Katari sjell 8 kamionë me ndihma për familjet e prekura nga tërmeti në Tiranë: Nuk do të ndalojmë

Katari është një nga shtetet e para që iu përgjigj thirrjes së Bashkisë së Tiranës edhe për të ndihmuar pas tërmetit të 26 nëntorit, ashtu si edhe në tërmetin e 21 shtatorit. .

Ambasadori i Katarit në vendin tonë, Ali bin Hamad Al-Marri takoi Kryebashkiaku Erion Veliaj, ku i dorëzoi ndihmat në magazinat e rezervave të emergjencave të Tiranës.

Duke vlerësuar miqësinë vëllazërore mes dy popujve, ambasadori siguroi se mbështetja do të vijojë edhe në ditët në vijim. “Edhe njëherë ngushëllojmë qeverinë dhe popullin mik shqiptar dhe ju urojmë shërim të shpejtë të plagosurve nga tërmeti. Fondi i Katarit për Zhvillim në koordinim me Qendrën e Katarit për bamirësi, kanë direktiva të prera që nga dita e parë që të shpërndahen në çdo zonë të prekur nga ky tërmet dhe të jenë prezent. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe me funksionarë duke përfshirë dhe kryetarin, dhe të shikojmë se për çfarë kanë nevojë. Ne nuk do të ndalojmë. Ka akoma ndihma të tjera që do të vijnë më tutje. Dua t’ju siguroj kryetar që shteti i Katarit ka qenë dhe do të jetë pranë jush në çdo moment”, tha ambasadori Ali Bin Hamad Al-Mari.

Kurse Veliaj tha se ndihet “shumë falënderues dhe shumë mirënjohës vëllait, mikut tonë ambasadorit të Katarit, por edhe të gjithë popullit të Katarit, që si në çdo fatkeqësi na është gjendur i pari. Ndaj, e vlerësoj jashtë mase gjithë këtë kontribut. Sot kemi akomoduar në qendrat e emergjencës një pjesë të madhe të popullsisë në fshat, megjithatë me ketë aksion të sotëm, ne kalojmë nga qendrat e emergjencës tek ndihma që shkon në çdo shtëpi”, tha Veliaj.

Ai theksoi se shumë shpejt do të kalojë faza e emergjencës edhe në zonat rurale, ku do të dërgohen ndihma për të kaluar këtë dimër.