Flash News

OP-ED

Katër arsye se pse Ramush Haradinaj (nuk) dhunoi një femër

Katër arsye se pse Ramush Haradinaj (nuk) dhunoi një femër

Indrit Vokshi

 

  1. Po të kishte qenë mashkull e jo femër, Ramushi mund të ishte sjellë më vrazhdë. Kështu që teza se pati qëllim të veçantë ndaj saj vetëm pse ishte femër, rrëzohet. Iku kjo.
  2. E dyta, Ramushit i mungon eleganca në shumë raste. Zonja hipi në podium pa protokoll, e zgjati, kaloi në çështje të historisë personale pa lidhje me eventin. Cilit prej nesh nuk do t'i kishte shkuar mendja për ta larguar nga podiumi? Ama atë çka ne mendojmë, Ramushi edhe e bën. Siç edhe në luftë, kur shumë vetë me fantazi kanë dëshiruar ta kapin pushkën, mirëpo vetëm pak sosh e kanë kapur njimend.
  3. E treta, nuk ka asnjë dhunë mbi fjalën e lirë. Ramushi mund të ketë frikësuar gazetarë, mund t'i ketë detyruar të mos flasin për ketë e për atë, nuk është çudi kjo knej kah nahija jonë e zaten as në nahije të tjera. Por, këtu nuk pat' dhunë mbi fjalën e lirë. S'mund ta quash dhunë mbi fjalën e lirë kur dikush hipën pa protokoll e pa leje në një podium të një ceremonie shtetnore dhe e largojnë prej aty.
  4. E katërta, gjithkush ka të drejtë të zemërohet kur kryeministri i shtetit nuk shfaq elegancën që ata presin prej tij. Por gjanat duhet të sqarohen. Nuk duhet me i mvesh më shumë sesa meriton, ose akuza të tjera, duke shfrytëzuar rastin. Shqiptarët duhet ta dinë se kryeministër nuk kanë një pianist soft por, komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit. Jo për me ia pranu sjelljen por, as mos me e gjyku më rreptë sesa duhet.

 

 

Të fundit