Flash News

OP-ED

Kërkesë shokut viRama

Kërkesë shokut viRama

nga Zef Zefi

Meqenëse Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë dhe krejt gjykatat i ke marrë ti, për të bërë shtetin tone.

Meqenëse Presidentin e ke zgjedhur ti dhe e "punon" ti, gjithashtu për qefin tënd dhe për shtetin tone.

Meqenëse Parlamenti me gjithë Gramoz, Hajdarinë, Gjuz e Dosh janë të tutë, veç për të na bërë shtet.

Meqenëse Ekzekutivin dhe bashkiakun e ke ti, për shtetin e popullit natyrisht. Po dhe krejt "Policinë e Shtetit" tonë e mbush ti me groshë dhe "gaz serb", siç e kur të duash Ushtrinë e Shtetit tonë e Komandantë të Përgjithshëm gjeneralë e kapterra tanke e blinda janë në funksion të argëtimit tënd "joking online..."

Sigurisht për të implementuar shtetin e premtuar.

Po kështu bankat, shtypin, sindikatat, ambasadat, OJF-të, partitë, ujin, dritat, rrogat, bukën, humorin, oratorinë, virusin dhe antivirusin, për interesat e larta të shtetit të shqiptarve, nuk kanë sesi të mos jenë ekskluzivisht të tuat, sahati të ndrittë!

Lutem na ktheni vetëm dy gjëra si më poshtë:

1-Qemalin. Po, Qemalin, atë tonin' me mjekrën e vet, me flamurin e Kastriotit, pa flutura në sfond dhe pa vagabondë me mjekra.

2- "Konventën Europiane të të drejtave..." sepse megjithëse i dëgjojnë "blegërimat" tona "felice" ashtu si zilkën tende, ka raste që qytetarë e institucione të botës na kujtojnë edhe si njerëz.

Në pritje që ta vini dorën në zgavrën bosh ku duhej të ishte vendi i zemrës, pres realizimin e kërkesës. Qofsh e mbetsh halli dhe sherri i Shqipërisë, siç ke qenë dhe i shtëpisë qysh se të lindi nana, yni viRama.

Të fundit