Flash News

KRYESORE

Karantina e një rekordmeni/ Saimir Strati rrëfen ditët e izolimit: Për herë të parë negativiteti na bëri mirë

Mjeshtëri i mozaikëve bashkëkohorë, Saimir Strati ka rrëfyer për Politiko.al ditët e izolimit në karantinë, tashmë prej gati dy muajsh për shkak të pandemisë covid-19, që përfshiu zyrtarisht në fillim të marsit edhe Shqipërinë.

Artisti i 11 rekordeve Guinness tregon si po e shfrytëzon këtë periudhë karantine dhe se cilat plane u detyrua të anulonte.

Për Stratin kjo kohë duhet të shihet si moment reflektimi për mbrojtjen e tokës dhe resurseve të saj, që sipas tij ndryshe nga ne, natyra doli nga karantina kur ne u izoluam për t’i qëndruar larg virusit covid-19.  

Si e keni përjetuar këtë periudhë karantine?

Kjo periudhw wshtë më tepër psikologjike, e cila influencon te arti pak më shumë sepse në i vuajmë si klithma e fluturës, të cilat nuk dëgjohen. Unë në përgjithësi nuk kam ndonjë axhendë që të jetë jashtë studios, sepse jam zakonisht në studio për shumë kohë. Moziaku kërkon kohë të gjatë, ndaj kjo periudhë nuk më ka influencuar shumë në punë, edhe pse arti përcillet mes të bukurës dhe të vuajturës.

Si e keni përcjellë ju vetë?

Edhe vuajtja bën pjesë te e bukura, është si ilaçi, që është i hidhur, por të shëron, kështu e kam konceptuar unë. Ajo që më ka bërë përshtypje është se kur njerëzit hynë në karantinë, natyra doli nga karantina. Këtu mendoj se njerëzit duhet të reflektojnë më shumë sepse mbase pa dashje i bëjmë shumë dëm natyrës.

Në vitin 2014 kam shënuar një rekord Guinness, qw për mua ka qenë i teti në radhë dhe e kam ndërtuar  me materiale të riciklueshme dhe plastike, si një mesazh për mbrojtjen e tokës.

Unë i qëndroj fort akoma i atij mesazhi. Kjo periudhë do kalojë, por kam frikë se mbrojtja e mjedisit është sëmundje që do të vazhdojë. Është në të mirë të brezave që vijnë, le ta mbrojnë tokën aq sa mundemi.

Prej vitesh, janë dëmtuar shumë pyjet, toka, ujërat, ato duhet të qëndrojnë sa më larg sëmundjeve industriale. Nga corona do dalim një ditë, kurse çështja e mbrojtjes së tokës dhe mjedisit nuk ka vaksinë, por mendoj se vaksina jemi vetë ne.

Çfarë projektesh keni në dorë gjatë kësaj kohe?

Gjithnjë kam ide të reja, ftesa nga jashtë Shqipërisë po ashtu. Projekti im i radhës i përket natyrës. Ky ishte momenti më i mirë sepse diplomacia botërore dështoi për t’u bërë bashkë në gjykimin tim në një moment kaq të vështirë që po kalon sot njerëzimi, të gjithë po mendonin për vete. Edhe ne duhet ta promovojmë më shumë vendin tonë sepse ja si vjen momenti, që tashmë jo të gjithë mund të shkojnë jashtë vendit siç mund të kenë planifikuar shumë njerëz për të bërë pushime jashtë kufijve tanë. Ne kemi vende të mrekullueshme, që do të zënë vend në ekspozitën time kushtuar natyrës përmes motiveve dhe legjendave shqiptare. Mund të japin një rikthim, por që janë dhe mbeten aktuale.

Edhe pse këto ditë jam i izoluar, jam i kënaqur që atë dëshirën për të qenë për pranë detit dhe natyrës e kompensoj duke ia kthyer natyrës me veprat e mia.

Çfarë materialesh po përdorni për ‘natyrën tuaj’?

Materiale të ndryshme si porcelan dhe kristal për natyrën, kurse për detin dhe Mesdheun do të përdor guaska deti.

Është një risi, pasi edhe tematikat do jenë të Mesdheut, sepse kemi shumë të përbashkët, si diellin, detin, muzikën, verën e shumë të tjera, pra do përbëjnë një mozaik të madh me mozaikë të vegjël, pas ciklit për Shqipërinë.

Ju keni shënuar deri tani 11 rekorde Guinness, a keni ju një projekt të radhës për një rekord të ri?

Të bësh një rekord duhet të jetë planifikuar, ndoshta duke marrë edhe një ftesë nga diku. Në Shqipëri kam bërë 7 rekorde, por fatkeqësisht asnjë nuk është ekspozuar dhe nuk ka interes, nëse do ta bëja të radhës në Shqipëri do më vinte keq, sepse ato për mua janë si fëmijët.

Rekordi bëhet për një muaj, por duhet 6 muaj proceduara para përgatitje. Nëse do kisha një ftesë, nuk them jo.

I fundit ishte në Turqi ku isha i ftuar për portretin e Ataturkut me 250 mijë vida. Në fakt, aktualisht duhet të isha në Turqi, por e kemi shtyrë për më vonë për shkak të pandemisë.

Kishit plane që u ndërprenë për shkak të situatës së pandemisë?

Po, kisha një ekspozitë që duhet të ishte aktualisht e hapur në Shkup, në Maqedoninë e Veriut. Ftesa është bërë shumë kohë më parë, por shpresoj që në kohë të dytë dhe sa më të shpejtë të realizohet siç ishte parashikuar.

Plani tjetër, siç e përmenda ishte cikli nga Shqipëria dhe Mesdheu një festival në Portugali që ekspozon veprat e artistëve nga më të njohurit në verë. Megjithatë këtë kohë e kam shfrytëzuar që të plotësoj në perfeksion veprat e mia.

Si i komentoni masat e marra deri tani në Shqipëri?

Me sa kam ndjekur përmes mediave dhe televizionit, sepse e kam respektuar me shumë rigorozitet karantinën, krahasuar me vendet tjera, mendoj se jemi më mirë, jemi negativë kundrejt virusi, hera e parë që negativiteti na bëri mirë.

Psikologjikisht shqiptarët e kalojnë më thjeshtë. Ashtu siç kemi qenë edhe në diktaturë të izoluar dhe frika si institucion te ne ekziston akoma. Nuk mendoj se jemi komb aq rebel sa të thyejmë këto rregulla.

Politiko.al/ S.Gj

Të fundit