Flash News

KRYESORE

Kings Tirana, shkolla e parë në Shqipëri me një program dhe grup britanik edukimi

“Kings Tirana” është një shkollë angleze në Shqipëri, që vjen për herë të parë me një grup britanik edukimi. Kjo shkollë ofron një ambient që mbështet fëmijët në zhvillimin dhe edukimin e tyre, duke nisur që nga arsimi fillor, ai 9-vjeçar dhe i mesëm.

“Kings Tirana”, si një shkollë në partneritet ndërkombëtar me “Kings Education”, ofron një sistem edukimi për nxënësit, duke zgjuar tek ata imagjinatën, frymëzimin dhe dashurinë për dijen. Nxënësit e kësaj shkolle do të kenë gjithashtu mundësinë të përfitojnë nga praktikat më të mira të arsimit dhe edukimit në rang ndërkombëtar.

Dje u bë ceremonia zyrtare e çeljes së “Kings Tirana” ku morën pjesë SH.T. Sean Melbourne, zv. Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Andrew Hutchinson, Drejtor i Kings Education, Michael Parris Drejtor i Zhvillimit i Kings Education, si edhe shumë prindër të interesuar për një edukim cilësor për fëmijët e tyre.

Për sa i përket programit, “Kings Tirana” ndjek kurrikulën kombëtare britanike të arsimit fillor, 9-vjeçar dhe të mesëm, me një fokus të fortë në zhvillimin personal të fëmijëve. Në mënyrë që nxënësit të zhvillojnë komunikimin, bashkëpunimin dhe aftësinë për zgjidhjen e problemeve, “Kings Tirana” u jep mundësinë atyre të angazhohen në aktivitete individuale si edhe në grup.

Në arsimin e mesëm, ndryshe nga kurrikula shqiptare, programi britanik e fokuson mësimdhënien vetëm në tre lëndë, aty ku nxënësi shfaq prirjet dhe talentin e tij. Në përfundim të këtyre lëndëve, nxënësit pajisen me diplomën A-level ose Foundation (matura shtetërore britanike).

Kurrikula përmban programet e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Historisë së Kombit Shqiptar dhe Gjeografisë së Rajoneve Shqiptare, duke u dhënë nxënësve mundësinë për të dalë ekselentë në Provimet e Lirimit dhe Maturës Shtetërore.

Shkolla “Kings Tirana” është e vendosur në një zonë prestigjioze rezidenciale në Lundër, pranë qendrës tregtare “TEG”, lehtësisht e aksesueshme nga i gjithë kryeqyteti. Ndërtesa e shkollës është ndërtuar posaçërisht për tu ofruar nxënësve akomodim në grupe të vogla dhe në mënyrë shumë komode. Ambienti i gjerë ofron klasa moderne me hapësira të bollshme, laboratore shkencore të pajisura me të gjitha mjetet e nevojshme, një mensë për nxënësit dhe stafin, si edhe ambiente të brendshme dhe të jashtme për aktivitete sportive dhe argëtim.

Shkolla “Kings Tirana” është e angazhuar për të dhënë një numër bursash çdo vit, të cilat ofrohen për të inkurajuar nxënësit me arritje të shkëlqyera. Bursat jepen për të përfituar nga eksperienca e programit arsimor të “Kings”, për të bërë një ndryshim e kontribut pozitiv në këtë shkollë dhe në komunitetin akademik. Bursat ofrohen sipas meritës për studentët që janë premtues dhe tregojnë nivele të larta të ekspertizës dhe talentit. Të gjithë kandidatët që dëshirojnë të aplikojnë për pranim në “Kings Tirana”, u kërkohet të japin provimin pranues për një Bursë Akademike. Data e parë e provimit të pranimit është 16 Qershor, 2018.

Të fundit