Kërcënimet e Dakos si të ‘paraardhësve’ të tij Roshi, Ndoka, Rraja

Fitim Zekthi

Në 20 qershor të vitit 2015, dy ditë para zgjedhjeve lokale, kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, shpërtheu në një gjuhë vulgare duke sharë opozitën dhe kryetarin e saj, Lulzim Basha.  Fillimisht ai tha se “kryetari i Bashkisë së Kavajës dhe stafi i saj nuk ka frikë sepse ka mbështetjen e kryeministrit Rama”. Më pas ai tha se “iu përgjigjem si të duan, Elvis, Elvin apo Ervis, se unë kam sakrifikuar jetën time që 15 vjeç në Itali…”. Më pas vijoi “SHQUP-i i Tiranës do marri valixhet dhe do ikë në Holandë, ai do të humbë në Tiranë dhe në Kavajë, nuk ka vota për atë…”.

Në një farë mënyre, kryetari i Bashkisë së Kavajës kërkonte të tregonte se atij po i bihej më qafë kot nga opozita e cila e akuzonte se kishte dënime në Itali dhe se duhet të largohej nga politika për shkka të së kaluarës. Për t’i bërë të tjerët të besojnë se e drejta është në anën tënde, kur ajo nuk është fare në anën tënde, është të shpërthesh emocionalisht si për të treguar se sedra e madhe dhe e lënduar nuk përmbahet, sedra e të drejtës dhe të ndershmes kapërcen edhe kufijtë e etikës. Në shpërthime të tilla nuk mungojnë kërcënimet dhe fyerjet. Ai u shpreh se Basha nuk do të fitojë kurrë në Kavajë. Më vonë  Roshi u largua nga detyra, dënimi i tij në Itali ishte i vërtetë. Opozita dhe Lulzim Basha i kishin bërë një shërbim vendit, pavarësisht sulmeve të çartura që morën.

Në 3 qershor të 2016, sulme gati të njëjta për nga intensiteti dhe vulgariteti lëshoi drejt opozitës dhe kryetarit të saj, Lulzim Basha, ish-deputeti Arben Ndoka. Edhe deputeti Ndoka ishte akuzuar nga opozita se kishte të kaluar të lidhur me krimin dhe se kishte dënime. Ai i mohonte me forcë dënimet dhe lidhjet e tij. Në një letër që i shkroi publikut ai thoshte: “Ti more “zotëri” do ta kuptosh shumë shpejt çfarë vlerash ke, qoftë brenda partisë tënde, ashtu si dhe në zgjedhjet e ardhshme të 2017, ashtu siç e provove me humbjen e thellë në zgjedhjet lokale të 2015. Shqiptarët nuk do të lejojnë që një njeri që ushqen fëmijet e tij me gjakun e atyre që përmenda më sipër të udhëheqë opozitën”.

Edhe deputeti Ndoka, si kryetari i bashkisë Roshi, shpërthejnë si të lënduar nga akuzat, kërcënojnë (do të humbësh thellë në 2017-ën siç humbe në 2015-ën) dhe fyejnë. Sot ish-deputeti Arben Ndoka është i arrestuar me dyshimet për tëhuajësim prone, ndërkohë që ka video që tregojnë angazhimin e të vëllait në blerje votash. Edhe në këtë rast u vërtetua drejtësia e luftës së opozitës dhe e shërbimit që ajo i bëri vendit.

Këtij kori njerëzish të PS-së iu bashkua edhe një djalosh që me pranga në duar në dyert e gjykatës tha se “Lulzim Basha do ta shohë në zgjeddje”. Ky vetëm kërcënoi, nuk kishte kohë për një deklaratë më të gjerë. Ky djalosh ishte i biri i një deputeti të PS-së.

Ditët e fundit në sulme të tilla të egra dhe vulgare ndaj opozitës dhe kryetarit të saj ka shpërthyer Vangjush Dako, kryetari i Bashkisë së Durrësit. Ai akuzohet nga opozita si njeri i lidhur me një grup të arrestuar për trafik droge dhe krime të tjera. Gjithashtu ai akuzohet për blerje votash dhe korrupsion. Dako nën stilin e Roshit, Ndokës, Rrajës, por me gjuhë edhe më të rëndë tha: “O Lulëzim Basha! Ti duhet t’i harrosh Durrësin, Shijakun dhe Krujën. Sepse dikur edhe votonin për Saliun e për PD, po për toçin e Saliut votojnë vetëm nostalgjikët e PD dhe aq! Ti duhet ta kuptosh që s’ke vota o Lulëzim dhe s’ta kam fajin as unë, as durrsakët, as shijaksit as krutanët. NUK KE VOTE! Je një peshk rezervati që nuk hahesh dot dhe hidhu përpjetë sa të dush me kaseta me telefonata e me sajesa vemjesh. TY NUK TE BESON ASKUSH o toçi i Saliut që i hap telefonin vetëm kunatit.”

Dako është nën hetim nga Prokuroria për blerje votash dhe shpërdorim detyre. Sigurisht që kjo gjuhë vulgare fyerjesh dhe kërcënimi synon, si në rastet e mëparshme të Roshit apo Ndokës, të thotë se sedra e Dakos është e lënduar sepse ai është i ndershëm, por kjo gjuhë, si edhe në rastet e tjera tregon edhe lidhjen e pazgjidhshme të saj me dhunën.

Gjuha dhe dhuna nuk janë dy gjëra të ndara. Gjuha dhe dhuna janë dy gjëra komplementare. Njerëzit mendojnë se njëra fillon kur ndalet tjetra, pra dhuna lind kur ndalen fjalët ose fjalët, komunikimi, nis kur ndalet dhuna. Në fakt, ato janë bashkë. Kur ka dhunë fjala e bashkëshoqëron dhunën si e përfshirë në të, e brendësuar në të dhe kur ka fjalë të dhunshme ato e kanë dhunën të brendësuar në të. Shumë sociologë, antropologë dhe psikologë ka shumë kohë që i shohin ato bashkë. Për ta agresioni është biologjik, por dhuna është sociale. Kështu që gjuha që bart dhunë ose që shoqëron dhunën i jep dhunës kuptim social dhe karakter social. Elaine Scarry merr shembullin e torturës. Ajo thotë se tortura shoqërohet me pyetje. Tortura mund të jetë instrument për pyetjet, por mund të jetë edhe alibi për dhunën. Pyetjet apo komentet thjesht i japin dhunës një kuptim social apo impersonal.

Edhe kërcënimet e Roshit, Ndokës, Rrajës, Dakos janë dhunë nëpërmjet të cilës ata kërkojnë t’i japin asaj një karakter social dhe një kuptim impersonal. Është e njëjta gjë si në botën e krimit, të mafias apo bandave, të cilat bëjnë vrasje, rrahje apo plagosje dhe duan të tregojnë se kjo nuk është dhunë për arsye inatesh të vogla personale, nuk ka të bëjë me dëshirën për agresion apo dhunë, por për çështje të mëdha ku janë në diskutim nderi, biznesi, morali, dinjiteti, marrëveshja apo besëlidhja, e ardhmja deri edhe e ardhmja e kombit apo shoqërisë. Gjithsesi këto kërcënime tani janë edhe tregues i trajektores rënëse të tyre dhe i mbërritjes në fund.