Flash News

OP-ED

Kantautori i parë shqiptar (nuk) është Françesk Radi?!

Kantautori i parë shqiptar (nuk) është Françesk Radi?!

Lazjon Petri

Po e them që në krye të herës se, zor të ketë ndonjë mbledhje muzikore me miqtë e mi që të mos këndojmë ndonjë këngë të Françesk Radit, së paku "Zemrën e lodhur" dhe "Biçikletën". Këtë e kemi bërë në të gjallë të Tij, ditën kur mësuam për ndarjen e Tij nga jeta (para një viti) dhe sot, që kujtimet e vyera po mishërohen në përmendore. Vë re dhe ndjej se këngët e Tij na sjellin një gëzim të papërshkruar gjatë këndimitedhe pasi kënga ka mbaruar: ...seç të pushton një mbështjellje e bukur që është e lexueshme në sytë e atij që mërmërit copëza tekstesh, e asaj që ja merr e kërcen, e atij që këndon e luan në kitarë, e atij që i bën zë të dytë dhe e kujtdo që e shoqëron në mënyrën e vet- nga nanurisjet e përgjumura në prani të shoqërisë, dhe deri tek e kundruara në heshtje, e mbështetura në ndonjë qoshe, thjesht e vetëm duke u zhytur në shpirtin e këtyre këngëve... Këto krijime- si edhe një sërë veprash të tjera- janë jo vetëm vula e thatë e Françeskut, por edhe një pasuri për shoqërinë mbarë.

Faleminderit për këto dhurata, i dashur Françesk! E si i thoshin qëmoti, "të qoftë i lehtë dheu!".

Para tri ditësh, Bashkia e Tiranës, përuroi te kodrat e Liqenit një skulpturë monumentale në kujtim të të ndjerit Françesk Radi.Virtyti lulëzon në shumë sjellje të njeriut. Kjo lule vihet re dhe bie erë më mirë te mirënjohja. Mirënjohja institucionale, në këtë rast, është për t’u vlerësuar sepse është veprim i njerëzishëm. S’po i futem fare çështjes se pse disa artistë, pas vdekjes, përkujtohen institucionalisht nga bashkitë, ndërsa disa të tjerë, jo. Kush jam unë të tregoj se si bëhen dhe si është e udhës të bëhen kësi këshillimesh e vendimesh, xhanëm. Veçse, e kam të pamundur të rri pa folur, kur mendoj se ka vend për përmirësim, sepse çështja e të shkruarit shqip e faqe-botës, mu në zemër të një Parku Kombëtar si ai i Parkut të Madh të Tiranës (liqenit artificial), ku çdo shqiptar/e është aksioner/e, meriton vëmendje dhe respekt për të Vërtetën.

Poshtë emrit të skalitur në gur, është vendosur edhe një pllakë e zezë, ku ndër të tjera shkruhet "kantautori i parë shqiptar". Siç janë veprat e Françeskut pasuri e jona e përbashkët, ashtu është tash-e-tutje edhe vepra artistike e skulptorit Ardian Pepa, autorit të përmendores së Frankos- të njohur kështu nga rrethi i ngushtë. Kësisoj, nuk na lejohen gabime të tilla që ta shoqërojmë këtë vepër monumentale dhe artistike me tog-fjalëshin 'kantautori i parë shqiptar'. Përmbajtja e tog-fjalëshit lipset të ndreqet një orë e më parë, sepse është e pavërtetë. Me kësi të pavërtetash mirënjohjes i bie vlera, sepse të duash të bësh mirë e të jesh i njerëzishëm duke gënjyer nuk shkon. Është si ta veshësh virtytin e mirënjohjes me vello djallëzore. Mund t’i rrijë hijshëm mbishkrimi kuptimplotë 'kantautor'. Kaq.

Kur themi shqiptar- pastaj-, e kemi me shqiptarët dhe shqiptaret e Republikës së Shqipërisë, të trojeve shqiptare rreth e përqark kësaj Republike apo edhe ata/ato të Diasporës? Nuk e kam dijen e mjaftueshme të sjell të dhëna të sakta prej së largu për historikun e kantautorëve shqiptarë anë-e-kënd Tokës. Di të them përshembull, që në zonën e Korçës, janë me dhjetëra kantautorë në gjysmën e parë të shekullit XX. Këta kantautorë korçarë, shqiptarë (apo korçarë dhe njëkohësisht qytetarë të Botës), kanë pasur mirësinë të tejçonin dritën e krijimit nëpërmjet këngësh, që edhe sot këndohen e shijohen nga njerëzit.

Mirënjohja, që të jetë e plotë dhe rrezatuese kërkon edhe disa shoqe të tjera të pandashme. Një syresh është Maturia, siç është edhe njohja e historisë dhe së Vërtetës...

Më falni për kohën që ju mora, dhe kërkoj ndjesë nëse kam fyer kërkënd nga familja apo shoqëria e zotit Radi.

E dua artin. E dua muzikën. E dua veprën e Françeskut.

Por, më shumë dua të Vërtetën!

 

Të fundit