Flash News

KRYESORE

Koka e Kiço Londos nga ‘kamarja e nderit’

Koka e Kiço Londos nga ‘kamarja e nderit’

Alfred Lela

Pirro Mani, regjisor, dhe e shoqja aktore, Pavlina, ishin të parët që u dorëhoqën nga një listë mbi të cilën nuk e kishin vënë kurrë gishtin e firmës, në fakt. “Nuk kemi firmosur asnjë letër të hapur, na kanë falsifikuar firmat”, ishte reagimi i artistëve shqiptarë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Po të duash të marrësh në konsideratë rëndësinë e Manit për Teatrin shqiptar, dhe po të ishim një vend me cipë, do të kishte mjaftuar kjo deklaratë që turpi e faqja e zezë t’i kishte mbuluar letërhapurit, qeveritarët dhe kryetarin e Bashkisë, bashkë me ndjekësit e tyre, që janë kaq të egër në tërbimin për t’i vënë ruspat ndërtesës 80 vjeçare.

Nuk ndodhi asgjë e tillë. Themelet që ‘shembi’ Pirro Mani vetëm sa i dhanë shtysa të reja detraktuesve të vjetër, të cilët përgatitën falsifikime dhe simulime të tjera, ‘në emër të së resë që duhet të ngadhnjejë e të së vjetrës që duhet shembur’.

Nga hiçi doli një takim i Alfred Trebickës, Altin Bashës dhe Arben Derhemit me Erion Veliajn, pagëzuar si ‘paqe’ me anë të një fotoje në rrjetet sociale prej kryebashkiakut. Treshja e të zbythurve të parë doli e tha në shtyp, incognito dhe pa atë zjarrminë që desh ua përpiu trupat dhe nishanet, në ditët e para të betejës teatrore, se Veliaj u kish premtuar një konkurs ndërkombëtar për Teatrin dhe një përfaqësi artistësh në Komisionin përzgjedhës. Ata u harruan sepse nuk u dukën më në sheshin mes Kombëtarit dhe Eksperimentalit, ku prej një muaji vazhdon protesta e përnatëshme në muzg e deri në të errme. Por, nuk harroi aspak koha që nuk fal. As Marlon Brandonë, e jo më metodistët shqiptarë ku përzihet pak socrealizëm me kabare tranzicioni.

Veliaj nuk priti dhe as u skuq, por me yrysh e vazhdoi betejën për Teatrin duke i shkuar pas vendimit të shefit të tij Ramës për ta kaluar me procedurë të përshpejtuar projektligjin për shembjen. Nuk u përmend më juria ndërkombëtare, ngritja e së cilës, normalisht, do duhej të parashikonte projekte të reja dhe anulimin e projektligjit që kaluan deputetë socialistë. Të dyja nuk mund të jenë: edhe projektligji i vjetër edhe premtimi i ri për konkurs ndërkombëtar, e më- the-të-thashët e kryebashkiakut.

Pas kësaj tre musketierët, që në fillim thanë se do bëheshin fli mbi kamat e ndërgjegjes për jetën e gjatë të Teatrit Kombëtar, nuk dolën për të thënë: Erion, na preve në besë, nuk ramë dakord për këtë!

O njëra, o tjetra, bre burra! O u prenë në besë, o ua futën. Nëse nuk e dini ç’ka ndodhur, dikush ka luajtur teatër me ju. Nëse e dini, por po i shkelni syrin kompromisit tuaj, po luani ju teatër. Brehti nuk ka patur këtë ndërmend kur shpiku ‘teatrin 3 leksh’ (three penny theatre).

Edhe Robert Ndrenika, një nga epikët e fundit të artit skenik, u shfaq me siluetë të përkulur tek i largohej skenës së fundit të teatrit të jetës: mbrojtjes së Teatrit ku ai themeloi jetën artistike. Çfarë trishtimi për një aktor dhe burrë të mire! Njësoj sikur Roberti tjetër, de Niro, të kapërdinte gjithë sharjet që ka lëshuar për Donald Trump.

Elia Zaharia, aktore që i vjen skenës me spaletat e së ëmës, Yllka Mujo, dhe të monarkisë së pafat shqiptare si nusja e Princit Leka, gjithashtu foli për firmë të falsifikuar, por shtoi se është për shembjen e Teatrit, ndërtuar pak para ikjes nga Shqipëria të gjyshit të të shoqit, Mbretit Zog. Belle époque e mamasë dhe monarkisë, ku ajo u fut nuse, nuk e shpëtoi dot nga ky kontradiksion etik.

I fundit në vargun e ikësve u shfaq Bujar Asqeriu. Në një intervistë për një portal afër kryetarit të Bashkisë, ‘Avni Rustemi’ u bë ‘Esat pashë’, edhe pse mjegulla e paqartësisë endej e trashë në fjalët e aktorit, që me pathos kërkonte mbrojtjen e Teatrit ditët e para të protestës. Në fund, ai kujtonte vdekjen që u erdhi shokëve të tij nga ajo godinë. Në një stil socrealist, si te ‘dy krisma në Paris’.

Ndoshta do të zbythen të gjithë një ditë, njëri-pas tjetrit, në heshtje apo me deklarata bombastike. E fundit, ka gjasë të mbetet koka e Kiço Lindos, që çdo natë e prezanton pajtimin e të zotit me protestën kundër shembjes nga e njëjta dritare e katit të dytë të Teatrit Eksperimental, drejtor i të cilit është.

Koka e Londos është si e Ali Pashës: ajo do të bjerë e fundit, por do të ketë simbolikën më të madhe. Sepse është ‘kokë’ që vjen nga ‘oborri i Sulltanit’, por nuk pajtohet me të.

Kur të bjerë, nëse bie, ajo dritare do të jetë për të një ‘kamare nderi’.

Të tjera koka janë ndërkohë, rresht e vijë, në kamaren e turpit.

 

Të fundit