Kërkon të përmirësojë imazhin, personazhi i ‘339’ në aksion: pastron rrugët e varrezat e qytetit

Elton Arbana, kryebashkiaku i ri i PS në Shijak ka përveshur mëngët duke iu bashkuar pastrimit të rrugëve dhe varrezave të qytetit. Ish-drejtori i INUK-ut në Durrës, emri i të cilit është pjesë e dosjes ‘339’ shprehet se dëshiron të përmirësojë jetën banorëve të qytetit.

“Dëshiroj me gjithë zemër të jap më të mirën time për ju. Puna ime do të jetë pa përjashtim, për të gjithë ju që mendoni se së bashku mund ta bëjmë Shijakun qytetin që duam”.

Sipas Arbanës është e rëndësishme të ndërgjegjësojmë komunitetin për ruajtjen e këtyre hapësirave që nga qytetarët më të vegjël: fëmijët e deri te të rriturit.

Kryebashkiaku i Shijakut ka thënë se njerëzit kanë nevojë që ne t’i rrisim cilësinë e shërbimeve të përditshme të tyre. Duhet krijuar një frymë pozitive në komunitet për të bashkëpunuar.

Në përgjimet e publikuara nga gazeta Bild në muajin Maj ai dëgjohet duke komunikuar me Astrit Avdylin, anëtarin e bandës së Shijakut për anulimin e një gjobe për një biznesmen në zonën e Fermës së Sukthit.

Arbana pranoi të negocionte, pavarësisht se ia bëri të qartë Avdylajt se nuk është më në këtë post.