Flash News

KRYESORE

Kaos në Mitrovicë, arrestohet Marko Gjuriç

Shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, është arrestuar pasditen e sotme në veri të Mitrovicës. Gjuriç kishte kërkuar leje nga autoritetet kosovare për të zhvilluar takim me serbët në veri të vendit, në kuadër të dialogut të brendshëm për çështjen e Kosovës, por Prishtina i kishte refuzuar hyrjen për shkak të deklaratave që zyrtari serb kishte bërë në të kaluarën.

Pavarësisht vendimit të Prishtinës, Gjuriç ka hyrë në Mitrovicë dhe ka deklaruar se “veriu i Kosovës” nuk do të jenë kurrë pjesë e Kosovës së vetëshpallur të pavarur apo “Shqipërisë së Madhe”.

Pas raportimit në media, Policia është nisur drejt godinës së Gjykatës së Mitrovicës, ku po zhvillohej takimi dhe ka arrestuar Gjuriçin.

Sipas mediave lokale, policia kosovare ka përdorur gazin lotsjellës dhe shkopinjtë e gomës për të shpërndarë qytetarët që ishin vendosur në hyrje të Gjykatës, për të penguar arrestimin e Gjuriç. Në vendngjarje raportohet të jenë dëgjuar të shtëna dhe thyerje xhamash.

Marko Gjuriç po dërgohet në Prishtinë, ku pritet të vijojë procedimi.

Të fundit