Kërkesa e Metës në Berlin: Të çelen negociatat brenda qershorit

Në Takimin e 24-të Ndërkombëtar të Berlinit, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka marrë pjesë në Mëngjesin e Lutjeve, ku në fokus ka qenë tema ‘Kërkojeni paqen dhe mos iu ndani asaj’. Meta është shprehur se ka theksuar mesazhin për çeljen e negociatave të pranimit të Shqipërisë në BE brenda qershorit.

“Shumë i lumtur të merrja pjesë sot në Mëngjesin e Lutjeve në Berlin me temë ‘Kërkojeni paqen dhe mos iu ndani asaj’. Theksova fort mesazhin për çeljen sa më shpejt të negociatave të pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda qershorit”, shkruan Meta në rrjetin social Facebook.

Takimi është moderuar nga anëtarët e parlamentit gjerman Albert Weiler dhe Bernd Rützel, me pjesëmarrjen e zotit Joachim Herrman, Ministrit të Brendshëm të Landit të Bavarisë dhe shumë politikanëve, deputetëve dhe përfaqësuesve të fushave të ndryshme.