Kisha Katolike: Mbështesim nismën për lojërat e fatit, por është e pamjaftueshme

Kisha Katolike mirëpret vendimin e qeverisë për të ndaluar kazinotë elektronike dhe bastet sportive në zonat e banuara në Shqipëri. Në një deklaratë për mediat të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë thuhet se lojërat e fatit dhe bastet janë kthyer në një gangrenë të vërtetë për shumë familje shqiptare dhe kjo vështirëson edhe më shumë situatën tashmë të rënduar, sipas Kishës Katolike, të një numri të madh familjesh të varfra.

Në deklaratën në fjalë, Konferenca Ipeshkvore thekon se është e  vetëdijshme se e vetme kjo nismë është e pamjaftueshme nëse nuk bëhen përpjekje për përballjen me dukurinë e ludopatisë, teksa shton se bëhet urgjent dhe i nevojshëm evidentimi i situatave të rënda familjare dhe krijimi i programeve mbështetëse për rimëkëmbjen ekonomike të këtyre familjeve nga ana e shtetit dhe e strukturave të tjera.

Deklarata e plotë

Prononcim i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë për lojërat e fatit

Lojërat e fatit dhe bastet në Shqipëri janë kthyer në një gangrenë të vërtetë për shumë familje shqiptare. Kjo vështirëson edhe më shumë situatën tashmë të rënduar të një numri të madh familjesh të varfra. Janë të shumtë ata që kanë humbur gjithçka dhe kanë çuar familjet e tyre drejt një falimentimi ekonomik dhe moral. Prandaj deklarata e qeverisë për nxjerrjen jashtë ligjit të basteve dhe kazinove elektronike, është sigurisht e mirëpritur nga Kisha Katolike në Shqipëri. Në të kaluarën ne kemi organizuar, edhe në bashkëpunim me fetë e tjera, takime rreth këtij fenomeni shqetësues. Kujtojmë simpoziumin e organizuar në Shkodër vitin e kaluar me praninë e krerëve fetarë të atij qyteti dhe të autoriteteve civile, sikurse e ka përmendur edhe sot në deklaratën e tij Arqipeshkëvi i Shkodrës Imzot Angelo Massafra.

“Lojërat e fatit bëhen moralisht të papranueshme, kur e lënë personin pa atë që është e nevojshme për të përballuar nevojat vetjake dhe të tjetrit. Pasioni për lojën rrezikon të bëhet një skllavëri e rëndë”  shprehet katekizmi i Kishës Katolike në nr 2413.

Por gjithashtu ne jemi të vetëdijshëm se e vetme kjo nismë është e pamjaftueshme nëse nuk bëhen përpjekje për përballjen me dukurinë e ludopatisë, nëpërmjet hapjes së qendrave dhe klinikave të specializuara ku trajtohen personat e përfshirë në këtë lloj vartësie e cila tashmë klasifikohet si një sëmundje nga OBSH. Gjithashtu bëhet urgjent dhe i nevojshëm evidentimi i situatave të rënda familjare dhe krijimi i programeve mbështetëse për rimëkëmbjen ekonomike të këtyre familjeve nga ana e shtetit dhe e strukturave të tjera.

Ne ofrojmë mbështetjen dhe ndihmën tonë që ky problem të gjejë një zgjidhje sa më afatgjatë dhe integrale dhe urojmë të mos jetë thjesht një retorikë politike.

Nga Selia e Konferences Ipeshkvore te Shqipërisë