Flash News
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Nën hetim për trafik k*kaine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut
Atentat në Memaliaj, qëllohet me breshëri arme avokati
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Alfred Lela
E shpëtoi shtatlartësia që të mos ngjante, pikë e presje, si ato plakat që kishin dalë te porta e kryesisë së Kuvendit për të urra-itur Saimir Tahirin. Krejt si ato, kur dëgjoi pyetje që nuk i pëlqenin, iu gërmush gazetarëve. Verbi ishte i njëjtë. 'Turitharë', thanë plakat. 'Idiotë', tha Kryeministri.
Yryshi i Ramës për të përmirësuar, reformuar, skematizuar dhe estetizuar është i kahershëm. E pat filluar me 'policët barkmëdhenj'. E zvogëloi numrin e tyre dhe rriti, proporcionalisht, sasinë e një tjetër lloji barkderrash në radhët e bluve: tahmaqarë të drogës, parave dhe lidhjeve me botën e krimit.
Me këtë 'reformë', a thua ta ketë përmirësuar Policinë, dhe ta ketë sjellë në formatin 'që duam', z. Rama?
Po kaq e ethshme ishte gërdia që i shkaktonte Lazarati. Ky çiban në hundë të atdheut duhej hequr që Shqipëria, pas këtij operacioni plastik të dukej ajo 'zoja e randë' e ëndërruar prej rilindasve të vjetër. Mundësuar prej 'rilindasit' të ri. Hyri në luftë me fshatin kryeneç, la një polic special të vrarë në proces, arrestoi një duzinë njerëz dhe e nënshtroi katundin gjirokastrit. Ludisti i hashashit u kthye fët-e-fët në industrialist të tij. Paradoksalisht, nëpërmjet Policisë së Shtetit, tashmë me më pak dhjamë dhe uniforma të reja në shtat, por me të njëjtën makutëri në bark.
Njolla e gjelbër e Lazaratit u shtri në të gjithë territorin, duke ia hequr të kuqen Shqipërisë dhe duke i lënë faqen e zezë në formën e një shtatëcepëshi canabisi. Dosja italiane jep një panoramë të çfarë ndodhte në prapaskenën e Shqipërisë post-Lazarat.
Po me këtë 'reformë' a thua e dekriminalizoi Rama Shqipërinë?
Formalizimi i tregut dhe sektorit të energjisë, ishte fushata tjetër e qeverisë. Për t'u përshëndetur parimi i saj, sa kohë që mundësonte rregullimin e një hapësire e cila, kryesisht, ishte konsideruar si një det ku secili fuste dorën për një 'kovë korent'. Në ngutin për të bërë propagandë më shumë se shtet, ai futi në përdorim metodën jakobine 'aksionin tani, planin më vonë'. Kjo la në mëshirën e stuhisë së verbër të administratës, që paaftësinë e mbulon me zell, qindra e mijra të varfër në katër cepat e Shqipërisë. Provat mbeten te ahti i helmimeve, krisma e vetëvrasjeve, kërcitja e thatë e varjeve, nëpër pemë oborri apo në qeli burgu.
A thua vendosi 'drejtësi sociale' dhe tregu qeveria Rama me këtë reformë?
Më të madhin sulm dhe zulmë Kryeministrti e ruajti për Reformën në drejtësi. Fliste për të nga mëngjesi në darkë, nganjëherë edhe për dy orë të gjata papushim. Ai e donte me gjithë shpirt, por dikush dilte kundër, gjithmonë. Përherë të njëjtët. Peshorja e drejtësisë në dorën e tij heponte dukshëm nën një forcë të errët të së shkuarës që nuk lëshonte. Rama kërkonte dorën dhe peshën e popullit për të bërë balancën. Për njerëzit. Për Shqipërinë.
Por, fjalët i merr era e dreqi bashkë, sa herë në rastet e historisë ia beh prova. Ajo vonoi, por nuk harroi, duke u paraqitur në spikamën e Saimir Tahirit. Mu te këmbët e tij ranë shakujt bosh të propagandës për dashurinë e pafund për Reformën. Rama vendosi të 'shenjtëronte' pushtetin e partisë dhe të vetin duke bërë sallam politik me bërllogjet e ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit. Nëpërmjet Parlamentit ai i tha organit të akuzës se, një parti politike është vlerësuese e provës, para se ato të shkojnë në dyert e gjykatave.
Me pushtetin e katërt, median, pat mbaruar punë prej kohësh. Çka bëri sot, duke u hedhur në fytyrë gazetarëve frymën e rëndë të autokratit arrogant, ishte thjesht një kërcim, sa për sport, në kazanin e bërsive, për të parë me këtë rast, a mund të pikojë gjë nga ajo shtypje artizanale me këmbë.
Pasi 'çështja Tahiri' u shpalos ashtu siç solli rasti, falë dosjes italiane, dhe shumica u bë bllok kundër Prokurorisë, sa i rrejshëm mendoni se ishte dashurimi i Ramës me Reformën në drejtësi?
©Politiko.al