Flash News

KRYESORE

Katër vrasje dhe disa grabitje; kjo është ‘CV’-ja kriminale e Ilir Bajrit, i arrestuar sot në Shkodër

Katër vrasje dhe disa grabitje; kjo është ‘CV’-ja

Akuzohet se ka kryer të paktën katër vrasje, por kjo nuk e pengonte Ilir Rustemi Bajrin të lëvizte i qetë në rrugët e qytetit të Shkodrës. Policia e Shtetit ka arrestuar sot 42 vjeçarin, i cili është anëtar i një prej bandave më të rrezikshme në kryeqendrën e veriut, që njihet si familja Bajri.

Arrestimi i Ilir Bajrit erdhi si rezultat i një aksioni të organizuar nga RENEA dhe FNSH, vetëm pas denoncimit që opozita i bëri gjendjes së rënduar të sigurisë në Shkodër.

Këto janë vetëm disa nga krimet e rënda për të cilat ai është akuzuar:

Me datë 14.01.1999 në lagjen Dobraç të qytetit të Shkodrës Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se kanë kryer veprën penale të vjedhjes me armë ndaj dy qytetarëve nga Berati, të cilët kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip Kamion me targë të Vlorës.

Me datë 14.01.1999 në lagjen “Vojo Kushi”, janë vrarë me armë zjarri vëllezërit Osman e Artur Alibali. Autorë të dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj. Kjo vrasje është kryer menjëherë mbas vjedhjes me armë të kryer ndaj dy shtetasve nga Berati.

Me datë 21.03.1999 Behar Bajri në bashkëpunim me shtetasin Ilir Bajri kanë tentuar të kryejnë vjedhje me armë ndaj Arben Tuzit dhe vëllait të tij. Nga shkëmbimi i zjarrit të dy palët kanë plagosur njëri-tjetrin.

Me datë 15.02.2001 në lagjen Vasil Shanto të qytetit të Shkodrës është vrarë me armë zjarri shtetasi Arben Tuzi, vjeç 39 nga Shkodra. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri dhe Ilir Bajri.

Me 4 gushtit të vitit 2006, Ilir Bajri akuzohet se ka vrarë Pal Kosterin, pranë banesës së tij, në fshatin Stom-Golem, pak metra larg Urës së Bardhajve. Vrasja pati ndodhur pas një konflikti me dy nga djemtë e viktimës, që janë pronarë të një lokali në Velipojë.

Të fundit