Karakazani i zgjedhjeve në Ballkan

Milivoje Mihajlloviç / Kossev

Po afrohen zgjedhjet në Kosovë dhe shihet qartë se atmosfera po përndizet. Kandidatët për deputetë i vazhdojnë duelet edhe nëpër korridore-me grushta. „Kapërcyesit“ ndryshojnë parti që të pastrojnë biografinë. Kjo është koha e tyre. Kohë pa logjikë. Kohë e verbërisë, gënjeshtrave dhe e premtimeve të gënjeshtërta. Propozojnë „Pakt kundër korrupsionit„ pikërisht mbartësit e korrpusionit. Sikurse shprehen edhe ata vetë, me këtë „ide të shkëlqyer“, kanë prekur edhe kulmet e çmendurisë dhe praktikisht paralajmërojnë luftë kundër vetvetes. Fushatat parazgjedhore në këto territoret tona janë shndërruar në panaire të gënjeshtrave dhe budallallëqeve. Gjithçka i nënshtrohet luftës për pushtet. Ja, edhe „Oliveri“ (Oliver Ivanoviç, lider i serbëve të Kosovës i vrarë në janar 2018. Shën. i përkth.) u gjend postmortum në Listën Srpska. Investohet para e madhe në fushata, gjenden e shpiken mënyra të reja për vjedhjen e votave. Formula e fitores është: shtyp të gjallët, përdor të vdekurit.

Gjithçka fillon nga listat zgjedhore. Në Serbi për shembull, para dy viteve në listat zgjedhore figuronin 800 mijë zgjedhës më shumë sesa ka banorë me të drejtë vote. Listat zgjedhore janë plot e përplot me „shpirtra të vdekur“. Po atë vit në Kosovë, në listat zgjedhore figuronin 32.542 emra njerëzish që kishin vdekur si dhe pothuajse 20 mijë syresh që kanë hequr dorë nga shtetësia kosovare. Materialet zgjedhore edhe këtu ngjajnë me amzat e të vdekurve. Në Kroaci për vite me radhë numri i zgjedhësve ishte më i madh se numuri i banorëve.

Kur sigurohen „votat“ e të vdekurve, dhe ato janë ndër më të sigurtat, nis fushata për votat e sigurta të të gjallëve. Në territorin ballkanik çështja e votave është çështje jete ose vdekje. Luftë për pushtet, grindje mes vëllezërve, bashkëshortëve. Janë formuar ekipe që kryejnë presion ndaj zgjedhësve. Nëpër ndërmarrje kërcënohen haptazi me pushim nga puna ata që do të votojnë kundër, madje edhe në rast se antarët e familjeve të tyre janë „në anën tjetër“ pushimi nga puna është i paevitueshëm. Frika nga dëbimi nga puna nuk mund t’i frikësojë të papunët. Atyre u futin frikën në palcë xhipat me xhama të errësuar, që enden në mënyrë kobndjellëse nëpër qytet, nga të cilët herë pas here dalin djelmosha problematikë trupmdhenj dhe me tatuazhe për të rrahur ndonjë prej aktivistëve të opozitës. Armatë huliganësh, banda kriminale, grumbullime të ndryshme nacionalistësh… përfshihen në këtë punë. Shumë prej tyre e bëjnë këtë në mënyrë profesionale. Pakica prej emocionit ose për shkak të premtimit se do të punësohen nëse e kryejnë punën e tyre me sukses. Mediat e korruptuara këto ngjarje ose nuk i shohin ose, nëse rast se i evidentojnë, i quajnë incidente. Por, këto nuk janë aspak incidente- ky është një sistem që është instaluar për vite me radhë. Kështu ndodh në të gjithë hibrid-shtetet në të cilët sistemi shtetëror fshihet pas qendrave rë fuqisë politike…. në të cilët kemi gënjeshtra në vend të lajmeve, frikë në vend të gëzimit, rialiti shou në vend të një jete dinjitoze. Sistemi është asgjësuar, ligjet janë sfumuar, institucionet „statojnë“. Nëpër këto gërmadha, nëpër shkallët e korrupsionit ngrihet një klasë e re- ajo e mashtruesve të pa kompromis luftëtarët e së cilës janë pjesë të korruptuara të sistemit, nëntokës, grupet radikale të tifozëve, ekstremistët… Të gjithë në funksion të pasurimit. Na ka ardhur ky dënim sepse për lustracionin flasin më shumë ata që kanë „fituar“ me dhjetra banesa, sepse pas ndershmërisë fshiheshin mashtruesit më të këqinj, sepse nxitësit e luftës ishin ata që bërtisnin më shumë për paqen, ndërsa demokracinë e futën ata që na shisnin thjeshtësinë si ndershmëri.

Më duket se Danteja ka jetuar në kohë të gabuar.

Po lexoja një ditë sesi drejtori i njëfarë Instituti për studime strategjike deklaronte se Kosova duhej ndarë në atë mënyrë që Serbisë t’i takojë- Shkodra. Shihni çfarë xhenazeje ironike e idesë së ndarjes. Mirënjohje çmendurisë. Faqet e para ngjajnë me shumë me përshkrime psikografike nga spitalet psiqiatrike. Bota është bërë një kullë prej letre. Thelbi i çdo politike është marrja e fuqisë dhe e përfitimeve të mëdha.

„Tani është një shans historik që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje. Do të ishte mirë që kjo të ndodhte para zgjedhjeve amerikane. Në kalendarin e tanishëm politik ekziston mundësia për një gjë të tillë“. Këtë fyerje e belbëzojnë „të urtët“ nga institute të ndryshme duke na bërë me dije se kanë rëndësi vetëm zgjedhjet amerikane dhe se atyre as që u bëhet vonë se çfarë po gatuhet në këtë karakazanin ballkanik. Po ne? Mbytemi në Ollujat tona, në Batajnica, Kleçka, Srebrenica, Kravicet duke përshkruar historinë e turpit dhe të mungesës së dinjitetit të Ballkanit, të robëruar në mëkat dhe padituri. Këto janë toponime të plagëve të hapura, kasaphanave të kota, hipoqendra të krizave, paradave të shpirtrave të humbur, burime të urrejtjes dhe komplekseve. Por edhe këto janë pak për ne, kësisoj para zgjedhjeve pastrojmë pushkët, hedhim spec djegës në plagën ende të hapur…

Kjo është situata ballkanike dhe ajo është ideale për eksperimente në lidhje me zhvillimin modern të fushatave zgjedhore. „Kam zgjidhur krizën ballkanike“- kjo do të ishte fraza e dëshiruar e zëdhënësit të kandidatit presidencial në SHBA. „Ruajtëm interesin e Rusisë në Ballkan“- do të ishte përgjigja adekuate nga Lindja. Por, edhe ne kemi zgjedhje dhe luftën tonë për pushtet. Për hir të së vërtetës ajo nuk është edhe aq e sofistikuar si në vendet e zhvilluara. Beteja zgjedhore reduktohet në propagandë, dhe ekipet më me rëndësi janë ata që manipulojnë opinionin publik. Në botë kompanitë e mëdha, për shuma të mëdha parash, të sigurojnë fitoren dhe ardhjen në pushtet. Cili është synimi? Të përdoret opinioni publik për të fituar ose ruajtur pushtetin, ndërsa në fakt: për të realizuar përfitim. Zgjedhjet janë projekt. Diktatorët më të mëdhenj kanë ardhur në pushtet me „dëshirën“ për të përparuar demokracinë. Por, në fakt, ata duan vetëm të pasurohen personalisht. Për këtë zgjedhjet janë për ata një investim. Nëse kanë në plan të vjedhin miliarda, nuk kursejnë paratë që  t’i angazhojnë në firma që do t’i ndihmojnë kur të vijnë në pushtet. Partitë politike janë vetëm instrument i grupeve të interesit.

Kyçi i zgjedhjeve janë anketimet e opinionit të zgjedhësve. Deri para pak kohësh kjo përcaktohej nëpërmjet metodave klasike- anketime, fokus grupe, pyetjeve drejtuar një kampioni të caktuar të popullsisë. Interneti, dhe në mënyrë të veçantë rrjetet shoqërore, kanë shkaktuar ndryshime revolucionare në fushatat zgjedhore. Ëndrra për një botë të lidhur në vetvete është bërë makth nate në të cilin çdo rregull mbi respektimin e privatësisë në internet do të thotë në të vërtetë- lexojnë mesazhet tuaja, shqyrtojnë bindjet tuaja, dëshirat dhe synimet… Në rrjet je… Atëherë je objekt interesimi. Përse u intereson? Synojnë të të marrin diçka- privatësinë, vëmendjen, paratë, lirinë.

Gjurmët që lëmë në internet vlejnë miliarda dollarë sepse përdoren për kërkime të tregut, shpalljet publike, marketing, dhe në mënyrë të veçantë në përcaktimin e vullnetit zgjedhor. Një firmë amerikano-britanike lajmëroi se zotëronte deri në pesë mijë të dhëna për çdo zgjedhës amerikan dhe nëpërmjet metodave të veçanta përcaktonte mënyrat për të ndryshuar në mënyrën më të sigurtë mendimin e njerëzve dhe të përcaktojë ecurinë e zgjedhjeve. Puna është e thjeshtë- njeriu krijon profilin e tij në rrjetin shoqëror… të gjitha të dhënat që hedh aty merren dhe futën në storixh-et e rrjeteve globale si Google, Fejsbuk, Instagram, Tuiter. Miliarda informacione, me ndihmën e mjeteve teknogjike selektohen, analizohen dhe tregojnë në mënyrë të sigurtë predispozicionin e çdo shoqërie, qoftë kombëtare, fetare apo çfarëdolloj tjetër, në të cilën duhet kryer ndikim. Kësisoj realizohet procesi i „riciklimit të vetëdijes“. Këto janë operacione psikologjike që bëjnë pjesë në fushën e politikës ushtarake. Kështu starton makineria e fuqishme dhe ngjethëse e propagandës, lufta për ndryshimin e vetëdijes të njerëzve në mënyrë që të sillen në atë mënyrë që dëshiron dikush që ka fuqinë, qëllimin dhe paratë për të paguar për këtë operacion.

Hapi i parë në këtë proces është alarmimi i opinionit publik. Ai arrihet me lajme të gënjeshtërta, spine, degradim të kundërshtarëve, nëpërmjet ndikimit te pronarët e mediave dhe gazetarët dhe mbylljen e burimeve të informacionit. Hapi pasardhës është- vënia e bashkësisë në apati, nëpërmjet serialeve rialiti, transmetimit të seancave parlamentare, debatave të rreme, mitingjeve në të cilët logjika humbet plotësisht në pyllin e fjalëve dhe ideve të pakuptimta. Qëllimi është që media të mbushet me pornografi, kronika të zeza e për pasojë të krijohet bindja se frika, rruga qorre dhe apatia janë gjendje e natyrshme. Anët më të zeza të natyrës njerëzore- dhuna, mungesa e moralit, mashtrimi, bëhen normale madje dhe të dëshirueshme.

Hapi i tretë është imponimi i qëndrimit të dëshiruar si e vetmja rrugëdalje, nën moton „Ne e dimë se çfarë është më mirë për ju, mendojmë ne në vend që të mendoni ju“. Në „Luginën e të verbërve“ ai me një sy është mbret. Qytetarët që për vite me radhë janë bombarduar më kësi informacionesh jetojnë në një botë virtuale në të cilën emocionet, frika dhe bindjet e tyre drejtohen nga dikush i jashtëm. Ky është procesi i ashtuquajtur i formimit të vetëdijes që në vendet e pasura bëhet me durim dhe me „doreza të bardha“, ndërsa në regjimet diktatoriale në mënyrë agresive dhe pa mëshirë. Ne i njohim kulla të tilla prej letre. Jetojmë brenda tyre megjithëse e dimë mirë se një ditë do të shemben.

*Milivoje Mihajlloviç ka lindur në vitin 1958 në Prishtinë. Ka informuar mbi ngjarjet në Kosovë nga gazeta „Jedinstvo“, Tanjugu, RTV Beograd, BBC, APTN, Agjensia Franc Press, CBS-në. Ka qenë kryeredaktor i Radio-Prishtinës, themelues i Media –Center, redaktor i programit informativ i YU-info TV, aktualisht është drejtor i radio Beogradit.

 

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza