Flash News

KRYESORE

Kërkesa e shqiptarëve për Gjermaninë shkakton panik në Athinë: Po minohen bisedimet për emrin

Kërkesa e shqiptarëve për Gjermaninë shkakton panik në

Kërkesa e zv/kryeministrit të Maqedonisë, Bujar Osmani për përfshirjen direkte të Gjermanisë në zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë, ka shkaktuar reagime të forta në shtetin fqinj.

Gazetari Stephanos Mytilineos ka publikuar në ‘The Greek Observer’ një artikull kundër idesë së përfshirjes së Berlinit në negociatat Shkup-Athinë, ndërsa lëshon akuza të panumërta ndaj shqiptarëve në Ballkan.

“Një kërcënim serioz për sigurinë e Europës vjen nga promovimi i ‘Platformës Shqiptare’ që nxit ekstremizmin islamik në Ballkanin Perëndimor. Duket se minimi i negociatave mes Greqisë dhe IRJM-së për çështjen e mbetur pezull të emrit kushtetues, është përpjekje e vazhdueshme e zv/kryeministrit shqiptar të IRJM-së, Bujar Osamni”, e nis artikullin e tij gazetari Mytilineos.

Që në hyrje të shkrimit, Mytilineos zbulon panikun e Athinës për përfshirjen e Berlinit në këtë çështje, lëvizje që shteti i lodhur nga kriza ekonomike do e kishte të vështirë ta bllokonte.

“Ministri i Jashtëm grek, zoti Kotzias e ka bërë shumë të qartë se Athina nuk do të lejojë ndërhyrjen e ndonjë aktori të tretë në negociatat dypalëshe mes dy vendeve dhe ky qëndrim i është bërë i ditur ministrit të Jashtëm të IRJM, Nikola Dimitrov gjatë vizitës në Athinë, në mes të qershorit”, shkruan gazetari grek.  

Stephanos Mytilineos e konsideron kërkesën e shqiptarëve për Gjermaninë si ndjenjë anti-perëndimore, ndërsa Berlinin e akuzon për mungesë njohurish në çështjet gjeopolitike të Ballkanit. Ndërhyrjen e Gjermanisë në çështjen e emrit të Maqedonisë, gazetari grek e konsideron si përpjekje për të dështuar negociatat.

“Athina e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë asnjë ndërhyrje nga ndonjë aktor i tretë në negociatat me Shkupin, pasi frikësohet se ndjenjat e huaja dhe anti-perëndimore, ose dritëshkurtërsia e objektivave të fuqive që nuk kanë njohuri reale në ndjeshmërinë e çështjeve gjeopolitike në Ballkan dhe që veprojnë jo gjithnjë në interes të sigurisë dhe stabilitetit europian, mund të minojnë negociatat dhe t’i çojnë ato në rrugë pa krye. Çështja e emrit të Shkupit është çështje dypalëshe si dhe është marrë nga Kombet e Bashkuara, linja ku qeveria greke është e gatshme të lëvizë. Zv/kryeministri shqiptar i IRJM duke kërkuar ndërhyrjen e qeverisë gjermane, kërkon t’i çojë negociatat në një rrugë pa krye përpara se ato të fillojnë. Nga një zhvillim i tillë nuk përfitojnë as qytetarët e IRJM dhe as interesat Perëndimore”, shprehet Mytilineos.

Më tej, Stephanos Mytilineos flet me një gjuhë të ashpër kundër shqiptarëve, duke i akuzuar si ekstremistë islamik, rrezik për stabilitetin e Maqedonisë dhe Ballkanit, si dhe përpjekjet që sipas tij Turqia po bën për krijimin e ‘vëllazërisë myslimane’ në rajon.

Të fundit