Flash News

KRYESORE

Kapen sërish refugjatë në jug të vendit. Pse po ngurron Qeveria të vendosë kontrolle në kufi?

11 klandestinë sirianë janë kapur këtë martë në zonën e Bilishtit pasi kishin kaluar kufirin me Greqinë. Ata kanë kërkuar menjëherë azil politik dhe për këtë arsye janë sjellë në Tiranë ku do të strehohen në qendrën e ngritur për këtë situatë.

Në një kohë kur vendi po përballet me një shtim të jashtëzakonshëm të numrit të refugjatëve që kalojnë kufirin me Greqinë, Qeveria e drejtuar nga Edi Rama po ecën me hapa të vegjël për përballimin e situatës.

Ndonëse janë shtuar patrullimet në kufirin jugor, Policia nuk ka njoftuar për ndonjë plan masash për t’u përballur me fluksin në rritje. Gjithashtu, kryeministri Rama ka mohuar se Shqipëria do të ndërtojë gardh me tela në kufirin me Greqinë, duke theksuar se nuk beson te kufijtë por te bashkëpunimi.

Pavarësisht hezitimit të Ramës, Shqipëria është aktualisht e rrethuar nga shtete që kanë mbyllur kufijtë e tyre.

Maqedonia ka ndërtuar që në vitin 2015-të një gardh me tela në kufirin me Greqinë, ndërsa Mali i Zi po planifikon të ngrejë një të ngjashëm këtë vit, në kufirin me Shqipërinë.

Italia dha dje mesazhin se nuk do të kthehet në kampin gjigant për refugjatët, duke refuzuar hyrjen në port të një anije të mbushur me njerëz që vinin nga Afrika.

Kroacia, Sllovenia, Hungaria, Austria dhe Sllovakia prej vitesh kanë ngritur mure në kufijtë e tyre për të ndaluar kalimin e refugjatëve. Gjermania, Danimarka, Suedia dhe Bullgaria kanë rikthyer kontrollet në kufi, për të shmangur flukset migratore.

Pra, pothuajse të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian kanë forcuar kufijtë për t’u përballur me krizën e refugjatëve, ndërsa Tirana nuk e ka ndërmarr një vendim të tillë. Përkundrazi, zyrtarët shqiptarë janë duke bërë deklarata, të cilat ngrenë dyshime se vendi ynë mund të shndërrohet në kampin gjigant të refugjatëve.

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati deklaroi dje se nuk ka mbërritur asnjë kërkesë zyrtare për ndërtimin e këtij kampi, por theksoi se Shqipëria është gatshme të marrë përsipër përgjegjësitë nëse i vjen ndihmë financiare nga Brukseli.

Të fundit