Kapja e 5 ton kanabis në Kalabri, zbardhet e shkuara kriminale e tre shqiptarëve të arrestuar, pjesë e rrjetit Shqipëri-Itali

cantalupo arrestato dalla guardia di finanza cologno - per redazione sesto - foto Altobelli / Spf

Dy prej 10 shqiptarëve të arrestuar në operacionin e policisë italiane, ku u sekuestruan rreth 5 ton marijuanë, rezultojnë se kanë qenë të arrestuar edhe më parë nga policia italiane.

Ndër të arrestuarit janë shtetasit shqiptarë, përkatësisht: Indrit Buja 37 vjeç, Elvis Hajdini 25 vjeç, Shefik Muho  63 vjeç, Gentian Sulejmani 41 vjç, nga Durrësi, Luan Tahiraj 39 vjeç, nga Vlora, Alban Sinani 35 vjeç, Vladimir Leskaj 59 vjeç, nga Vlora, Vilson Nelaj 32 vjeç, Astrit Paskali 45 vjeç, Adrian Licaj 51 vjeç.

Shtetasi Shefik Muho është arrestuar edhe vitin e kaluar më 30 qershor 2017, për trafik droge me gomone nëpërmjet detit, bashkë me 14 persona të tjerë nga të cilët 4 ishin shqiptarë. 34-vjeçari mesa duket se është lënë i lirë pasi në të kundërt nuk do të ishte përfshirë në këtë ngjarje.

Gjithashtu shtetasi Indrit Buja është arrestuar më 14 mars të 2012-ës nga policia italiane si shpërndarës kokaine dhe hashashi në sasi të vogla, kundrejt pagesës. Mos marrja e masave të rrepta kundrejt këtij shtetasi ka bëri që ky i fundit të arrijë në shkallën e trafikimit të sasisë marramendëse të drogës.

Shtetasi Luan Tahiraj, 33 vjeç, është akuzuar edhe më parë për trafik droge bashkë me dy vëllezërit e tij, Azem dhe Gazmend Tahiraj, duke u cilësuar nga mediat italiane si ‘familje trafikantësh droge’.

Luan Tahiraj ishte arrestuar në 24 korrik 2015, në shtëpinë e tij, ku agjentët e policisë i kishin gjetur thuajse gjysmë kilogramë kokainë, dokumenta false, një peshore dhe thuajse 14 mijë euro. Por ai ka arritur të bëjë një marrëveshje me drejtësinë italiane, duke u dënuar për 4 vite burg dhe me një gjobë prej 16 mijë eurosh.

Vëllai më i madh, Azem Tahiraj, 34 vjeç dhe ai banues në Mestre, është gjithashtu i arrestuar për trafik kokaine dhe është në pritje të procesit gjyqësor. Prokurorët italianë kanë kërkuar që ai të gjykohet së bashku me 9 të akuzuar të tjerë, për importimin në Itali të mbi 400 kilogramë kokaine. Por dhe një vëlla i tretë, Gazmendi ishte arrestuar vitin e kaluar së bashku më Azemin. Pas 3 ditësh gjykatësi e liroi pavarësisht se agjentë kishin gjetur në restorantin e tij «La Lanterna» në Venezia, 1 kg kokainë dhe 1 kg marijuanë. Sipas rrëfimit ka qene i vëllai, Azemi, që e ka vendosur aty, ndërsa ai nuk ka qenë në dijeni.

Edhe pse të arrestuar më parë, mesa duket këta shtetas janë lënë të lirë, për tu bërë trafikantë të një sasie droge prej 5 tonësh, nga Shqipëria në drejtim të Italisë.