Flash News
Vendimi për çështjen e vulës, Bardhi: Gjykata e Lartë t’i japë fund absurdit, PD i përket anëtarëve të saj
Nasip Naço del nga SPAK: U pyeta për çështjen ÇEZ-DIA, kam folur me letra, jo me heshtje
Shtyhet sërish seanca për Berishën, shkak mungesa e prokurorëve
Investimi në Sazan/ Rama pyetet pse nuk shpall tender kombëtar: Do shqyrtojmë aplikimin
Paraqitet në SPAK, ish-ministri dhe deputeti socialist, Nasip Naço
'Katovica' në mes të studentëve. A po bëhet politike protesta?
Alfred Lela
Një banderolë e madhe e vendosur në ballinën e Universitetit Politeknik, aty ku fillon Bulevardi i madh i Tiranës, mund të konsiderohet si parulla e parë politike e protestës studentore (të kuptohemi, ka patur shumë slogane me sfond politik, por ato kanë qenë të gjitha antipolitike më shumë se 'politike'). Aty bëhet një barazim mes dy periudhave, komunzimit dhe tranzicionit demokratik, duke i konsideruarsi një sistem të vetëm.
Më shumë se kaq bie në sy fjala 'Katovicë', një qytet në Poloni ku, sipas teorive konspirative, në fund të viteve '80, është mbajtur një mbledhje e fshehte e shefave të partive komuniste të Europës Lindore. Qëllimi, sipas mbështetësve të kësaj hipoteze, ka qenë përgatitja e një platforme okulte që transferimi i pushtetit të mos ndodhte realisht, por vetëm 'për sy e faqe'. Për këtë duhej inxhinjeruar një klasë e re politike me personazhe 'të zgjedhura me dorë' po nga kasta e vjetër.
Kjo teori është jo pak e rrahur edhe në Shqipëri dhe lëvruesit kryesorë të saj kanë qenë emra si Shinasi Rama me librin 'Përrallat e tranzicionit', ku ka 'katovicizmin' si kolonë mbështetëse. Edhe Servet Pëllumbi, i konsideruar ideolog i së majtës dhe marksist, në librin 'Përmbysja e komunizmit' përdor këtë tezë për të shpjeguar rënien e regjimit në Shqipëri, por edhe zhvillimet e mëpasme në tranzicion.
Theksi duhet vënë te një fakt që shkon përtej teorive: asnjë studies serioz i huaj nuk ka shkruar për Katovicën, edhe pse për Lindjen dhe rënien e komunizmit janë shkruar mijra libra. "Katovica" nuk ekziston si referencë e një takimi të fshehtë të shefave komunistë të Lindjes. (Në fund të shekullit 19 aty u mblodhën përfaqësues të zionismit për të diskutuar krijimin e një shteti hebre).
Po aq, vlen të thuhet se nuk ka dyshim që tranzicioni, edhe ai shqiptar, është përpjestuar mes komunistëve dhe fashave të tjera politike të traditës apo të reja. Një proces dekomunistëzimi, i nisur me tramundanë nga Berisha në fillim të viteve '90, nuk prodhoi një spastrim të vërtetë dhe kjo solli skenën e sotme politike, mbushur ding me trashëgimtarë të komunizmit, veshur me kostumin e ri dhe të shtrenjtë të progresistëve.
Në PD dhe partitë e djathta, duhet thënë, nuk kanë munguar komunistët e paraqitur si demokratë të ashpër antikomunistë.
Të gjitha këto gjurmë ekzistojnë, por për 'Katovicën' e Shinasi Ramës dhe Servet Pëllumbit nuk ka asnjë shenjë.
Në thelb të krijimit të kësaj teorie ka qenë në fakt përpjekja për të demotivuar dhe çorientuar mbështetësit e së djathtës në Shqipëri, kryesisht nga qarqe të majta ose të zemëruar me lidershpin e PD, me qëllim dëmtimin e imzhit dhe reputacionit të partive të reja të themeluara pas rrëzimit të regjimit komunist.
Studentët janë në të drejtën e tyre për të themeluar një lëvizje politike (madje të mirëpritur), por 'Katovica' nuk mund të jetë leva e Arkimedit, apo pika mbështetëse. Së pari, sepse si studentë dhe 'njerëz të dijes' nuk mund të kenë 'Formulë pagëzimi' një b*@sh** konspirativ, por u duhet diçka e qenësishme dhe postmoderne. Së dyti, nuk ia vlen teoria e këtij egalitarizmi në të keq sepse, si në atë formulën orwelliane 'njerëzit janë të barabartë, por disa janë më të barabartë se të tjerët'.
Pavarësisht përpjekjes për t'i barazuar të gjithë, disa janë, sigurisht, më të barabartë se të tjerët. Pikërisht në krijimin e asaj fryme që krijoi 'teorinë e Katovicës'.
Studentët duhet të jenë për rrëzimin e kësaj fryme, dhe jo për themelet e lëvizjes së tyre ndërtuar mbi këtë frymë.