Kandidatët për Gjykatën Kushtetuese, ISP: Presidenti e Parlamenti do të zgjedhin me një formulë të komplikuar

Ndërsa kandidatët për në Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë kanë nisur të intervistohen nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Instituti i Studimeve Politike ka bërë një shpjegim të procesit dhe formulës së përzgjedhjes së emrave të deritanishëm.

Sipas ISP, Presidenti e parlamenti do të duhet të zgjedhin në një listë kandidatësh midis minimalisht 3 emrave për vend vakant, përmes një formule të komplikuar dhe që me siguri, do ta bëjnë edhe më të komplikuar vetë dy organet e emërtesës.

“Të gjithë presin Gjykatën Kushtetuese: do të kthejë normalitetin në funksionimin e shtetit, do të fillojë jetësimi i reformës në drejtësi në nivele drejtuese, do të marrë vendim për Presidentin dhe zgjedhjet, do të zgjidhë mosmarrëveshjet midis institucioneve dhe do të jetë mekanizmi garant për një demokraci e qeverisje më legjitime dhe më funksionale.

Aktualiteti? Prej më shumë se 40 kandidatësh vetëm 6 emra ia kanë dalë të mbeten zyrtarisht në garë, prej të cilëve një ende nuk ka kaluar vetingun dhe një është ankimuar në KPA dhe pret shtatorin për vendimin final. Presidenti e parlamenti do të duhet të zgjedhin në një listë kandidatësh midis minimalisht 3 emrave për vend vakant, përmes një formule shumë të komplikuar dhe që me siguri, do ta bëjnë edhe më të komplikuar vetë dy organet e emërtesës.

Pritshmëria? Mbetet minimale por rrugëzgjidhja e vetme, me shpresën të kemi 5 anëtarë (4 të zgjedhur nga lista + zonja Tusha që vijon të jetë në detyrë edhe në përfundim të mandatit të saj kushtetues), në mënyrë që të ketë vendimmarrje proceduriale dhe emergjente në Gjykatën Kushtetuese! Disa prej vendeve vakantë do të rishpallen, vetingu kërkon kohën e vet, 3 anëtarë të tjerë duhet të vijnë nga Gjykata e Lartë, e cila vetë kërkon më shumë se 4-6 muaj kohë e investim që të mund të shpresohet të jetë funksionale”, shkruan ISP, shoqëruar edhe me një tabelë sqaruese.