Flash News

KRYESORE

Keqpërdorimi i Gardës së Republikës, mbajtës çadrash të Vlahutinit dhe Xhaçkës

Keqpërdorimi i Gardës së Republikës, mbajtës

Ambasadorja e BE-së në Shqipëri Romana Vlahutin dhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, u shfaqën sot në një prej zonave të goditura na përmbytjet pak kohë më parë, me lajmin e mirë se Bashkimi Evropian kishte akorduar ndihma për emergjencat.

Gjatë kësaj shfaqjeje në publik, u vu re një fenomen, që për hir të së vërtetës nuk është se ndodh sot për herë të parë, por kulmi arriti që prej tij tashmë përfiton edhe një përfaqësuese e huaj, që me funskionet e saj nuk i shërben vendit tonë, por diplomacisë së Brukselit.

Gardistët që ruajnë diplomaten e BE-së, që kur ndaj saj u shkruan disa komente me kontotacion të nxitjes së dhunës, duket se nuk po përdoren vetëm për sigurinë fizike të Vlahutinit, por edhe për anën estetike.

Në fakt, nuk ka asnjë pikë në ligjin për funksionimin e Gardës së Republikës, ku përveç ruajtjes së jetës së personaliteteve shtetërore vendase dhe të huaja, ata të detyrohen që t’u mbajnë edhe çadrat politikanëve shqiptarë apo atyre të huaj.

Një gjë e tillë nuk ka të bëjë aspak me punën dhe funksionin e fisëm të gardistëve.

Një keqpërdorim edhe më i rëndë që u bëhet gardistëve është në Kuvend, ku sa herë kryeministri vjen të ulet në vend, një punonjës i Gardës i afron apo largon kolltukun.

Këto, më shumë se shërbesa të merituara ndaj kastës politike, duken si manira kolltukofagësh.

Dhe ky qejf tani duket se i ka hipur edhe diplomatëve të huaj, të cilët në Holandë apo Britani shkojnë me biçikletë apo me transport publik në punë, ndërsa në Shqipëri i rehaton çadër-mbajtja dhe nuk bëjnë asgjë për t’u “evropianizuar”.

Disa vite më parë, në SHBA shkaktoi shumë debat fakti që një marins i mbajti çadrën Barak Obamës në Shtëpinë e Bardhë, teksa ky i fundit po mbante një fjalim në oborr dhe shiu nisi papritmas të binte rrëmbyeshëm.

Edhe atje debati ishte se marinsat nuk e kanë për detyrë të kujdesen për gjëra të tilla.

Por kur mendon se deri pak kohë më parë një gardist i hapte dhe i mbyllte derën e veturës Saimir Tahirit, shpresat që papritmas politikanët të heqin dorë nga ky “komoditet” janë të pakëta.../Politiko.al

Të fundit