE-së, së bashku me një rënie të pritshme të remitancave për shkak të krizës.

E përballë një situate ku brenda pak javësh humbasim afro 1/10 e PBB-së, akoma pa e marrë mirë veten nga tërmeti i Nëntorit (ri)shfaqet në opinionin publik teza e legalizimit të kanabisit mjekësor.

Kanabisi, podukti më i famshëm dhe më i eksportuar (vetëm se ilegalisht) shqiptar,  shihet si mënyrë për t’i dhënë 'serum' ekonomisë post- COVID-19, si  “as nën mëngë”. Ekonomia e tij  në 2019 realizoi rreth 20 miliard dollarë të ardhura, që u shpërndanë në rreth 40 shtete që e kanë legalizuar këtë industri, ndër të cilat edhe fqinji yne lindor, Maqedonia e Veriut.  Me një sipërfaqe prej rreth 140 mijë metër katrorë të mbjellura, me mbi 27 kompani që operojnë aktualisht pasi liçensimit nga  autoritetet e RMV-së, pretet që buxhetit të shtetit t’i shkojnë te 100 milion euro.

Që këtu, evidentohet se legalizimi nuk ka si të jetë 'shpëtimtar' i ekonomisë dhe financave publike, që janë në prag kolapsi. Maksimumi do të kemi një sektor të ri ekonomik, që në skenarin më rozë (optimist) do të sjelli të ardhura shtesë prej 100-150 milion euro. Një risk shumë i madh i ndërmarrë, që nuk justifikon kthimin e pritur (parimi bazë financiar 'lidhja risk-kthim').

Këto risqe, i gjejmë të përmbledhura në raportin e "Market Watch", ku shpalosen disa tipare të kësaj “industrie” në disa shtete të SHBA-ve që e kanë legalizuar prodhimin. Citojmë, se kanabisi mjekësor rezulton se nuk ka sjellë përfitimet e pritshme; për vitin 2019, pasi kompanitë e angazhuara në këtë industri me shumë vështirësi kanë mbuluar kostot fikse (kërkohen investime shumë të larta kapitale për të hyrë në treg e për të garantuar qëndrueshmëri prodhimi). E si rezultat i performancës së dobët financiare, vlera në tregjet bursiere ku janë kuotuar aksionet e këtyre kompanive (që janë publike) kanë vlerë shumë të ulët. Ndërkohë, 'plaga'  sociale nuk merr zgjidhje nga kjo masë, madje thellohet akoma më shumë, duke qenë se praktika ka dëshmuar se kjo masë nuk ka sjellë formalizimin e tregut, dhe rrjedhimisht vjeljen e taksave (përfitimi shoqëror). Tregu 'i zi' mbetet sërisht aty, po aq i fuqishëm.

Pikëpyetjet, mbi këtë nisëm që shkrepi beftë si 'rrufe' në qiell të hapur  janë të shumta edhe për ndikim në sektorin bujqësor, që është ndër kontributorët më të mëdhenj të PBB-së tonë. Çfarë do të ndodhë me bujqësinë? A do lihet ajo në mëshirë të fatit, pasi “industria e re” do të marri fokusin në mbështjetjen me subvencione apo grante? Rrezik është edhe dekurajimi i fermerëve për t’u marrë me kultivimin e kulturave tipike, duke ndryshuar strukturën e prodhimit dhe sjellë mungesa të produkteve bazë në tryezat tona, rritjen galopante të çmimeve të shportës bazë, por edhe te produkteve të tjera bujqësore (si pasojë e mungesës së prodhimit-ofertës).

Sfidë më vete, është pa-mundësia jonë për të ngritur një sektor përpunimi për kanabisin e prodhuar. Shitja vetëm si lëndë e parë, sjell të ardhura minimale, pasi e gjithë çështja është te përpunimi, marketimi dhe tregtimi si bar mjekësor. Premisat janë që edhe kjo si industri të përfundojë si ajo nxjerrëse, që e shet kromin, hekur-nikelin, bakrin, naftën etj si material bruto (xeheror), me një çmim as sa 20-30% e çmimit final. Pra, marrim përsipër një kosot të madhe, për t’u cilësuar 'vend kanabis', që mund të sjelli stepjen e shumë investitorëve të tjerë potencialë për të aplikuar te ne projektet e tyre strategjiek e me impakt, në këmbim të pak milionave që sjell kjo ekonomi.

Andaj, autoritetet tona duhet t’i bëjnë mirë llogaritë para se të hidhen në 'aventura' ekonomike të tilla. Pasojat në PBB, papunësi, inflacion etj të krizës nuk ka kurrsesi si të zgjidhen nga kanabisi. "Rruga e shkurtër, të nxjerr gjatë"- thotë populli. Stimujt artificialë nuk kanë efekt afatgjatë, ndaj sytë duhet të hidhen drejt strukturave ekonomike të ngritura e funksionale, për t’i ndihmuar ato të ringrihen sa më shpejt, po ashtu projketi 1 miliard euro i rindërtimit të marri 'dritën jeshile' sa më shpejt.

Legalizimi, po rezultoi jo aq efikas në makro sa pretendohej, do të lipset të shoqërohet më pas me depenalizim e këtij aktiviteti. Legjitimim i plotë ose i pjesshëm i një aktiviteti ilegal, përveç pasojave sociale do të jetë 'minë me sahat' për ekonominë tonë 'të brishtë'. Miliardat e grupeve kriminale, do të 'pastrohen' haptazi në 'lavatriçen' masive, ekonominë shqiptare. Skenar që bëhet dyfish më i rrezikshëm, kur sjellim ndër mend planin për një amnisiti të gjerë, të lançuar po së fundmi nga qeveria.

Si përfundim, mund të themi me siguri se kanabisi mund të sjellë për ekonominë tonë të njëjtin efekt që u jep përdoruesve të tij rekreativ. Efekte psikoaktive, haluçinacione, ndryshime subjektiv në perceptimin neurologjik dhe humor (lumturi false të përkohshme), për sa kohë jemi nën efektin e tij, por sa përfundon 'magjia' dhe zgjohemi nga 'ëndrra' konstatojmë se gjendja jonë është përkeqësuar dukshëm. E atëherë do të kemi veç dy rrugë: të drejtohemi drejt rehabilitimit e detoksikimit për të rifituar normalitetin e dikurshëm, ose të pranojmë fatalitetin duke mbetur nën 'pushtetin' e kanabisit.

 

 

Të fundit