Flash News

KRYESORE

Koalicion PS-PD? E mundshmja renditet më lart se ekzistuesja

Koalicion PS-PD? E mundshmja renditet më lart se ekzistuesja

Alfred Lela

Fushata elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit i është afruar gjysmës pa ngjarje të mëdha. Sondazhet, ndaj të cilave jemi gjithnjë e më skeptikë, pas dështimit spektakolar në Britani e Amerikë, duket se nuk e masin skepticizmin e njerëzve.

Në to duket renditja klasike ‘i pari, i dyti, i treti`, por jo fituesi.

Martin Hajdeger thotë: ‘e mundshmja renditet më lart se ekzistuesja`.

Silueta e së mundshmes shtrihet te një koalicion mes dy partive të mëdha, kundërshtareve klasike të spektrit politik shqiptar, Demokratikes dhe Socialistes.

Ka, megjithatë, skepticizëm për këtë kombinim, për motive apo arsye që lidhen me dëmtimin e njërës apo tjetrës palë, kontrollin e shtetit, lënien e vendit pa opozitë reale, e me radhë. Pak a shumë, opinionet rrahin te ideja se një koalicion mes PS dhe LSI është një gjë e natyrshme. Madje, horizonti i një marrëveshjeje mes Socialistes dhe Demokratikes e ka kthyer si të pranueshëm një kombinacion që, deri dje, të njëjtët njerëz e shihnin si të pavend, të trashë e të pandershëm, atë mes PD dhe LSI.

Koalicioni mes partive të mëdha nuk është ndërkohë i panjohur në Europë. Në Gjermani, për shembull, të djathtë e të majtë, prej kohësh qeverisin bashkë. Pse në Shqipëri skajohet si i pamundur?

Gjurmët e së interesuarës së madhe, LSI, duken në territorin e këtij formulimi anti grand-coalition. Afërmendsh, njerëzit e Metës janë më pak të interesuarit për një marrëveshje të gjerë, që mund të përfshinte edhe ata, por i shihte si jo vendimtarë.   Një pakt i tillë do t`i lindte jashtë pushtetit real të cilit i janë gëzuar 8 vitet e fundit. Por, edhe jashtë rolit të king maker-it.

Ka një paradoks këtu: në 8 vjet, dy partitë e mëdha kanë qenë në pushtet gjysmën e kohës, ndërsa partia e tretë ka qenë në pushtet gjatë gjithë kohës. Ndërprerja e kësaj formule të çuditshme nuk do me thënë se ndërpret edhe mënyrën normale se si shkojnë gjërat. Përkundrazi.

Një zgjatim i marrëveshjes Basha-Rama edhe pas zgjedhjeve të 25 qershorit, nuk është dëmtues për vendin. Ai mund të prekë disa interesa dhe ca të tjerë sentimente, të pozicionit, kontekstit apo idologjisë, por jo edhe rendin e madh të gjërave.

Kushti sigurisht është aty: integrimi europian, reforma strukturale dhe rend social e politik. Pra, jo pazar i gjësë politike. Konfigurimi i qeverisjes së përbashkët duhet themeluar rreth idesë së kontributit, ekspertizës dhe prioroiteteve, dhe jo ndarjes së barabartë të ministrive me fonde të majme.

Nëse gjendet kjo `formulë pagëzimi`, të gjithë ata që mbeten jashtë, nuk ka pse mbyten në avuj tërbimi.

Fushata është e çuditshme, jo se marrëveshja është arritur apo se ajo mund të arrihet, por se mundësia e saj ekziston.

Për t’iu kthyer Hajdegerit: e mundshmja renditet më lart se ekzistuesja.

Aktuale dhe ekzistuese për 8 vitet e fundit në Shqipëri ke qenë një gjë: LSI në pushtet.

 

Të fundit