Flash News

KRYESORE

Kim Mehmeti: Pse shkova në Çadrën e Bashës. Çfarë mendoj  për Berishën, Nanon, Ramën e Metën

Kim Mehmeti: Pse shkova në Çadrën e Bashës.

vijon nga dje

nga Alfred Lela

Kjo është pjesa e tretë dhe përmbyllëse e një interviste, thuajse epope, jo nga gjatësia se sa nga shtrirja, e thellësisë së shkrimtarit më shumë se e temave. Ja ku jemi në fund, dhe Kim Mehmeti flet për atë që ne të Tiranës (siç do të thoshte Kimi) na këndellë më shumë: politika që kalon në katërkëndëshin Rama-Basha-Berisha-Meta. Flet edhe ai për ta. Të gjithë e kalojnë Rubikonin e tij, por jo Ilir Meta. Bashës i ka ardhur në Çadër, edhe pse kurrë s'e kish takuar, e kjo duket se është vota psikologjike dhe politike për të. Berishën e konsideron mik. Raporte të mira ka patur edhe me Nanon e Ramën. Këtë të fundit, aktualisht në pushtet,  e quan 'artist të parealizuar'.

Ndërsa Maqedonia po prodhon premisat e një tensioni etnik, në Kosovë po 'gatuhet' një 'mosdakordësi me ndërkombëtarët', pas vendimit të Thaçit për ta kaluar FSK në Ushtri të rregullt të Kosovës. Në Tiranë bëhet fjalë për një tension politik mes palëve. Çfarë po ndodh me hapësirën shqiptare në Ballkan?

Kim Mehmeti: Ndër të tjerat, shqiptaria e vuan edhe frustracionin e vëllezërve të ndarë, të cilëve rrethanat nuk u lejojnë të veprojnë bashkërisht. Dhe kur këtij frustracioni do i shtohet e vërteta se ndërtuam “Shqipëri” jo për popullin, po për ‘pashallarët’ partiakë, çdo gjë i ngjan rrotullimit rreth paaftësisë sonë, që ta pranojmë se na mposhtën ata të cilëve u besuam. Ne kemi një Kosovë që është bërë pronë e ‘Klanit Pronto’, e ku disa ‘çlirimtarë’ të djeshëm, e politikanë të sotëm, besojnë se historia do mbyllet ditën kur Kosova do mbetet pa ta. Në Shqipëri ndodh diçka ndryshe, por thuajse e njëjtë: politika është biznesi më fitimprurës, andaj edhe ëdo gjë është përqendruar në ‘forcimin’ a partive, e jo të shtetit. E keni vënë re sa shpejt pasurohen politikanët tanë dhe se thuajse të gjithë kapitalistët tanë të sotëm, janë politikanë të deridjeshëm. Pra, nëpër ‘Shqipëritë’ tona, politikanët tanë bëhen ‘Trampa’ pasi e vjedhin popullin e shtetin, e nuk janë ‘Trampa” para se të bëhen burrështetas..

Kur kësaj t’ia shtosh se politika te ne t’i përmbushë edhe ëndrrat profesionale, ndodh për shembull, që   Shqipëria e sotme t’i ngjajë një atelieje, ku piktori Rama i ekspozon jo vetëm punimet e veta, por edhe deliret e artistit të parealizuar. Shqipëria ngjan edhe në shumëçka tjetër, si për shembull, një dekor për spektaklet televizive të Kryeministrit të saj, ngjan në kopsht të kanabisit, apo i ngjan lopës që populli e ushqen, por vetëm politikanët e mjelin…, por vetëm në shtet normal nuk ngjan. Dhe, ngaqë nuk ngjan në shtet normal, ndodh që Kryeministri, pa ngurruar të pranojë se atë e konsideron pronë të partisë së tij, ndërkaq partinë si ‘kompani’ të vetën. Dhe andaj, ministrat që duhet të angazhohen për forcimin e shtetit, ai i liron nga posti, që të kenë më shumë kohë për t’u marrë me forcimin e partisë së tij. Pra, ai as që e fsheh se për të më e rëndësishme është partia që drejton, se sa shteti të cilin e sundon. Hapur pra, e pranon se partinë e ka barazuar me shtetin, se mirëqenien e partisë e barazon me atë të popullit, gjë që është mendësi e pastër Enveriste, mendësi që nuk njeh interes më të late se ai partiak.

Çfarë ndodh me shqiptarët nëse ka një koalicion Gruevski-Zaev?

Kim Mehmeti: Nëse do ndodhte diçka e tillë, shqiptarët do duhej të bënin atë që e kam thënë para ca vitesh: të formojmë Parlamentin e Shqiptarëve të Maqedonisë dhe të fillojnë ndërtimin e Maqedonisë shqiptare. Apo thënë ndryshe, kjo do shënonte ndarjen e Maqedonisë në baza etnike. Pastaj duhet pasur parasysh të vërtetën se edhe një koalicion i tillë njëetnik maqedonas,  nuk do sillte ndonjë ndryshim të dukshëm në drejtimin e shtetit, ngaqë shqiptarët kurrë nuk kanë qenë bashkësundues të shtetit, por vetëm vasalë të sunduesit maqedonas. Dhe partitë maqedonase i ikin koalicionit të tyre të përbashkët qeverisës, jo vetëm pse Maqedonia nuk mund të ketë qeveri legjitime pa shqiptarët në të, por edhe pse më  ‘lirë’ i kushton vasali shqiptar, se sa bashkësunduesi i partisë tjetër maqedonase.

Cila ishte përshtypja për Çadrën e protestës së opozitës; pse shkuat atje?

Kim Mehmeti: Çadra e PD-së mu duk pak më ndryshe se ajo e para disa viteve e PS-së, mbase shkaku se ajo e dikurshmja e socialistëve opozitarë, kishte më shumë aktrim se sa seriozitet. Dhe shkova te kjo çadër, pikë së pari pse këtë ma kërkuan disa miq të mi, dhe pse dua që Shqipëria të mos jetë shtet ku do ngrenë çadra partitë opozitare, por shtet që do jetë atë që e thash më lart: ‘çadër’ nën të cilën do mund të strehohet e tërë shqiptaria. Pastaj shkova te kjo çadër pse më janë bërë të neveritshme pohimet dhe intrigat e atyre që thonë se u dhimbset Basha i mbetur ‘nën hijen’ e Berishës, e të cilët kështu duan ta pengojnë etablimin e Bashës si lider të ri partiak. Po pra, më janë bë të neveritshëm ata që janë duke e ‘mbrojtur’ Bashën nga Berisha, ngaqë të tillët e duan të kundërtën: që PD-ja të mbetet pa lider të definuar të saj.

E di se askush nuk do e besojë, por unë me Bashën jam njoftuar, dhe për herë të parë me të jam takuar  pesëmbëdhjetë minuta para se të shkoj te çadra e tij. Unë kam pasur miqësi me Sali Berishën, dhe ende e quaj mik timin, por kjo fare nuk më ka penguar që të them atë që kam thënë për qeverisjen e tij. Më në fund, nëse doni ta dini, unë gjithmonë kam qenë me opozitën. Gjatë qeverisë së shkuar të Berishës,  publikisht, e jo nëpër kafene, e kam thënë se Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe se është mirë që PS-ja t’i fitojë zgjedhjet. Thjesht, nuk mund ta kuptojë se si një artist, mund të jetë nga krahu i të pushtetshmit dhe të fortit!? Po, edhe mua më ka ndodhur të jem përkrah të pushtetshmit, por vetëm përderisa ai nuk e humbur pushtetin mbi vetveten. Dhe nga mund ta dija unë, për shembull, se Kryeministri i tanishëm i Shqipërisë, do e humbte pushtetin mbi vetveten ende pa e përfunduar mandatin e parë!?

Edhe me Berishën burrështetas unë isha vetëm përderisa ai nuk e ‘humbi pushtetin’ mbi vetveten. E di që asnjëri prej tyre nuk ka pasur nevojë për diëka të tillë, por aty ku më është dhënë rasti, e kam përkrahur edhe Nanon, edhe Edin. E në ndërkohë, kurrë nuk kam pasur mendim të mirë për drejtuesin e LSI-së. Edhe atë pse, sipas meje, nga grindja mes PS-së dhe PD-së, më së shumti përfiton lideri i LSI-së, i cili me ‘dashuri, urtësi e mirëkuptim’ ia del të pamundurës në politikë, e që me gjuhën e shkrimtarit, e definoj si mjeshtri të të takojë edhe ‘lavdia edhe ‘pasuria’.

Po pra, jam shkrimtar dhe mos mendoni se nuk e di që të kërkosh politikanë shqiptarë që i përmbahet premtimit dhe fjalës së dhënë, është njësoj si të kërkosh ndërgjegje te ai që nuk turpërohet. Por kjo nuk më pengon, me aq sa mundem, të kontribuoj në etablimin e një  gjenerate të re politikanësh, e cila në mos më shumë, do e kultivojë mendësinë politike se nuk është Shqipëria pronë e partive, por partitë janë të Shqipërisë, dhe se nuk është emblema partiake ajo që e bënë individin më të vlefshëm, por vlerat personale të anëtarëve të saj, janë ato që e lartësojnë flamurin partiak.

Të fundit