Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Edi Puka
Lajmi i mbylljes së degëve dhe programeve të studimit në universitetet shtetërore, anembanë vendit, ishte dhe mbetet një lajm i hidhur mbi të cilin duhet reflektuar gjatë. Efekti domino i uljes së numrit të studentëve, dha goditjen e parë pikërisht aty ku mendohej se janë të pazëvendësueshëm, ku mendohej që nuk ka probleme me numrin e studentëve, pasi mjafton vetëm stema dhe emri i universitetit që studentët ta përzgjedhin. Aty ku nuk merren parasysh nevojat, dëshirat dhe ëndrrat e studentëve. Aty ku akoma nuk është kuptuar dinamizmi i kërkesë/ofertës së tregut të punës, i cili nuk lë vend për hamendësime dhe humbje kohe, por kërkon përshtatje të menjëhershme sipas nevojave përkatëse. Por cilat ishin arsyet e mbylljes së dhjetra programeve të studimit?
Së pari, studentëve nuk u krijohet një mjedis miqësor. Trajtohen sikur të jenë individë të dorës së dytë dhe asnjë nga kërkesat e tyre nuk merret parasysh. Nuk dëgjohen dhe nuk trajtohen në mënyrën e duhur. U ofrohen programe të tejkaluara, pa asnjë garanci për të ardhmen. Infrastruktura fizike lë për të dëshiruar. Infrastruktura akademike gjëndet në një hendek mendor në lidhje me atë se çfarë duhet t’u transmetojë dhe atë se çfarë realisht u transmeton. Ekziston një mendësi vegjetative dhe asnjë risi shkencore, duke lënë të kuptohet që vetëm institucione të arsimit të lartë nuk mund të quhen. Ka një mungesë të theksuar strategjie përkundrejt diplomave që ofrohen dhe nevojave aktuale të tregut të punës. Institucionet ndodhen në një gjëndje letargjie mendore dhe ndjehen të pafuqishëm për të reaguar përkundrejt nevojave akute të studentëve. Metamorfoza e nevojshme nuk është kryer ende. Procedohet vetëm në kushtet e një rutine të kalbur kolapsi sipas të cilës çdo gjë ndodh se duhet të ndodhë dhe jo të mendohet se roli dhe faktori kryesor i ndryshimit janë po vetë ata dhe askush tjetër. Kanë kaluar gati 30 vjet nga ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri dhe sigurisht që shoqëria shqiptare ka bërë hapa të mëdha përpara në lidhje me përshtatjen ndaj kërkesave dhe ofertave të tregut të punës, dhe sigurisht të rinjtë nuk kanë mbetur në të njëjtin ritëm të institucioneve tona arsimore, por kanë evoluar duke rritur gjithmonë e më shumë kërkesat në lidhje me cilësinë e shërbimit që u duhet ofruar. Nuk është kuptuar ende se çfarë duhet bërë dhe se çfarë duhet përmirësuar.
Së dyti, vendimmarrja politike në fuqi, nuk ka hartuar një strategji të qartë të rolit dhe funksionimit të institucioneve të larta arsimore. Ligji i Asimit të Lartë, aq shumë i trumbetuar si dhe reforma arsimore, nuk dhanë efektin e dëshiruar në lidhje me rregullimin e politikave, kushteve dhe cilësisë në institucionet e arsimit të lartë. Ritmi i zhvillimit të procesit të akreditimit institucional nuk ishte i shpejtë dhe në tërësi procesi nuk pati impaktin e dëshiruar. Ende mungon një renditje e institucioneve të arsimit të lartë, bazuar mbi cilësinë akademike që ofrojnë. Kjo do të qartësonte studentët në lidhje me procesin e përzgjedhjes së institucionit më cilësor, si një garanci për një të ardhme më të sigurtë. Nuk mund të vazhdojmë ende në një tymnajë lajmesh dhe ofertash, duke mos garantuar asnjë formë cilësie dhe në kushtet e një çoroditjeje totale. Akreditimi kurrikular dhe programor është një nevojë akute, pikërisht për të shmangur rastet e abuzivizmit dhe të falsitetit akademik.
Arsimi i lartë në Shqipëri ndodhet në një dilemë ekzistenciale, të cilën mund ta zgjidhë vetëm duke u reformuar rrënjësisht dhe duke u larguar përfundimisht nga mentalitetet e të mos bërit asgjë. Largimi i studentëve jashtë vendit për një shkollim më cilësor, ulja e numrit të përgjithshëm të popullatës së të rinjve, vështirësitë ekonomike, të cilat nxisin emigrimin e një numri të konsiderueshëm familjesh, janë faktorë që nuk e ndihmojnë këtë proces, por duhet kuptuar që vetëm një ndryshim i shpejtë dhe radikal do të bënte të mundur ekzistencën institucionale.