Karabina takon homologun kosovar: Të krijojmë platformë të përbashkët për arsimin

Ministri në largim i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) i Republikës së Kosovës, Arsim Bajrami, sot priti në takim ministren e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, Mirela Karabina.

Në konferencën për shtyp, ministri Bajrami tha se gjatë takimit është biseduar për bashkëpunimet midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, duke theksuar se janë dakorduar që arsimi dhe edukimi duhet të jetë një fushë ku duhet të realizohet integrimi për të patur një sistem arsimor sa më cilësor, unik dhe kombëtar i “bazuar në vlerat tradicionale kombëtare, por edhe në trendet bashkëkohore dhe evropiane.”

Bajrami ju bëri apel të gjithë atyre të cilët do të formojnë qeveri të reja në Shqipëri të Kosovë që ta vendosin arsimimin dhe edukimin si prioritet kryesorë kombëtar edhe pse sipas tij sistemi arsimor akoma nuk është në nivelin e dëshiruar.

“Në qoftë se të dyja qeveritë kalojnë nga premtimet në vepra konkrete nga dokumentet e mira në vepra dhe vendosin që arsimi dhe edukimi të jenë shtyllë kryesore e programeve të reja qeveritare atëherë jemi të sigurt që ne do të mund të ndërtojmë një arsim cilësor dhe do të mund të marrim praktika të mira nga Shqipëria dhe Kosova duke i bashkuar të rinjtë shqiptarë në një platformë të përbashkët që ata nesër të jenë të barabartë në BE me dije”, tha Bajrami.

Sipas Bajramit është hedhë një bazë e mirë gjatë këtyre tri viteve në mes dy ministrive dhe sipas tij është rrënuar muri i ndarë i edukimit.

Ndërsa, ministrja e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Mirela Karabina, e cila është në vizitë nga dje në Kosovë ku mori pjesë në “Seminarin e 13-të të mësimdhënësve të mësimit në diasporë dhe mërgatë”, theksoi se do të shkëmbejnë përvojat e punës për të qenë pjesë e strategjive të ardhshme për një të ardhme më të mirë të studentëve shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Së bashku me ministrin dje ishim në Gjakovë me mësuesit shqiptarë të diasporës të cilët japin një kontribut shumë të madh dhe shprehin vullnetin e tyre për të mësuar gjuhën shqipe fëmijëve shqiptarë kudo që janë në Evropë dhe në vende të tjera. Në fakt është një mision i lartë patriotik për të ruajtur dhe promovuar gjuhën shqipe. Historia ka treguar që gjithmonë është vepruar kundër një gjuhe për të asimiluar një komb. Kështu që së bashku kemi shprehur falënderimin për këta mësues vullnetarë që kryejnë këtë mision kaq të lartë patriotik”, tha Karabina.

Ajo u shpreh se në këtë periudhë janë duke diskutuar për të parë mundësinë e lehtësimit të studimeve për studentët shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri duke uruar që qeveritë e të dyja vendeve të materializojnë bashkëpunimin.