Flash News

OP-ED

Katër Fjalë për Moikomin

Katër Fjalë për Moikomin

nga Koloreto Cukali

1.

Kam menduar gjithmonë, se nëse dikush dëshiron të njohë Shqipërinë, duhet të njohë Moikomin. Nuk e di nëse e ka njohur kush tjetër Shqipërinë më mirë se Moikom Zeqo. Dhe nuk po flas vetëm për gjeografinë, për fshatrat, krahinat e malet. Jo, sepse Moikomi në udhëtimet e tij të pafundme nëpër atdhe kishte koleksionuar një miriadë me fytyra e emra, copëra të panumërta trashëgimie kulturore e arkeologjike, pasazhe gojëdhënash e traditash, jetë të jetuara e jetë të rrëfyera. Për mua, Moikomi ishte Shqipëria në versionin e vet më të mirë. Shqipëria... kjo zonjë, dikur e randë.

2.

Kishte raste kur Moikomi më dukej si një bibliotekë që lëvizte. E shihja tek shëtiste me kapelen republikë, me pallton e gjatë kur ishte dimër dhe me supet e rëna. Supet, sikur mbante tërë dertet e këtij vendi në shpinë.

Moikomi ishte një nga njerëzit më fisnikë që kam njohur në këtë vend, dhe duke parë për ku jemi drejtuar, nuk e di nëse do mund të takoj më një tjetër të tillë.

Biblioteka që Lëvizte, Njeriu që Mbante Brenda Shqipërinë, kishte 15 vjet pa punë, në kulmin e energjive të tij njerëzore, profesionale dhe pjekurisë artistike. I hequr prej pune nga Berisha 2, sepse nuk ishte “i tiji”, dhe i lënë pa punë nga Rama 1 e Rama 2, sepse nuk mund të duronte përreth njerëz më të lexuar, më të aftë, e më me integritet se vetja. Moikomi, ishte një tjetër shembull sesi Shqipëria, përmes atyre që zgjedh për t’i ngjitur në pushtet, di të tregohet kaq mosmirënjohëse ndaj njerëzve të saj më të mirë.

3.

Tani që Moikomi ka ikur, më duket se kemi ndenjur pak edhe pse kemi folur shumë. E kam dëgjuar të rrëfente me orë të tëra, ekuivalentja e soditjes së një Bunë mendimesh, poezie e kujtimesh. Ashtu besoj, i diktonte dhe librat e tij. Njeriu që adhuronte Nolin, dashuronte Migjenin, dhe mallëngjehej për Rreshpjen... shkroi për vete një libër shumë të çuditshëm, “Hieroglif Shqiptar i fluturave Dragonj’. Mundet t’ju pëlqejë ose jo, mënyra si shkruante Moikomi. Por, në librat e tij hapen mijëra botë. Në çdo poezi të tijën mund fluturohet që këtej.

Një Shqipëri të paditur, e drejtuar nga njerëz akoma më të paditur, është e destinuar të ketë fatin e periferisë. Periferitë janë pa biblioteka, mbytur në pluhur, zotëruar nga gangsterë, plot me fëmijë të rritur me ligje xhungle dhe me fate të shkuara dëm.

4.

Ne kujtojmë që copëzimi i një kombi është vetëm fizik, që Serbët mund të na marrin Mitrovicën apo grekët detin.

Copëzimi i një kombi është dhe i brendshëm, kur thyhet emocionalisht, kur humbet kujtesën, kur i lëshon pa gajle njerëzit e mirë, kur ngre në kult injorancën, kur i fut rruspat kulturës. Një komb shkërmoqet nga mosmirënjohja e padija.

Me Moikomin iku një copë Shqipërie. Tani, si Komb, jemi më pak.

Nëse ndokujt i bëhet vonë.

*Shkruar për Dita dhe Politiko.

Të fundit