Flash News

KRYESORE

Kë përdori mbrëmë, për qëllimet e veta, Edi Rama?

Kë përdori mbrëmë, për qëllimet e veta, Edi Rama?

Gentian Gaba 

Wag the dog është versioni modern i thënies të urtë amerikane “bishti tund qenin”; përdoret për të përshkruar devijimin e qëllimshëm të vëmendjes nga gjëra e rëndësishme, në ato të papërfillshme. Një spostim artificial i vëmendjes, që tanimë jemi mësuar të shohim shpesh në kulmin e krizave politike. Mjeshtrat e komunikimit, të specializuar në ndërtimin e konsensusit dhe të kornizave me të cilat adresohet vëmendja e opinionit publik, e dinë që shpesh herë 'qeni tundet nga bishti'. 

Një ushtrimtar i këtij stili është edhe Edi Rama. Dje, gjatë programit 'Studio e Hapur' të Eni Vasilit, në një përpjekje dinake për të dalë nga skandali që dominon axhendën politike të vendit prej gati një muaji, u përpoq të tund më së miri “qenin” për t’i dhënë frymëmarrje vetes.

Asnjë nga gërmat që dolën nga goja e Kryeministrit të martën mbrëma nuk ishte rastësore; çdo goditje vinte nga një 'daltë' që synonte gdhendjen e formës së re që Rama donte t'i jepte momentit politik.

Në këtë turravrap për të lënë pas shpine 'çështjen Tahiri', nxorri nga mënga disa letra, disi të përdorura, duke thirrur në ndihmë ish-miqtë dhe armiqtë e armiqve të tij. 

I përdoruri i parë ishte Fatos Nano. Asocimi me figurën e paraardhësit të tij, në këtë moment delikat, kërkon  të dërgojë një mesazh te socialistët e zhgënjyer; te nostalgjikët e PS-së nanoiste, te të zhgënyerit nga Rilindja, që dogji dy breza në këtë forcë politike, atë të grupmoshave pesëdhjetë dhe gjashtëdhjetë vjeçare, largimi i të cilëve i hapi rrugë Tahirit, Veliaj, Spiropalit dhe rioshëve të tjerë 'mavi'. “Gjatësia e valëve” e djeshme tingëllon më shumë si një kërkesë për ndihmë, një tundje që Rama i bën atij që e shuguroi në politikë, dhe që për ironi, dy dekada më vonë, vjen si një “salvaxhente” rozë.

I përdoruri i dytë ishte Ben Blushi. Ndonëse me kreun e partisë LIBRA u tregua disi paternalist, duke i kujtuar sherrin dhe largimin, Rama e lavdëroi për guximin duke e kujtuar se është pjesë e familjes, pra duke i lënë një derë të hapur për t’u kthyer në shtëpi; si një tjetër “salvaxhente” rozë për Ramën.

Të përdorurit e tjerë ishin Ridvan Bode, Jozefina Topalli dhe Alfred Serreqi, ky i fundit i nxjerrë nga naftalina vetëm dhe vetëm për t’i rikthyer një fantazëm të 1997 Sali Berishës; ndërsa dy të parët për t’i tundur kundër Lulzim Bashës, dhe për të trazuar sërisht demokratët e paqtuar nga intensiteti i përballjes politike midis palëve.

Po aq dinakëri tregoi me fjalët e përdorura ndaj ish-drejtuesve dhe drejtuesit aktual të dy forcave opozitare. “Furçat” me të cilat portretizoi  Sali Berishën dhe Ilir Metën, si 'kafshë politike' dhe 'politikanë race', tregojnë se për kundërshtarët realë, Bashën dhe Kryemadhin, kishte rezervuar penelatat e një piktori të vëmendshëm ndaj vizatimit të qëllimeve të tij politike, sesa ndaj përshkrimit të realitetit. 

Lajmi i mirë është se fjalë të mira për Bashën dhe Kryemadhin nuk u dëgjuan, ato që u dëgjuan ishin thjesht furça pa bojë për të deligjitimuar ata që kanë vetëm një detyrë, t’i nxjerrin bojën një Kryeministri të papërgjegjshëm, që po kërkon të tundë gjithkënd për të hequr vëmendjen nga tabloja e errët që është 'dosja Tahiri' dhe përgjegjësitë politike që “Rama i dytë” nuk merr për “Ramën e parë”.

Sa për ata që mund të jenë ndjerë të “naltësuar” nga Rama, por nuk e kuptojnë strategjinë e tij të komunikimit, duhet të kuptojnë se politika shpesh herë ngjason me dhallën, një pjie e dashur për shqiptarët, e cila ka nevojë të tundet përpara përdorimit.

Pra, nëse diçka ju “tundi” dje, mos e merrni për ngadhnjim. Thjesht, jeni një hap larg përdorimit.

 

Të fundit