Flash News
Atentat në Memaliaj, qëllohet me breshëri arme avokati
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Ndriçim Kulla
Ka shumë ide dhe mendime se si do të qe mënyra më e mirë për të dalë nga kjo krizë e thellë, përpos idesë nga qeveria se një krizë e tillë nuk ekziston. Edhe pse një ide e tillë po mbrohet në mënyra nga më qesharaket nga ana e një segmenti të caktuar të mazhorancës, përsëri e gjitha kjo duket të jetë më tepër për efekt elektoral, se sa vërtet një ide për t’u zhvilluar më tej. Po njëlloj, edhe për zgjidhjen e krizës, qasjet ndahen në formale, teknike, që është më e keqja, dhe institucionale e politike, por që kufizohen vetëm te kushtet dhe rrethanat e zgjidhjes së kësaj krize.
Nuk është kriza e parë që po kalon Shqipëria, mbështesin shumë analistë, dhe zgjidhja duhet të jetë e bazuar në vullnetin politik. Vetëm se, nuk duhet harruar, që Shqipëria tashmë është duke lënguar një tranzicion vërtet të zgjatur, ndaj qasja ndaj kësaj krize të paprecedentë duhet të kalojë patjetër nga referimi i zgjidhjes politike të saj. Kjo është premisa e parë që duhet të na udhëheqë në gjetjen e zgjidhjes së krizës. E nëse e shohim në këtë perspektivë, atëherë edhe hapësira e punës dhe veprimit bëhet shumë e gjerë.
Përveç tranzicionit, një aspiratë e kahershme e shqiptarëve, e bërë organike me të, është integrimi europian. Nëse i referohemi zgjidhjes së krizës me këtë frymëmarrje, atëherë premisa e dytë kuptojmë te jetë jo një zgjidhje që të kapëcejë apo t'i japë rrugë këaj situate, por t'i japë fillim, një zgjidhje sistemike, që të ndryshojë elementët thelbësorë të sistemit-vend shqiptar, të cilët do të bëjnë të mundur që të mund të kapërcehet njëherë e mirë periudha e tranzicionit. Vetëm nëse e shohim në prizmin e këtyre dy premisave mund të arrinim në një zgjidhje që të mos përqendrohet vetëm në heqjen apo rrëzimin e qeverisë apo të kryeministrit të sotëm, që kjo duhet bërë pashmangërisht, as në vetëm mundësimin e ardhjes në pushtet të opozitës së sotme. Por, parësisht në krijimin e një sistemi të ri politik, partiak, ndër-institucional dhe juridiko-gjyqësor të aftë të mos gjenerojë në sjellje të tilla të pushtetit, si këto vitet e fundit.
E gjitha kjo, për realizimin e këtij sistemi, ka nevojë edhe për një periudhë të re disa vjeçare, që t'i japë fund njëherë e mirë plagës më të madhe, që qëndron në themel të të gjitha këtyre ndryshimeve, realizimit të zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe, më kryesorja, të barabarta për të gjithë aktorët politikë pjesmarrës. Nuk mund të besojmë qe zgjidhja e kësaj krize të sjellë edhe shërimin e kësaj plage, pasi me të janë të lidhur edhe mjaft faktorë kulturorë, të mentalitetit dhe varfërisë së skajshme, të cilët është e pamundur të eliminohen menjëherë, por që në të vërtetë endin gjithë atë rrjetë të padukshme, që end e formëson rezultatin real të zgjedhjeve.
Janë ndoshta këta faktorë të brendshëm, organikë, që ne shqiptarët i njohim shumë mirë si pjesë përbërëse të gjithë historisë së zgjedhjeve të këtyre viteve, që ndoshta i ngatërrojnë shumë ndërkombëtarët, pasi me sa po duket janë vërtet shumë të vështira për t'u kuptuar prej tyre se gjer në ç’thellësi kanë arritur. Në këtë kuptim, që t'i japim fund tranzicionit zgjidhja duhet parë si sistemike dhe perspektive. Këtë gjë, qeveria dhe një pjesë e mazhorancës ende s’ka arritur ta perceptojnë, e aq më pak të fillojë ta artikulojë. Ky është thelbi i parimit të aksionit të opozitës, se ajo nuk po lufton për pushtet, as për fitore në tavolinë. Ajo po lufton për ta ndryshuar raportin e qytetarëve me zgjedhjet, raportin e votës me përfaqësimin politik, përbërësit themelor të mos-deformimit të vullnetit të zgjedhësve.
Pas reformës në drejtësi, kjo është reforma tjetër e madhe që kërkojnë shqiptarët. Që nga këtu do të fillojnëtë gjitha të tjerat, për të lëruar tokën, që të mos i pjellë më Shqipërisë raporte të tilla të tmershme të lidhjes së politikës me krimin dhe oligarkinë, si gjithë këta vjet. Vetëm nëse ndryshohet i gjithë sistemi, referuar ndryshimeve që sjellin këto dy reforma bazë, do ta kthejmë këtë zgjidhje të krizës, jo thjesht në një proces për të ardhmen, por në një pasqyrë emancipuese, ku do të shihen të gjithë kryeministrat e ardhshëm, për të mos u sjellë më kështu, por me rregulla të tjera loje.
Kuptohet se një qasje sistemike dhe perspektive, ka nevojë për shtjellime në secilën fushë të vet përbërëse, të cilat nevojiten të bëhen me reflektimin e nevojshëm, por nëse do të gjenim një fill ariane për reformën zgjedhore, le të nisemi nga parimi që vota e çdo qytetari të ketë vërtetë fuqi, që votën e tij ai vërtetë ta ruajë vetë, të luftojë për të vetë, për kandidatin e përzgjedhur prej tij, prej elektoratit të çdo partie.
Ky parim, ka vetëm një përkthim praktik në jetën partiake, listat e lira, jo në dorë të kryetarëve të partive, që e nepotizuan sistemin, që e sektarizuan, e klientelizuan atë,e për më keq, për turp, e mbushën me injorantë, apatikë, kriminelë dhe kontrabandistë. Ndërsa, nëse do të dilnim në nivel përtej partiak, sistemi mazhoritar është më i duhuri për ta risjellë kandidatin me të gjithë cilësitë dhe karakterin e tij më të mirë e më intelektual, të vënë në shërbim të qytetarit. Kurse, ky i fundit nga ana e tij do ta fokusojë përsëri vëmendjen dhe vlerësimin e vet, jo vetëm te partitë, por kryesisht tek individët e spikatur që votuesi u beson dhe nuk heziton për ta, jo vetëm për t'i votuar, por edhe për të ruajtur votën nga matrapzi dhe hajduti politik.
Nëse ky vullnet politik për zgjidhje do të ketë edhe zgjedhjet e duhura teknike të votimit elektronik, do të krijojë një bazë të qëndrueshme, ku ne mund të largoheshim nga tranzicioni dhe kështu do ishim më të qetë, më të paqtë, për të menduar dhe vepruar për projektet e ardhshme ekonomike dhe kulturore të trasformimit të Shqipërisë dhe integrimit europian të saj.