Flash News

KRYESORE

‘Keni mbetur te drafti i vjetër’, opozita pret sqarimet e maxhorancës pas refuzimit të formulës së re për KQZ

‘Keni mbetur te drafti i vjetër’, opozita pret sqarimet e

Opozita i kërkoi maxhorancës një formulë të re për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që të reflektojë dakordësinë e arritur mes palëve në 5 Qershor.

Pas refuzimit që maxhoranca i bëri formulës së propozuar nga opozita mbi reformimin e KQZ, kjo e fundit pret sqarime se pse ndodhi një refuzim i tillë.

Sipas opozitës, propozimi që është  i njëjtë me formulën e përzgjedhjes së organeve të sistemit të drejtësisë reflekton edhe dakordësinë e arritur mes palëve në 5 qershor.

Opozita i kërkon PS të shpjegojë se “me cilën pjesë të propozimit nuk është dakord dhe arsyet pse, si dhe të bëjë një propozim të saj alternativ në përputhje me dakordësinë e 5 Qershorit. Pra sesi të garantohet me ligj konsultimi dhe ndarja proporcionale e anëtarëve të KQZ midis partive të mazhorancës dhe partive të opozitës, si dhe vendimmarrja konsensuale për cështje të rëndësishme të procesit zgjedhor.”

Opozita thekson se PS ka mbetur tek drafti i vjetër i saj, duke refuzuar të reflektojë dakordësinë e 5 Qershorit, sipas të cilës “Komisioneri i Zgjedhjeve përzgjidhet në konsultim mes palëve, Zëvendës Komisioneri përzgjidhet nga partitë e opozitës, dhe anëtarët e Rregullatorit dhe KAS përzgjidhen nga partitë e mazhorancës dhe opozitës, të ndarë në mënyrë proporcionale.”

Opozita thekson se formula është e certifikuar edhe nga Komisioni i Venecias.

Sipas opozitës, drafti që mbron PS përcakton emërimin e të gjithëve anëtarëve të KQZ nga qeveria dhe opozitës i hiqet çdo garanci ekzistuese, në lidhje me propozimet dhe vendimarrjen.

“Theksojmë se garancitë ekzistuese për procesin zgjedhor të tilla si vendimmarrja me shumicë të kualifikuar aktualisht në fuqi në Kod, duhet të ruhen dhe nuk mund të zvogëlohen apo hiqen. E kundërta do të përbënte një hap prapa në kohë dhe standarte. Është e pashpjegueshme sesi PS kërkon të zhbëjë garanci që ekzistojnë aktualisht në Kodin Zgjedhor, mbi përcaktimin konsensual nga KQZ të rregullave të garës elektorale. E kemi të paqartë qëndrimin tuaj se kjo formulë e propozuar nga opozita për KQZ e cila është e njëjtë si ajo që përdorim për organet e reja të drejtësisë, sjell politizim ndërkohë që ju mbroni versionin se kandidatët për KQZ duhet të jenë propozime nga grupet parlamentare apo deputetë të veçantë, çka, në fakt, përbën politizim tërësor të kandidaturave”, thuhet në reagimin e opozitës.

Lexoni edhe:

https://politiko.al/opozita-propozon-formulen-e-re-per-kqz-e-bekuar-edhe-nga-nderkombetaret/

Të fundit