Flash News
Atentat në Memaliaj, qëllohet me breshëri arme avokati
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Karantina me 5 pyetje/ Persida Asllani: Virusi nuk do ta ndryshojë botën, ajo ndryshon shumë ngadalë
Kjo intervistë e Persida Asllanit më bën të mendoj se studentët e saj janë me fat. Duhet thënë , ajo bashkë me një grusht kolegësh të tjerë, janë vazhdë shpresëdhënë e filologjisë shqiptare të nisur nga intelektualët e viteve ‘30 dhe të vazhduar, edhe pse me drojë dhe ngapak ideologji, nga brezi i pasLuftës ku shkëlqen Eqrem Çabej, Luarasi etj.
Nuk është vetëm dija që ia shton praninë profesoreshës së Letërsisë në Fakultetin e Histori-Filologjisë, por edhe mungesa e pompozitetit dhe e ngrefosjes që në Shqipëri janë edhe më të përhapura se koronavirusi. Ua sugjeroj këtë intervistë si një ide që flet për shpresën se njerëzit e arsimit në Shqipëri, ashtu siç duhet të jenë, janë pak e sak, dhe këta të paktët duhen inkurajuar përkundër luzmës bakteriale të mediokërve.
Çfarë imagjinoje (të vinte në mend) kur dëgjoje fjalën ‘karantinë’ para se ti (dhe bota) të përballeshme me Covid-19?
Kjo fjalë ka “jetuar” në kokën time gjithmonë me dy kuptime duke evokuar dy gjendje të ndryshme të botës njerëzore:
Së pari, kuptimi i saj fillestar, i lidhur ngushtë me praktikat e shëndetit publik në kushtet e sëmundjeve epidemike siç ishte edhe kolera që i nxiti venedikasit të organizonin një sistem izolimi dyzet ditësh, prej nga vjen edhe fjala “karantinë”, pikërisht përmes fjalës dialektore veneciane “quarantena”. Arsyeja pse e kam ditur herët këtë fjalë lidhet me pasionin tim të fortë qysh në fëmijëri për biologjinë dhe ato që sot quhen “shkencat e jetës”. Ky pasion, krahas atij për letërsinë, më shtynte të lexoja shumë këtë lloj literature, në të cilën shpjegoheshin edhe veçoritë e sjelljet e viruseve, të cilët, nga pikëpamja biologjike i ngjajnë një makinerie luftarake të përsosur. Por, nëse interesohesh për ADN-në njerëzore, do të mësosh se njerëzimi, falë bashkekzistencës së tij me viruset përgjatë evolucionit, tashmë zotëron në ADN-vet një përqindje të konsiderueshme nga ADN-ja e atyre viruseve që ka ndeshur në rrugëtimin e tij si specie. Por befasimi nuk mbaron këtu! Gjenetistët na tregojnë se edhe shumë organe dhe funksione të tyre, ndër të cilët truri dhe mushkëritë tona, kanë evoluuar falë “ndërhyrjes” së viruseve të caktuara në procesin tonë evolutiv. A nuk ju duket se po mbërrijmë në kufijtë e një romani fantastiko-shkencor? Ndoshta kjo është edhe arsyeja përse pasioni im për biologjinë dhe letërsinë kanë jetuar kaq harmonishëm brenda meje dhe më ngjan sikur kanë ushqyer përherë njëra-tjetrën.
Ndaj, jehona e dytë e fjalës “karantinë” lidhet natyrshëm tek unë me letërsinë. Gjatë këtyre ditëve është folur shumë për autorë e vepra që u shkruan gjatë kësaj përvoje njerëzore, në të cilën shkojnë në zgrip dhe spovohen njëkohësisht jeta biologjike dhe jeta shoqërore e njeriut. Për mua ka qenë leximi e më pas studimi i “Dekameronit” të Bokaçios që më mësoi të kuptoj se si rrjedh limfa e jetës në zemër të vdekjes. E pikërisht, në gjendje të tilla limite, njeriu, pavarësisht gjithçkaje, rigjen humanitetin e vet. Këtë e rrëfen mjeshtërisht edhe romani “Murtaja” i Kamysë, pavarësisht statusit të metaforës së sëmundjes në vepër, si edhe “Verbëri”-a e Saramagos, por edhe romani “Karantina” i Le Klezio, apo “Nemesis” i Filip Roth. Madje, te ky i fundit, titulli i ngjan një pyetjeje të shtruar shpesh, e sërisht edhe sot, përpara njerëzimit, meqenëse në mitologjinë greke Nemesis ishte perëndesha që vigjëlonte mbi teprinë, shkapërderdhjen dhe fodullëkun njerëzor. E tani, nuk mund të mos mendoj për kolerën që ra në kampin grek të “Iliadës” homerike si ndëshkim i arrogancës dhe pandjeshmërisë njerëzore. Por këtu do të hapnim një çështje tjetër shumë të gjatë e komplekse siç është “Letërsia dhe sëmundja” e druaj se do ta teproja me durimin tuaj...
Cilat janë kufizimet më të mëdha që të ka sjellë karantina? A ka ndonjë plus?
Kufizimet e karantinës? Po ky është një roman! E çfarë më shumë se sa lirija ime për të bërë e për të vepruar sipas dëshirës apo mendjes sime?! E gjithë jeta ndryshon në rrethana të tilla. Nuk i takoj e as nuk i përqafoj dot më prindërit e të afërmit, ndërkohë që kjo është thelbësore për mua, ashtu siç janë po aq thelbësorë miqtë dhe profesioni im. Në këtë kuptim përvoja e karantinës prek thelbin tonë njerëzor e na nxjerr nga ekuilibri ynë. Të tjerat janë thjesht çështje dytësore e për mua aspak shqetësuese. Por, asgjë më shumë se shpëtimi i jetës së gjithsecilit prej njerëzve që njoh apo nuk i njoh, nuk do të më motivonte më shumë se kaq për ta jetuar këtë sprovë si një domosdoshmëri në dobi të jetës. Këtu nuk negocioj!
E megjithatë, unë jam e prirur të gjej më të mirën e një rrethane. Në këtë kuptim, duke e pasur që në fillim të qartë se karantina nuk ishte “një çështje ditësh” por javësh, vendosa ta kthej atë në të mirën time, me aq sa të mundesha: më shumë kohë për të mbyllur dosje pune ende të hapura, kumtesa e prezantime të ndryshme, më shumë kohë cilësore për të lexuar për qejf, për të dëgjuar muzikë, për të bërë diçka më shumë a më mirë për veten, për t’u shtruar në “biseda” virtuale me miq e të afërm që ndoshta deri tani ua kisha mangësuar kohën e vëmendjen që meritonin prej meje. Në këtë pikë, teknologjia digjitale është një mbështetje e madhe. Ia kam gjetur “ilaçin” edhe rutinës! Kam krijuar një rutinë 5 ditore, ndërsa në fundjavë kam ndërtuar një rutinë ndryshe. Kur e shoh që edhe kjo gjë bëhet rutinore në vetvete, i jap të drejtën vetes për ta “thyer” atë me një shpikje tjetër. Kështu, luaj me iluzionin e spontanitetit dhe të vendimarrjes së pakushtëzuar. Kjo vlen edhe për ushqimin, për punët e shtëpisë, edhe për oraret gjatë ditës apo natës etj. Kam vetëm dy orare që nuk lëvizin: ora e sportit dhe orari i mësimdhënies online. Po ndalem pak te kjo e fundit. Mendoj se më në fund, bota arsimore shqiptare e sidomos ajo universitare hyri realisht në epokën digjitale. Është një përvojë e re në të cilën po mësojmë të gjithë së bashku, pedagogë dhe studentë. Secili me vështirësinë dhe përkushtimin e vet. Natyrisht ajo nuk e zëvendëson tërësisht auditorin, as sinestezinë cilësore që krijohet në mjediset e mësimdhënies, por platformat mësimore online do të vijojnë të mbeten një mjet pune shumë i vlefshëm për secilin prej nesh edhe mbasi t’ia dalim mbanë kësaj sfide. Gjithashtu, kam vënë re me admirim kujdesin dhe solidaritetin që studentet po tregojnë ndaj njeri-tjetrit. Është diçka që të bën të shpresosh për mirë.
Si mendon se do të ndryshojë bota pas Covid-19?
Mendoj se Covid-19 nuk është diçka “jashtë bote”. Ai është pjesë e botës ku jetojmë, e proceseve të të menduarit e të vepruarit tonë në të. Si mbas çdo ngjarjeje të tillë, bota do të nxjerrë mësimet e saj, që do të jenë të shumta e të shumllojshme, nga ato të natyrës mjeksore, epidemiologjike, deri te ato organizative-logjistike, politike, ekonomike, etike, edukuese etj. Do të duhet një kohë e caktuar për t’u kthyer në normalitetin tonë, e ndoshta, në ndonjë aspekt, disa gjëra do të modifikohen, por në thelb do të jetë vetëm një çështje kohe. Shoqëria njerëzore ka një aftësi të përsosur për të mbërritur me sa më pak sforcim një ekuilibër të ri. Kam vënë re të qarkullojnë “formula profetike” për ndryshimin e botës në diçka të re e të panjohur nga bota e deritanishme. Nuk e mendoj aspak kështu! Duhet t’u besojmë filozofëve në këtë pikë: bota ndryshon shumë ngadalë! Dikush shtronte pyetjen nëse do të bëhemi më të mirë. Unë besoj se do të bëhemi më performantë. A do të bëhemi më të këqinj? Në këtë pikë, mendoj si Hannah Arendt, mbi “banalitetin e së keqes”. Dhe, ashtu siç na rrëfen letërsia, besoj se Njeriu e gjen gjithmonë rrugën për te humaniteti i tij.
Çfarë të ka bërë përshtypje gjatë kësaj kohe të përballjes me Covid-19: çfarë të ka bërë më pesimist apo optimist?
Më lëndon mungesa e një niveli dijeje bazike që duhet të ketë çdo qytetar në një vend demokratik. Unë besoj se një qytetar i informuar (jo thjeshtë në kuptimin mediatik të fjalës) është më pak i manipulueshëm, por njëkohësisht edhe më bashkëpunues në të mirën e përbashkët e sidomos në situata të skajshme, ku çdo vendim ka peshë jetike. Në këtë vështrim, më ka shqetësuar vështirësia e të kuptuarit të “distancimit social”, moskuptim që në disa raste mbërrin në nivelin e shpërfilljes madje këmbëngulëse të jetës së tjetrit. Megjithatë, me të vërtetë pesimiste jam ndjerë muaj më parë, kur pashë mijëra qytetarë të Tiranës që rendën rrugëve të qytetit duke besuar se pikërisht në një orë e minutë të caktuar do të binte një tërmet i ri. Kjo sjellje kolektive, e ngjizur me panik dhe padije, do të duhet të shqyrtohet seriozisht dhe prej saj të nxirren mësime e strategji edukuese e formuese afatgjata. Por nuk mbeten më pas as qytetarët europianë aktualisht. Sulmet që po u bëhen antenave 5G si shkaktare të hamendësuara të Covid-19 më lenë thjeshtë pa fjalë!
Optimizmi këto ditë më vjen së pari prej mbajtjes nën kontroll të epidemisë në vend, prej ritmit relativisht të ulët me të cilin ajo sëmur njerëz apo shkakton viktima. Të dëgjosh çdo mëngjes në telefon zërin e prindërve të tu në karantinë që të pohojnë se janë mirë është momenti më i mirë i ditës. Gjithashtu, të flasësh ose të shkruhesh mes miqsh duke shkëmbyer optimizëm e humor, besoj se të ndihmon të shmangësh cilësisht ndjesinë e izolimit social.
Dua të përmend këtu edhe studentët, me të cilët po bashkëpunoj e bashkëveproj me shumë kënaqësi e përkushtim të ndërsjelltë. Jo vetëm unë, por edhe kolegë të tjerë gjithashtu mendojmë se në këto rrethana, ata po japin më të mirën e vetes.
Cilët filma dhe libra do të sugjeroje për karantinën?
Kjo është një pyetje që më vendos gjithmonë në mëdyshje të mëdha. Gjithmonë! Kjo, sepse çdo “profesionist” i letërsisë (apo së paku i studimit të proceve të saj) e ka fare të qartë që mbas fjalës së rehatshme “lexues” fshihen me qindra e mijëra individë, secili me përvojat e veta të jetës e të leximit, me rrugëtimin e vet personal, me ndjeshmëritë e veta, me shijen e tij, kujtesën e teksteve të mëparshme, edukimin e arsimimin etj. Ndaj për ne është thuajse e pamundur gjetja e një përgjigjeje që do të kënaqte drejtpërsëdrejti që të gjithë. Por natyrisht, qëllimi nuk është ky dhe këtu do të mund të vijoja me një listë të gjatë librash e autorësh që kam përzemër. Por le të veprojmë ndryshe kësaj here. Në vend të listave të librave apo të filmave, do të jap dy këshilla pak më të gjera që do ta ftojnë “lexuesin” të njihet më cilësisht me dukuri letrare e kinematografike të cilat mendoj se do të duhej të njiheshin më mirë në Shqipëri. Koha personale që na dhuroi papritur “distancimi social” është kushti më i mirë për këtë.
Së pari, e këshilloj fort lexuesin shqiptar të lexojë në mënyrë më sistematike letërsinë e shkruar në Kosovë. Është një letërsi shumë e mirë, e shkruar në rrjedhat e natyrshme të artit të fjalës, moderne dhe e larmishme. E zhvilluar në kushtet e një lirie më të madhe artistike, ajo ka vuajtur pak ose aspak prej skematizmit të realizmit-socialist, ka vijuar natyrshëm ato trajta të modernes që zunë fill me Koliqin, Kutelin e Poradecin në vitet ’30 në Shqipëri, për të mbërritur apogjeun e saj me “shkollën letrare” të Prishtinës. Po të veçojmë veprën e Kadaresë që botohej në Tiranë, ajo është shprehja moderne e europiane e letërsisë shqipe në gjysmën e dytë të shekullit XX e modeluar dhe e frymëzuar mbi pamjet më të mira të letrave europiane e botërore. Shumë prej “vështirësive” në leximin e saj nga ana e publikut në Shqipëri rrjedhin pikërisht prej thyerjes që sjellin këto vepra mbi skemat e vjetëruara të leximit. Por, sapo të tejkalohet kjo përplasje fillestare, para tij do të shpaloset një letërsi e thellë dhe e denjë për çdo bibliotekë familjare, me vepra autorësh si Ali Podrimja, Anton Pashku, Eqrem Basha, Sabri Hamiti, Mehmet Kraja etj. Ndërsa në mënyrë specifike këshilloj me këmbëngulje leximin e veprës së Anton Pashkut, e veçanërisht të tregimeve të tij brilante, shkruar me një shqipe të kulluar e të shtresëzuar, ku pulson përsosmërisht thelbi i gjuhës e thelbi njerëzor, pyetësimi modern dhe ai identitar shqiptar.
Për sa i takon filmave, mendoj se duke u përfshirë që të gjithë në një ritëm të ri, më të shtruar se ai frenetik i përditshmërisë sonë, mund të ishte një rast i mirë për të shijuar ose për të njohur kinemanë europiane, e cila, në përgjithësi, ka një tjetër koncept të kohës kinematografike, një ritëm që të lejon të meditosh, plane fotografike të gjera refleksive, dialogim inteligjent dhe të thellë, pa batuta të gatshme e pa poza heroike. Është një kinema inteligjente! Por ajo ka gjithashtu një poezi të bukur të jetës, të vdekjes, të dashurisë, të detajit, të çastit, të qenies. Filmi që do të këshilloja për t’u parë këto ditë, ndoshta edhe për shkak të tematikës së tij, është “Melankolia”, i regjizorit danez Lars Von Trier, ku “fundi apokaliptik i botës” shndërrohet në një interpretim vagnerian e melankolik të njerëzores.
©Politiko
https://politiko.al/karantina-me-5-pyetje-ilir-ikonomi-me-duket-sikur-jemi-duke-u-trajnuar-per-nje-katastrofe-te-se-ardhmes/
https://politiko.al/rubens-shima-karantina-e-ktheu-injorancen-ne-dominancenje-befasi-e-keqe-nga-televizionet/
https://politiko.al/ardian-vehbiu-me-ka-trishtuar-fiaskoja-e-shendetesise-edhe-amerika-u-kap-me-breke-neper-kembe/