Karantina me 5 pyetje/ Ylljet Aliçka: parada autoblindash në rrugë, komunikim i keq; jo në favor të jetës

Ylljet Aliçka e ka gjithmonë pak humor, edhe në kohë pandemie apo krizash. Si në këtë intervistë për shembull kur thotë se bën banjo dielli, not, vrap etj, por nuk tregon se ku. Nuk bën vetëm humor. Si njeri i pedagogjisë dhe i letrave, ai flet edhe për ndryshimin që ka pësuar bota me Covid-19.

Siç edhe për leximet dhe filmat që po sheh apo skenarin që ka në dorë.

©Politiko.al

Çfarë imagjinoje (të vinte në mend) kur dëgjoje fjalën ‘karantinë’ para se ti (dhe bota) të përballeshme me Covid-19?

Si diçka e largët që nuk më përkiste, pasi  përgjatë jetës sime nuk kam pasur rast t’i jem afruar apo se do me ndodhte. Thjesht nga ç‘kisha dëgjuar nga jeta ushtarake, përshtypjet e librave apo ndonjë filmi, bie fjala një filmi që e kam për zemër i Luçhino Viscontit Vdekje ne Venecia sipas romanit të Tomas Manit.

Cilat janë kufizimet më të mëdha që të ka sjellë karantina? A ka ndonjë plus? 

Si kujtdo, ka ndryshuar  ritmi i jetes, si në nivelin personal, ashtu dhe atë veprimtarive shoqërore.

Per sa i perket ushqimit kulturor nuk kam ndonje peng, madje them se i kemi me tepri, libra filma, muzikë, aq sa shpesh ndjehem në faj, pse i joshur pas lajmeve, evolucionit të situatave nuk po gjej dot vullnetin, përqendrimin për t’iu futur leximit të disa librave të mëdhej, të cilët kam gënjyer veten se nuk kam kohën të lirë, bie fjala si Albert Kohen, Tomas Man, Daniel Kahneman… “Shpresoj” që të zgjasë pandemia në mënyrë që të mos kem më alibinë e mungesës së kohës, sidoqë dhe sot që flasim, ia kam dalë ta disiplinoj minimalisht veten që t’i dedikoj leximit të paktën një orë në ditë.

Si mendon se do të ndryshojë bota pas Covid-19?

Nuk është se po them ndonjë gjë të re, por mendimi i parë naiv që na vjen e rivjen spontanisht në mendje, veçanërisht pas kësaj katastrofe natyrore ka të bëjë me atë që do t’a quaja asimetri paradoksale mes shpenzimeve kolosale financiare e njerëzore në gara armatimesh e luftrash pafund dhe kërkimet e pamjaftueshme shkencore në lidhje me cilësinë e jetës.

Mjaftoi vizita e papritur e një virusi «çamarrok» për të na kujtuar se sa të brishtë jemi, dhe se sa pranë e paskëshim pasur vdekjen. Iluzioni apo ëndrra e një bote të sigurtë është shkërmoqur tashmë.

Në një nivel më pak naiv, mendoj që do ndryshojnë mjaft skema të menduarit dhe të sjellurit, ku gjithçka do përcaktohet nga rigjetja e një ekuilibri të ri, të asaj që e quajmë homeostazë (unë vij nga shkencat natyrore), pra  të një ekuilibri mes  inercisë së gjërave, pra prirjes së njeriut për ta gjetur sigurinë te referencat e mëparshme, nga njëra anë dhe aftësisë për tu përshtatur, apo orientuar në rrethana të reja, nga ana tjetër. Pra, procesi drejt një ndërgjegjësimi të ri mbi  ndjenjën e sigurisë, pranimit të idesë se bashkëjetesa me viruset është e pashmangshme

(shkencërisht, viruset e rrezikshme nuk do zhduken kurrë dhe se pavarësisht dëshirës sonë, vetë globi ka mekanizmat e tij të ruajtjes së balancës të të kundërtave duke gjetur e rigjetur vazhdimisht ekuilibra të rinj).

Çfarë të ka bërë përshtypje gjatë kësaj kohe të përballjes me Covid-19: çfarë të ka bërë më pesimist apo optimist?

Karantina  po na kërkon të jemi solidarë dhe njëherazi individualistë, ku çdo individ bëhet kërcënues për kolektivitetin dhe anasjelltas individi ndjehet i kërcënuar nga grupi, prandaj dhe përpiqet të izolohet.

Duket se për shkak të këtij ambiguiteti po kërkohet ndihmë te metaforat luftarake. Të thuash jemi në luftë me virusin, në një farë mënyre ushqen luftën e të gjithë kundër të gjithëve, ku secili është një vektor i armikut të padukshëm.

Kam bindjen se retorika e luftës me parada spektakolare autoblindash nëpër rrugë dëshmon më shumë për një pedagogji dhe didaktikë  të mangët komunikimi se sa një instrument në favor të jetës. Kërkimi i ndihmës te retorikat e luftës krijon hapësirë për autoritarizëm dhe rrezikon të skualifikojë çdo lloj debati dhe mendimi të lirë, sadoqë aktualisht të tilla të drejta mund të duken luks i tepruar.

Personalisht mendoj se kemi të bëjmë me tepër me një situatë katastrofash natyrore se sa me “shpërthimin e luftës së tretë botërore”, dhe rrjedhimisht jo me një mjekësi lufte, por me një mjekësi katastrofash.

Çfarë po na bën pesimistë?: që bota do bëhet më virtuale, që mund të rritet rreziku i përshkallëzimit të krizave ekonomike, sociale, shpirtërore, të cilat nuk përjashtojnë rritjen e urisë në botë, shoqëruar me shpërngulje masive ilegale, konflikte, apo përplasje civile.

Pa harruar se mundësia e  triumfit të skenarëve të mësipërm ka prirje të nxisë e nxjerrë në pah anët më të errëta të natyrës njerëzore. Historia ofron shembuj të shumtë skenaresh të tilla, që derimësot na dukeshin të largëta  dhe sikur nuk kishin të bënin aspak me ne.

Çfarë na bën optimistë?! Të përpiqemi mos na shkojë kriza dëm, të përfitojmë nga mësimet që po na sjell ajo, se shpëtimi vjen nga vetja, te burimet natyrore dhe njerëzore të vendit ku jeton dhe te një qasje bashkëpunuese politike e sociale. Në një kohë kur secili vend e popull ka hallet e tija, rrethanat po tregojnë  se shpëtimi kushtëzohet nga mobilizimi i energjive dhe fuqive tona në nivel individual e kombëtar.

Si ka shkuar koha gjatë karantinës: mund të përshkruash ditën tipike në izolim? Cilët filma dhe libra do të sugjeroje për karantinën?

Diçka më mirë se ç’e mendova në fillim…

Të paktën nuk kam ndjesinë e një dite të gjatë apo monotone. Frikën nga mundësia e infektimit përpiqem ta harmonizoj me punë dhe angazhime të përditëshme: përgatitja e leksioneve online, shkrimi i një skenari filmi të gjatë, ndonjë tregim i shkurtër, kafe në ballkon, shoqëruar  me banjo dielli,  muzikë, vrap (nuk e tregoj se ku…), lajme në tv, në fb, filma në tv apo kompjuter, shkurt nuk po më del koha…. !

Gjithsesi nuk jam i sigurtë nëse ky ekuilibër do rezistojë, të themi më shumë se një muaj nga sot.

Sa për filmat rishikoj me shumë kënaqësi “The Youth” e Sorrentinos, “8.30” e Felinit, “AntiChrist” i Lars von Trier, apo,  se mezi m’u kujtua,…. “Sllogans” i Xhuvanit.

Librat ‘e afërt’ këtë kohë janë të Hainrish Bëlit, Saramagos, Kapuçinskit.

Karantina me 5 pyetje/ Matteo Mandala: ‘Ngujimi’ nuk ma ka ndryshuar jetën e përditshme, ja ‘kalendari i punës’

Karantina me 5 pyetje/ Kim Mehmeti: Kjo pandemi është ‘lojë fëmijësh’

Karantina me 5 pyetje/ Virgjil Muçi: Kur shkenca jep këshilla për larje duarsh, është koha të jemi pesimistë

Karantina me 5 pyetje/ Stefan Çapaliku: Covid-19 nuk do ta ndryshojë botën…as faktin se jemi populli më fatkeq në Europë

Karantina me 5 pyetje/ Selami Xhepa: Nuk e kam për herë të parë; iu sugjeroj dy libra